Pasi historia e Dianës, 13-vjeçares nga Lezha, u transmetua të premten e kaluar në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24” shumëkush lotoi me dramën e vajzës. Ardiana ose Diana siç e quajnë shkurt shokët është nga ato vajzat që përthithin vëmendjen dhe dashurinë edhe të mësuesve apo drejtuesve të shkollës.
Kur javën e kaluar “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi drejt Lezhës, në klasën e Dianës shokët dhe shoqet thanë se Diana është një vajzë e qetë, e ëmbël, e dashur, e përkushtuar ndaj mësimeve, por ajo nuk mundet të qëndrojë për një kohë të gjatë në klasë vetëm 2 ose 3 orë mësimi, as nuk mund të luajë, për shkak se vuan nga skolioza.
Shpina e vajzës është e deformuar dhe ajo ndjen çdo ditë dhimbje.
Drejtoresha e shkollës “Besëlidhja” në Lezhë ishte në studion e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24” së bashku me nxënësit e klasës së Dianës. Dianës i ka ndodhur një fatkeqësi që i ka ngrirë buzëqeshjet, ajo ka humbur të ëmën dhe tashmë është bërë një nënë për vëllezërit më të vegjël pasi kujdeset për ta.
Vajza jeton në kushte shumë të vështira ekonomike dhe me rrëfimin e saj preku shumë zemra. Sëmundja është torturuese, por ajo ka halle të tjera pasi të vegjlit janë të pangrënë.
“Babi ka dhënë gjak për të na siguruar një pako me ushqime. Vëllezërit dalin dhe lypin, na sigurojnë ushqim. Sot kanë lypur 3000 lekë, me këto lekë do hamë darkë”, tha ajo gjatë intervistës së saj.
Elvis Naçi në studion e emisionit tha se të gjithë shqiptarët bashkë duhet të bëjmë diçka të mirë për Dianën.
Çështja e Dianës është ndjekur me kujdes të veçantë nga Elvis Naçi, i cili ka udhëtuar drejt Lezhës për t’i dhënë vajzës shpresë duke i thënë se do ta ndihmojë të kurohet.
Bashkë më të ishte edhe drejtoresha e shkollës dhe mësueset e saj, të cilat i dhuruan Dianës dhe vëllezërve të saj rroba dhe këpucë të reja.
Në një bisedë më të atin e Dianës, Naçi i tha se: “Operacioni i Dianës që kemi dëshirë të realizohet është i vështirë pasi nuk bëhet në vend apo në trojet shqiptare. Jemi duke parë në disa shtete të huaja, të cilat kanë klinika të specializuara. Kemi dëshirë që Diana të bëhet si shoqet e saj. Preokupimi yt si prind është bërë preokupimi ynë. Vajza ka dëshirë të bëhet mësuese. Duam të ketë mundësi të mësojë dhe të jetë mbështetje edhe për familjen tuaj. Jo shumë larg, ne do ta realizojmë këtë mision të madh që kemi marrë. Duam të shikojmë ditë gëzimi për të gjithë. Shpresoj që këtë mision që kemi nisur ta realizojmë”, u shpreh Naçi.
Burimi / http://www.balkanweb.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.