Çdo njeri do që të jetë i suksesshëm. Sigurisht, përkufizimi juaj për suksesin mund dhe duhet të jetë i ndryshëm – sepse suksesi duhet të nënkuptojë gjëra të ndryshme për secilin prej nesh. Por, megjithatë, ne të gjithë duam të jemi të suksesshëm, pavarësisht se çfarë zgjedhim të bëjmë.
Por sa herë që shkruaj se si suksesi perceptohet nga njerëzit e tjerë – si në aspektin e përpjekjeve, si në aspektin e orëve të shpenzuara në punë – marr email-e nga lexues të indinjuar: “Po balanca punë – jetë?” – pyesin disa. Të tjerë thonë: “Punoni me zgjuarsi, mos punoni shumë”. Për fat të keq, ju nuk mund t’i keni të dyja këto.
Në një anë, ne flasim për njerëz të cilët kanë punuar fort dhe kanë arritur sukses të pabesueshëm. Ata janë ikona.
Merrni për shembull sipërmarrës të suksesshëm. Bill Gates flinte shumë pak; kurrë nuk i ndryshonte veshjet; kurrë nuk bëri gjë tjetër veçse të merrej me manovra dhe strategji. Në një industri në të cilën punojnë pafund njerëz inteligjentë – ku zgjuarsia ishte dhe është diçka e rëndomtë – ai u ngrit në majë duke punuar shumë fort.
Marc Cuban (biznesmen amerikan, investitor, personazh i njohur televiziv, zotëron skuadrën e basketbollit Dallas Maveriskc) nuk bëri pushime për shtatë vjet me radhë kur themeloi kompaninë e tij të parë.
Elon Musk (biznesmen, investitor, inxhinier) thotë: “Ju duhet të punoni 80-100 orë çdo javë. Nëse njerëzit e tjerë punojnë 40 orë në javë, dhe ju 100 orë në javë, atëherë, edhe nëse po punoni mbi të njëjtin projekt, ju do ta përfundoni atë në katër muaj dhe jo në një vit.
Të gjitha këto histori tingëllojnë të ngjashme. Le të flasim për njerëz të suksesshëm në profesione të tjera. Jeffrey Immelt (biznesmen amerikan) sot CEO i General Electric, punoi 100 orë në javë për 24 vjet me radhë. Në një kompani ku punojnë njerëz të pasionuar pas punës së tyre – ku një makinë e mrekullueshme është diçka e zakontë, ai punoi shumë fort për t’u ngjitur në majat e saj.
Hidhemi në fushën e sportit. Harrojeni praktikën, kushtëzimet dhe gjithçka tjetër. Peyton Manning (qendërmbrojtës në futbollin amerikan – National Football League) u bë i famshëm vetëm se u stërvit shumë (në një sport ku spikasin mjaft sportistë të talentuar – ku dhe sportist i talentuar është diçka e zakontë).
Të punuarit shumë i ka shpërblyer të gjithë ata. Tani disa njerëz do të mendojnë se kjo gjë nuk do të funksionojë për ta.
Ndoshta për shkak të mendimit “punoni me zgjuarsi”?
Duhet theksuar se njerëzit e suksesshëm punojnë me zgjuarsi. Ata nuk punojnë në mënyrë joeficiente dhe joefikase.
Për sa i përket suksesit, të punuarit me zgjuarsi është dhunti. Njerëzit e suksesshëm punojnë me zgjuarsi dhe punojnë shumë.
Përpjekjet e tyre janë heroike dhe fitimet e tyre shpesh stratosferike.
“Prisni” – do të thoni. – “Fati luan një rol të madh në sukses, po ashtu edhe koha, si dhe faktorë të tjerë”. Keni të drejtë. Por ju nuk mund ta kontrolloni fatin. Nuk mund ta kontrollosh kohën. Nuk mundesh dot gjithnjë të kontrollosh gjithë këta faktorë.
Por çfarë mund të kontrolloni gjithnjë? Se sa mund të punoni.
Le të përsërisim edhe një herë, çdo njeri e përkufizon suksesin në mënyrë të ndryshme, dhe është e drejtë kështu duhet të bëjnë të gjithë. (jam plotësisht dakord me ju nëse do ta përkufizonit suksesin me ekuilibrin dhe marrëdhëniet personale dhe aspak në lidhje me punën). Por nëse do t’ju duhej ta përkufizoni suksesin në një mënyrë më tradicionale, si për shembull suksesi profesional, pasuria dhe fama – duhet të vëmë një shenjë barazimi me të punuarit shumë.
Ndoshta ju nuk jeni aq i zgjuar sa të tjerët. Ndoshta nuk keni dhe aq shumë talent. Por ju mund të mbështeteni gjithnjë në guximin, përpjekjen dhe këmbënguljen tuaj. Gjithë këto përpjekje do t’ju sigurojnë përvojë dhe njohuri të reja.
Ju mund, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë, të punoni më shumë se te tjerët. Doni të bëni ndryshimin? Të punuarit shumë mund të jetë ndryshimi i menjëhershëm.
Bëjini “punoni shumë” fjalët tuaja të dashura, në punë, në shtëpi, në martesën tuaj, apo kudo që do t’ju çojë përkufizimi për suksesin.
Në këtë mënyrë. ju asnjëherë nuk do të ktheni kokën pas e të pyesni veten se çfarë do të kishit arritur nëse do të kishit punuar më shumë.
*Jeff Haden
Burimi: INC/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.