Po ti, a je një femër “me forma”? Mirë, atëherë mëso ta duash trupin tënd ashtu siç është! Asnjeri nuk është i përkryer! Edhe pse mund ta kesh pak vështirë ta besosh, edhe modelet janë të frustruara dhe të pakënaqura me trupin e tyre. Kështu që, e dobët ose e mbushur, pakënaqësitë nuk do të zhduken asnjëherë! Kanalizoje energjinë negative drejt qëllimeve pozitive. Nëse i jep aq shumë rëndësi pamjes fizike dhe ndihesh e kompleksuar me trupin tënd, atëherë ka ardhur koha të bësh diçka në këtë drejtim. Kërkoji mikeshës më të ngushtë ose partnerit, që të jetë instruktori yt gjatë procesit të ndryshimit. Ke nevojë për dikë që të të japë zemër dhe të të ofrojë mbështetje. Kur nuk je vetëm e ke më të lehtë të qëndrosh larg tundimeve, por më e rëndësishme është të mbash premtimet sidomos kur bie fjala te regjimi ushqimor. Qëndro larg dietave “mrekulli”, të cilat premtojnë dobësim në kohë rekord. Edhe nëse do të ishte kështu, menjëherë pas dietës shfaqet efekti yo-yo, në mbarim të së cilës do të marrësh pa dyshim dyfishin e peshës që ke humbur. Nëse je një person me këmbë në tokë e di se ndryshimet, për më tepër ato të qëndrueshme, nuk arrihen nga një ditë te tjetra! Dështimi i këtyre dietave do të të bëjë të ndihesh akoma më e zhgënjyer dhe do të të ndalojnë të provosh përsëri. Gjej një “këshillues” ose më shumë! Mund të jenë të afërm apo persona nga bota e showbizit. Bisedo me dikë, i cili ka arritur të ndryshojë mënyrën si e sheh jetën dhe i ka pranuar format e rrumbullakosura të trupit. Për shembull, Christina Hendricks është një aktore shumë e vlerësuar, e cila ka një trup larg normave të standardizuara të bukurisë, por ia ka dalë falë talentit dhe sharmit së saj.
Njihi dhe pranoji cilësitë që ke!
Askush nuk di të pranojë një kompliment dhe ta përvetësojë ashtu siç duhet. Është shumë e rëndësishme t’ia njohësh vetes cilësitë dhe të besosh në fuqinë e tyre. Mund të të ndihmojnë aty ku forma fizike nuk mundet. Kështu që mund të jesh një femër e njohur për sharmin dhe jo për trupin me masa 90-60-90. Njerëzit rrinë pranë teje falë zgjuarsisë dhe humorit, jo sepse vesh dekolte të hapur.
Mos e fshih më trupin!
Kërko një ndihmë të specializuar për të krijuar një gardërobë, e cila i shkon për shtat trupit tënd. Mëso çfarë prerjesh “fshehin” format, çfarë ngjyrash të shkojnë dhe çfarë dizenjosh duhet të evitosh. Të kujtohet tmerri që shkaktoi Kim Kardashian te nata e çmimeve MET 2013, kur u shfaq e veshur me një fustan me dizenjo me shumë lule, i cili e bënte të dukej më e mbushur nga ç’ishte në të vërtetë?
Përvetëso një mënyrë jetese të shëndetshme – pa teprime, por edhe pa kufizime të shumta.
Mundohu të jesh gjatë gjithë kohës në lëvizje, pa u sfilitur. Mbushe mendjen me mendime pozitive dhe largoji komplekset e inferioritetit. Komplimentoje veten çdo ditë dhe cakto qëllime të arritshme. Bëje çdo gjë me kënaqësi për të pasur rezultatet e dëshiruara. Duaje veten dhe do të shohësh se edhe të tjerët do të të duan!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.