Jam e bindur që kujtesës nuk i zihet besë; shpesh, rrethanat në të cilat gjendemi, kur sjellim diçka në mendje, e deformojnë atë kryekëput e, pa dyshim që një gjë e tillë mund të ketë ndodhur me disa prej kujtimeve që kam përmbledhur në këto faqe…
“Dritë e zbehtë mbi kodra” është një rrëfim mallëngjyes mbi luftën, vetveten, kujtimet dhe ndjesitë e një gruaje në përballjen me botën e madhe dhe atë më të fshehtën tonën.
“Dritë e zbehtë mbi kodra” (1982) është romani i parë i shkrimtarit nobelist Kazuo Ishiguro, fitues i çmimit Winifred Holtby, dhënë nga Shoqëria Mbretërore e Letërsisë.
Nga mjedisi i qetë dhe i huaj i shtëpisë së saj angleze, Etsuko, një grua japoneze që tashmë jeton vetëm, largon vështrimin nga e tashmja e dhembshme për të kërkuar gjetkë kuptimin dhe arsyen e jetës së saj. E angështuar nga vetëvrasja e vajzës së madhe, ajo kthehet pas me mendje deri në Nagasaki, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku në shkretinë e të mbijetuarve, piqej e rritej shtatzënia e saj e trazuar. Ishte vera e miqësisë së saj të shkurtër dhe enigmatike me Sashikon, fqinjën e saj, dhe koha kur u njoh me të bijën e Sashikos, Marikon, një vogëlushe tejet të traumatizuar. Si një
Madam Butterfly, Sashiko pret një dashuri, një nisje që nuk do të mbërrijë kurrë, teksa e bija zhytet në ankthin e kujtimeve tepër të vrazhda. Përvojat jetësore të dy grave rendin paralelisht me njëra-tjetrën dhe shkrihen njësh, pa e kuptuar se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, përmes kujtesës, që s’mund t’i zësh besë, të Etsukos.
“Dritë e zbehtë mbi kodra” është cilësuar si një roman plot finesë mbi ndrydhjen e emocioneve dhe të ndjenjave, i lidhur ngushtë me rëndësinë e së shkuarës në kuptimin e së tashmes.
Kritika
“Dritë e zbehtë mbi kodra”, një roman delikat, ironik dhe eliptik, që më shumë sesa rrëfen, lë të nënkuptojë. – The New York Times
Një roman i parë, i shkruar me një delikatesë të pazakontë […] një studim jashtëzakonisht i qetë i trazimeve të skajshme emocionale. – Times Literary Supplement
Ishiguro trajton çështjen e kujtesës, vetëmashtrimit […] nëpërmjet një proze të përmbajtur që më shumë fsheh sesa shpjegon apo rrëfen. Kjo sjell një vel misteri dhe tis rreziku. – Los Angeles Times Book Review
Duke gërshetuar me mjeshtëri të shkuarën dhe të tashmen, ky roman i parë shpalos një rrëfim dëshpërues dhe trazues, që e mallëngjen lexuesin si për atë çka tregon, edhe për atë çka nuk tregon. – Library Journal
Kujtimet e Etsukos, ndonëse përqendrohen te vuajtjet dhe marrëzitë e fqinjës së saj, është e qartë se i referohen asaj vetë. – New York Times Book Review
Autori
Sër Kazuo Ishiguro është shkrimtar britanik me origjinë japoneze dhe Laureat i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2017. Ishiguro konsiderohet sot si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lëvduar të botës anglishtfolëse: ai është kandiduar katër herë për Man Booker Prize, duke e fituar çmimin në vitin 1989 pikërisht me romanin “Dita e mbetur”. Një tjetër roman i tij “Mos më lër të shkoj”, i ribotuar nga Botimet Pegi në vitin 2017, u shpall nga revista Time si romani më i mirë i vitit 2005 dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze (nga viti 1923 deri në 2005).
Ishiguro është autor i shtatë romaneve. Akademia suedeze e vlerësoi Ishiguron me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 2017, duke e përshkruar si një shkrimtar “i cili, në romane me një forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën që fshihet nën ndjesinë tonë të gënjeshtërt të lidhjes me botën.”
Botime Pegi ka botuar deri më tani pesë prej librave të tij “Mos më lër të shkoj”, “Dita e mbetur” “Gjiganti i fjetur”, “Artist i botës fluturake” dhe “Dritë e zbehtë mbi kodra” .
Foto nga Lorna Ishiguro
Fragmente nga libri
… ashtu si me plagët e trupit, edhe me gjërat më tronditëse mund të arrish të krijosh një lloj intimiteti.
Për shembull, tani, diçka më shtyn të mendoj se ajo që përjetova atë pasdite ishte një parandjenjë dhe imazhi turbullues që m’u shfaq në mendje, qe tërësisht i ndryshëm – ishte shumë më i gjallë e më i fortë – nga ato ëndrrat me sy hapur që na e përshkojnë ndonjëherë
imagjinatën në orët e gjata kur s’kemi me se të merremi.
…– Do të kishte qenë budallallëk i vërtetë, – vazhdoi Niki, – t’i pranoje gjërat ashtu siç qenë e të qëndroje atje ku ishe. Të paktën, u përpoqe për mirë.
…Më ndodh shpesh ta sjell ndër mend pareshtur atë imazh – time bijë, varur në dhomën e saj me ditë të tëra. Tmerri i një vegimi të tillë duket se nuk do të më venitet kurrë por, prej kohësh, e ka humbur disi karakterin e tij të kobshëm; ashtu si me plagët e trupit, edhe me gjërat më tronditëse mund të arrish të krijosh një lloj intimiteti.
…Keikoja, ndryshe nga Niki, ishte japoneze e vërtetë dhe më tepër se një gazetë u ngut ta nënvizonte këtë fakt. Anglezëve u pëlqen të besojnë që raca jonë ka një instinkt të lindur për vetëvrasje, ndaj, ndoshta, i gjykojnë si pa vend shpjegimet e mëtejshme; ja pse për Keikon u shkrua vetëm kaq, që ishte japoneze dhe që vari veten në dhomën e saj.
…Në shah duhen ndjekur strategji koherente. Kur kundërshtari ta
shkatërron një plan, nuk duhet të dorëzohesh, duhet të gjesh menjëherë një plan tjetër. Loja nuk quhet e fituar apo e humbur, kur mbreti kapet mat. Loja merr fund në çastin kur lojtari heq dorë nga strategjitë.
Titulli: Dritë e zbehtë mbi kodra
Autori: Kazuo Ishiguro
Përktheu: Gentiana Kasemi
Zhanri: Roman
Shtëpia Botuese PEGI
Koleksioni: Nobelistë
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.