Psikofakt

August 27, 2016 | 8:40

Dy fytyrat e gënjeshtrës

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Psikologët dhe, në veçanti, pedopsikiatrët flasin për rolin e rëndësishëm që luan gënjeshtra në zhvillimin e fëmijës si qenie sociale. Fillimisht fëmija trillon, pra, sajon gjëra e dukuri të pazakonta, thjesht për të tërhequr vëmendjen e shokut, për t’u bërë interesant në sytë e tij. Pastaj, më vonë, në të njëjtën vazhdë, nis e bën sikur, pra, fillon të luajë një rol, edhe kjo pa asnjë qëllim të keq, thjesht për t’u zbavitur. Mirëpo nuk vonon dhe ai kërkon të bashkohet me dikë për ta luajtur atë rol në kurriz të një të treti dhe, në këtë moment, fillon dredhia; oh, fillimisht kjo dredhi është e pafajshme, në sytë e një të rrituri ajo është madje e padjallëzuar, e trashë, e qepur me pe të bardhë.

Normalisht prindërit duhet të shqetësohen nëse fëmija nuk u kalon nëpër këtë fazë shumë të rëndësishme për shoqërizimin e tij të mëtejshëm. Në fund të fundit, shumë përralla, sidomos ato me magjistarë e magjistrica (përfshirë Kësulëkuqen, Borëbardhën e Hirushen) përmbajnë elemente fantastike, pra gënjeshtra; pastaj, a nuk është i gënjeshtërt vetë Plaku i Vitit të Ri? Kjo është njëra fytyrë e gënjeshtrës, të cilën e shpalosin shumë vepra artistike, p.sh. “Peter Pani” si libër dhe si film, por edhe “Komedia Hyjnore” e Dantes. Për të tilla gënjeshtra të dobishme kemi nevojë të gjithë, të vegjël e të mëdhenj. Ja çfarë shkruante lidhur me këtë frëngu Anatole France para gati një shekulli: “(…) e dua të vërtetën. Besoj se njerëzimi ka nevojë për atë, por (…) ai ka nevojë edhe më shumë për gënjeshtrën që e miklon, e ngushëllon, i jep shpresa të pafund. Pa gënjeshtrën, ai do të vdiste nga dëshpërimi e nga mërzia”. Punët vijnë e ngatërrohen kur gënjeshtra pushon së qeni kjo që sapo përmendëm dhe shfaq fytyrën e saj të dytë, atë të grimuarën me kremrat e dredhisë e të pabesisë, pra, të mashtrimit të vetëdijshëm me synim të qartë përfitimesh të padrejta, të pamerituara dhe, çka është më e keqja, në dëm të tjetrit. Kjo lloj gënjeshtre, që kurorëzohet me mashtrim, vihet re jo vetëm te njeriu, i cili mashtron si me fjalë, ashtu edhe me vepra; ajo vihet re, në trajtën e dredhisë, edhe te veprimet e disa kafshëve (primatët, dhelpra etj). Gënjeshtra e këtij tipi bie në sy sidomos te mikrostruktura shoqërore të tilla si çifti, familja dhe rrethet e ngushta. Frëngu Marcel Proust e shpjegon kështu këtë dukuri: “Gënjeshtra është thelbësore për njerëzimin. Ndoshta ajo luan një rol po aq të rëndësishëm sa kërkimi i kënaqësisë dhe, nga ana tjetër, udhëhiqet nga ky kërkim. Ne gënjejmë për të mbrojtur kënaqësinë ose nderin tonë, nëse bërja publike e kënaqësisë bie në kundërshtim me nderin. Ne gënjejmë gjatë gjithë jetës, madje sidomos, ata që na duan dhe ndoshta vetëm ata. Ç’është e vërteta, vetëm ata na bëjnë të trembemi se mos nuk e përjetojmë më kënaqësinë tonë dhe e humbasin respektin që kanë për ne”. Gjithsesi, gënjeshtra më e neveritshme, kjo e llojit të dytë, e ndjekur detyrimisht nga një mashtrim po aq i neveritshëm, shfaqet në politikë, ku dallohen dy lloje gënjeshtaromashtruesish: makiavelistët në metodologji dhe makiavelistët në doktrinë. Prandaj D’Alembert-i, filozof frëng i shekullit XIX, e quante politikën “l’art de tromper les gens” (arti i të mashtruarit të njerëzve).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top