Turpi lidhet me moralin, me fajin e kryer, me të ndjerit keq, me dënimin. Fëmija që ka turp ndihet përgjegjës për një gabim. I turpshëm është fëmija i pasigurt se pas aktit të kryer do pranohet apo gjejë falje. Ndrojtja është fobi sociale, paaftësi për t’u socializuar, influencohet nga stilet e prindërimit dhe mjedisi rrethues. “I ndrojturi” është individi që ndodhet midis frikës dhe të qenit i padukshëm, ndjehet i veçuar apo i dukshëm, por pa vlerë.
Shpesh ndodh që në komunikimin tonë të përditshëm jo gjithmonë bëjmë kujdes në përshtatjen e terminologjive që ngjasojnë, por që mbartin kuptime të ndryshme. Ka raste kur fëmijët dëgjojnë të flitet për ta: “Është i turpshëm”, “Është pak i ndrojtur”, etj. Shumë prindër, familjarë komentojnë mbi situata të ndryshme, duke iu referuar fëmijëve si të tillë. Shpesh këto komente barasvlerësojnë njëri-tjetrin, pa reflektuar se çfarë mbartin këto nocione te fëmijët. Duke konsideruar se kur këto nocione gjejnë përdorim te fëmijët, besoj se si prindër, edukues, qytetarë që ndajmë vlera kulturore në shoqërinë që na rrethon, kemi përgjegjësi të dyfishtë për fjalët që komunikojmë. Çfarë do të thotë të jesh i ndrojtur? Po i turpshëm? Vërtet kaq të ngjashme tingëllojnë ato për t’i lënë shteg keqinterpretimit? Dikush thotë “Fjala i turpshëm ka dy kuptime”! Eshtë e drejtë, pjesërisht. Duke u nisur nga fakti se këto dy ndjesi mbartin peshë, sidomos në përdorim me fëmijët, sugjeroj të përcaktojmë përkufizimet për të bërë diferencimin në kuptimin që manifestojnë ato vetë.
Përkufizime të dy termave:
1. Turpi: Turpi lidhet me moralin, me fajin e kryer, me të ndjerit keq, me dënimin. Fëmija që ka turp ndihet përgjegjës për një gabim, i cili e ka veçuar atë nga shoqëria, motrat, vëllezërit, etj. I turpshëm është fëmija i pasigurt se pas aktit të kryer do pranohet apo gjejë falje. Sipas psikologëve Donald L. Mosher dhe Barbara B. White nga Universiteti i Connecticut, në jetë, ndërsa hasemi me situata që mbartin turp në krahasim me ndrojtjen, të ndjerit në turp e kanë cilësuar si një eksperiencë shumë të parehatshme që lidhet ngushtë me stresin, zemërimin, fajin, në krahasim me ndjesinë e ndrojtjes.
2. Ndrojtja: Është fobi sociale, paaftësi për t’u ocializuar, influencohet nga stilet e prindërimit dhe mjedisi rrethues. “I ndrojturi” është individi që ndodhet midis frikës dhe të qenit i padukshëm, ndjehet i veçuar apo i dukshëm, por pa vlere. Ndrojtja ka kosto, sidomos në kulturat perëndimore, ku individi vlerësohet për të qenit i lirë në veprim dhe fjalë. Por cilat janë pasojat e ndrojtjes? Njeriu i ndrojtur është i pasigurt për të krijuar miqësi të re. Për më tepër, njerëzit e ndrojtur prezantohen si njerëz të painteresuar për ngjarjet apo njerëzit që i rrethojnë. Problemi kognitiv në këtë aspekt lidhet me paaftësinë e të qenit i kthjellët në mendime. Duhet theksuar se ndrojtja nuk prezanton karakterin e individit, por temperamentin e tij, prandaj ajo është më e theksuar te individët me personalitet introvers. Psikologjia kulturore reflekton mbi rolin e kulturave në fenomenet jetësore. Kjo fushë sugjeron se duhet të marrim në konsideratë që në kultura të ndryshme fjala turp jo gjithmonë mbart influencë negative. Për shembull, në Japoni të ndjerit i turpshëm ka tendencën pozitive dhe shpesh promovohet nga kultura. Japonezët përdorin dhe një thënie që e kanë si tabu, e cila thotë: “Njeriu që nuk e njeh turpin është njësoj si të ishte i pandjeshëm dhe ‘lëkurëtrashë’”. Pra, turpi në këtë shoqëri ka vlera funksionale. Përsa i përket vendit tonë, shpesh kur themi i turpshëm duam realisht të themi i ndrojtur. Nuk duhet lënë pas dore fakti se vajzat e turpshme shpesh janë vlerësuar në kulturën tonë. Faktikisht, ato thjesht kanë qenë të ndrojtura dhe jo “në turp”. Kur flitet për fëmijët, shpesh prindërit bëjnë gabime kur konkludojnë që fëmija e tyre nuk ka prirje për një talent apo tjetrin. A marrin ata në konsideratë që ai fëmijë mund të jetë i ndrojtur? Atëherë, nëse është kështu, ç’mund të bëjmë për ta ndihmuar atë? Zgjidhja e këtij shqetësimi është besimi te vetja dhe te të tjerët. Ndrojtja luftohet në mirëbesim. Psikologët sugjerojnë të inkurajohen fëmijët në hapat e tyre, qoftë dhe të vegjël, duke theksuar pozitiven në aktivitetet e tyre. Thuhet se izraelitët janë kombi më pak i ndrojtur. Kjo, sepse stili kulturor i prindërimit ka në fokus inkurajimin e fëmijës.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.