Është Festa e Gruas, e megjithatë janë të shumta ato që besojnë se fjala dashuri ka dhe dhunë dhe pakënaqësi brenda saj. Ka femra që janë të përfshira në një rreth vicioz, me pak vetëbesim e me trauma të bartura, të cilat mendojnë se gjithçka që u ndodh e meritojnë. Por, nuk është kështu. Kemi përzgjedhur 4 hapa që duhet t’i merrni në konsideratë për të mësuar si të doni veten.
E quajnë “seks i dobët”, por pa ndonjë arsye të veçantë. Me shumë gjasa, shoqëria jonë e lidh bukurinë, mirësinë, dedikimin, dëshirën për të dhënë e marrë dashuri, mbrojtjen me diçka të brishtë, të dobët, të thyeshme. Sa gabim! Dhe sa gabim kur kuptojmë se aktet më mizore, më të padrejta të dhunës i bëjnë pikërisht kundrejt ‘më të dobëtave’. Qenia e parë me të cilin secili prej nesh hyn në kontakt është femra, nëna. Prej saj mësohet dhe merret e mira, ngrohtësia, dashuria. Dhe tek ajo vrapojmë gjithmonë.
Vërini kufij frikës
Femrat kanë kurajë dhe forcë në sasi të pamatë, e megjithatë shpesh kanë pothuajse frikë të dallojnë se çfarë është më mirë dhe më e drejtë për to. Të përballeni me realitetin shpesh është një gjë e mundimshme dhe e dhimbshme, prandaj të merrni disa vendime që mund t’ju lëndojnë realisht nuk është dhe aq e lehtë. Në fakt, vendimet e duhura rrallëherë na bëjnë të lumtur. Por kur shfaqet arroganca, dhuna, mungesa e taktit dhe e respektit për t’ju shkatërruar shpirtin, nuk mund të qëndroni pa lëvizur.
Mos prisni që gjërat të ndryshojnë, ose më keq akoma që ai – përbindëshi i radhës – të ndryshojë. Njerëzit nuk ndryshojnë, ata shfaqen siç janë realisht. Instinkti ju dërgon sinjale mjaft të qarta, të sakta, menjëherë. E nëse që me të sharën e parë, me shpullën e parë, ju kalon në mendje që të ktheni dhe faqen tjetër, të nënshtroheni, të justifikoni, dijeni se jeni duke bërë gabimin më të madh të jetës suaj. Secili prej nesh lind me dy jetë: e dyta fillon kur kuptojmë se kemi një dhe vetëm një jetë.
Dashuria nuk është kurrë dhunë
Për këtë arsye mos prisni, mos shtyni për më vonë, mos justifikoni. Dashuria nuk është kurrë dhunë. Dhe nëse dhuna brenda mureve të shtëpisë, ju duket se është pjesë e jetës në çift, dijeni se nuk ka asgjë më të gënjeshtërt e të gabuar. Padrejtësia, e keqja dhe anomalia po bëhen gjithnjë e më “normale”. Nëse secila femër, fillon e rebelohet ndaj pakënaqësisë, me shumë gjasa është duke jetuar në një shoqëri më të drejtë e më të sjellshme.
Kini kurajë, për dashurinë, për veten dhe sidomos për vullnetin për të rimarrë dinjitetin tuaj. Mos kini frikë të denonconi, të largoheni, të hidhni pas krahëve dikë që nuk ju jep dashuri, sepse nuk ka dhe nuk e di se çfarë është ajo. Mjaft u ndjetë sikur jeni në gabim, sikur jeni të papërshtatshme dhe gërrnjare. Nuk jeni duke kërkuar hënën. Jeni duke kërkuar atë që njerëzisht na bën të pavdekshëm: dashurinë. Kjo fjalë është gjithçka, është jeta. E kundërta e fjalës “dashuri”, në fakt është fjala “vdekje”. Në latinisht fjala “amors” (dashuri) do të thotë “pa vdekje” (a-mors).
Pra, si mund të përcaktohet një jetë pa dashuri, përveçse me emrin vdekje?! Kur nuk jeton një marrëdhënie të shëndetshme në çift, të bazuar te dashuria e vërtetë e reciproke, në njëfarë mënyre vdes më shpejt e më thellësisht se sa të tjerët. Jemi bërë për të dashuruar, dhe jo për t’u dhunuar. Të gjithë ne i kemi ditët e numëruara – edhe pse duket se shumë njerëz e kanë harruar këtë fakt – dhe është pikërisht për këtë gjë që është e nevojshme të shijojmë çdo çast, para se të jetë tepër vonë.
Si të doni veten
Merrni në konsideratë katër pikat e mëposhtme dhe mos prisni vetëm 8 Marsin – festën e femrave, por zgjidhni që ta doni veten shumë më tepër nga sa keni bërë deri tani:
Nuk keni asnjë faj. Kushdo që është viktimë e dhunës fizike apo psikologjike, në asnjë rast nuk duhet ta konsiderojë veten faj-tore ose që meriton kaq shumë veprime çnjerëzore. As ju nuk bëni përjashtim nga ky rregull.
Mos e ktheni kokën pas. Mos u gënjeni nga nostalgjia e asaj që ndoshta mund të kishte qenë lidhja juaj. Mos i krijoni vetes iluzionin se ndoshta një lidhje e dhunshme, me kalimin e kohës, mund të bëhet më e mirë. Nuk mund të jetë asgjë më e mirë se më parë, sepse në të kundërt do të kishte qenë një lidhje e bukur, me ndjenja dhe e shëndetshme.
Mendoni për fëmijët. Mos qëndroni aty ku jeni “për të mirën e fëmijëve”. Kujtoni se fëmijët që jetojnë me një përbindësh sot, do të jenë përbindëshat e së nesërmes.
Filloni menjëherë një kapitull të ri. Nuk është asnjëherë shumë vonë për ta bërë ekzistencën tuaj pjesën më të mirë dhe më të bukur të jetës suaj. Kemi lindur për të jetuar, jo për të mbijetuar.
GËZUAR FESTËN E GRUAS, SOT DHE TË GJITHA DITËT E TJERA!
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.