Miranda Shakohoxha: Tani është ndjekës pasionant i sportit. Ne e dimë, kur hyn ai në shtëpi, nuk shohim dot një film… nuk na lënë ndeshjet sportive. Ulet para televizorit me telekomandën në dorë, madje edhe zëri është aq i lartë sa do ai, dhe ne të tjerët rrimë… E për më tepër, ai kërkon qetësi absolute për t’u përqendruar në atë çka sheh. Unë nuk mund të laj enët në kuzhinë pasi bëj zhurmë, ose nuk mund të bëj një bisedë telefonike sepse shqetësoj tim shoq…
Një mashkull nga Vlora nuk do të bënte kompromis për të jetuar nën “hyqmin” e gruas, apo të familjarëve të tjerë. Ndoshta, kjo është një traditë që ka favorizuar vetëm meshkujt për të qenë shtylla e shtëpisë, apo lider në shumë vendimmarrje familjare. Për Dritan Shakohoxhën, fakti që nuk është njëqind për qind lider në familje, nuk do të thotë se nuk dëshiron të jetë i tillë. Por angazhimet profesionale e kanë detyruar të tërhiqet dhe t’ia pasojë “topin” gruas. Të qenit shumë orë larg bashkëshortes dhe fëmijëve, si dhe angazhimet profesionale nuk i kanë dhënë dot mundësitë që t’i realizojë të gjitha vetë, ashtu siç do dëshironte. Duke filluar me buxhetin e familjes, apo dorëzimin e kuletës në duart e sigurta të së shoqes. “Lideri financiar është Miranda. Është ajo që merret me administrimin e të ardhurave në familje, me blerjet, supermarketet. Edhe rrogën time e merr gjithmonë ajo, madje unë nuk e di as vlerën e saktë të shumës me të cilën paguhem. Këtë gjë e kam bërë pasi kam besim të madh tek aftësitë menaxhuese të sime shoqeje”, pohon gazetari i njohur sportiv. Por, kjo nuk do të thotë se gjatë jetës së tyre bashkëshortore, ai ka lëshuar gjithmonë pe… Ka pasur situata kur “vlonjati” ka ngritur krye për të treguar vendosmërinë dhe autoritetin prej kryefamiljari. Një e tillë, ishte edhe blerja e shtëpisë. Kur ata vendosën për të hyrë në një apartament të ri, ishte Dritani ai që vulosi vendin se ku do të pozicionoheshin. Kjo nuk ishte një kapriço e momentit, por një zgjedhje e bazuar mbi argumente bindës: një prej tyre ishte fakti se ai ishte rritur në atë zonë, dhe e njihte me pëllëmbë ambientin përreth. Pranimi nuk erdhi pa kushte, sepse kishte folur “Ai”, burri i shtëpisë, por sepse ua mbushi mendjen se kjo ishte alternativa më e volitshme për të katërt.
Oboboooo… erdhi babi! Në momente të veçanta, prania e tij dhe pesha e fjalës ka rëndësi më shumë se gjithçka tjetër. Shpesh, i qëllon të bëjë edhe “hijerëndin”, si për dëshmuar praninë e figurës mashkullore në familjen Shakohoxha. “Më kujtohet koha, kur djali im i madh Frenkli ishte i vogël dhe luante me fëmijët e lagjes, poshtë pallatit. Kur unë dukesha tek cepi i rrugës, shokët e tij gëzonin sepse më shihnin në televizor dhe donin të më takonin nga afër, kurse im bir thoshte: “O bobo… erdhi babi”, dhe nxitonte për t’u futur shtëpi. Lumturia e shokëve të tij, ishte pakënaqësia e tim biri. Ky gjest nuk bëhej sepse unë kisha vënë një rregull të caktuar, por sepse kisha merak për të. Çdo prind besoj i ka fort për zemër fëmijët e tij, sidomos ne që i kemi rritur në periudha tranzicioni. I kemi përjetuar problemet e tyre, e këto janë motive që të emocionojnë, shpesh të nervozojnë, dhe të bëjnë ta përjetosh në mënyrë dramatike edhe një notë të keqe në shkollë… a thua sikur çfarë ka ndodhur”, vijon ai.
Pakënaqësitë e Mirandës
Duket se për komentatorin e suksesshëm sportiv, lidhja me sportin nuk është vetëm ekskluzivitet i punës së tij, apo çështje pasioni. Ka një marrëdhënie aq të ngushtë me të, së cilës nuk i shpëton dot as kur ai lë punën për t’ju përkushtuar Mirandës, Frenklit dhe Devit. Telekomanda e televizorit është gjithmonë në duart e tij, për aq kohë sa gjendet në shtëpi. Të gjithë të tjerët “janë të dënuar” për të parë emisionet sportive që tërheqin Shakon, aq sa shpesh herë ambienti i shtëpisë kthehet edhe në një arenë stadiumi futbolli. Dhe këtu ndërhyn e shoqja! “Është ndjekës fanatik dhe pasionant i madh i sportit. Ne e dimë, që kur Tani hyn në shtëpi, nuk shohim dot një film, apo një program interesant televiziv, sepse nuk na lënë ndeshjet sportive. Ulet para televizorit, me telekomandën në dorë, madje edhe zëri është aq i lartë sa do ai, dhe ne të tjerët rrimë. Nuk kemi zgjedhur që të kemi dy televizorë në shtëpi, pasi dhomat e tjera janë për të fjetur. Madje, ai kërkon qetësi absolute për t’u përqendruar në atë çka sheh. Unë nuk mund të laj enët në kuzhinë pasi bëj zhurmë, ose nuk mund të bëj një bisedë telefonike sepse shqetësoj tim shoq”, thekson Miranda. Nuk shquhen si natyra konfliktuale, apo individë që preferojnë të ngrenë zërin… qoftë për të vendosur vendin ku do të kalojnë pushimet verore. Bien shpejt dakord në marrjen e vendimeve, për të cilat herë vendos njëri e herë tjetri. Veton nuk e ka asnjeri prej të dyve, për sa kohë që flitet për një familje e interesa të përbashkëta.
Botuar në revistën Psikologji, korrik 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.