Lifestyle

December 11, 2015 | 10:12

E hirshme si Eranda Libohova

Brune me tipare të qarta, flokë të errët dhe sy që depërtojnë thellë. Një imazh i kuruar, por mbi të gjitha me një kombinim perfekt të buzëqeshjes karakteristike të artistes, e cila e përçon nga brendia shpirtin e saj human dhe dashamirës për gjithçka e rrethon. Këngëtarja, me një zë të admirueshëm, e cila ka ngjitur skenën qysh në fëmijëri, motra e të famshmes Irma Libohova, vjen në këtë rrëfim për të na treguar stilin e saj të veshjes, kodin në përditshmëri apo evente të ndryshme që organizohen në mjediset artistike. Të qenit e pasionuar pas luleve, larmisë që prej vitesh janë botë e kopshtit të saj në shtëpinë private, ngjyrave dhe dekorin kombinues pas të cilave është e marrosur, ajo ndihet gjithaq e frymëzuar edhe për stilin e saj të të veshurit. Stil i cili ndërthuret mes natyrës personale dhe konsulencës së vyer të mikeshave të saj më të mira. Ato janë stilistja Rezarta Skifteri, …. Jonida Maliqi etj.

Të qenit personazh publik nuk e kushtëzon aspak në veshje. Ajo i jep rëndësi vendit por edhe kodit të veshjeve sipas ambientit. “Dikur” thotë Eranda, “isha e prirë pas ngjyrave të forta dhe me dritë. Ndërsa sot duke iu përshtatur edhe trendeve të kohës jam te ngjyrat e tokës, nude. “Më pëlqejnë përgjithësisht veshjet që më shkojnë përshtat me personalitetin tim, natyrën time”, edhe pse nga ky takim, duhet ta falënderojmë Erandën, e cila iu përshtat natyrës së shkrimit, duke preferuar modën më të fundit. Një bruneje si Eranda padyshim që e bardha dhe jeshilja janë dy ngjyrat më të goditura, por ajo preferon që këto nuanca t’i ketë ekskluzive në qarqet artistike ku merr pjesë apo festat e organizuara si brenda dhe jashtë kufijve. E në këtë hapësira këpucët, apo sandalet sipas sezonit, janë një detaj tepër i rëndësishëm për artisten. “Preferoj takat e larta” më thotë e buzëqeshur, duke nënkuptuar gjatësinë e saj, edhe pse ato i zgjedh vetëm për eventet e rëndësishme. Ndërkaq përditshmëria për Eranda Libohovën janë këpucët sportive të sheshta, komode për t’i dhënë sa më lehtë makinës. Në kumtin e të qenit person publik, duket se Eranda është asfare e komentuar për veshjet e saj. Me pak fjalë, bën gjithnjë zgjedhjet e duhura e godet mesa duket edhe falë këshillave të mikeshave që përmendëm. Por edhe nëse do të ndodhte, për këngëtaren asgjë nuk prish punë. Nuk ia vrasin fare veshin. Sa i takon radhës së shpenzimeve, edhe pa qenë absolut nevoja e trendeve, Eranda pohon se “preferoj markat cilësore kur është e udhës t’i kem në gardërobë, ndërsa peshoj edhe nga thjeshtësia. Spontaniteti ka vendin e vet. Blerjet i bëj në qendra tregtare, dyqane të ndryshme në Tiranë, pa më kushtëzuar domosdoshmërish firma apo ekskluziviteti”.

Për këngëtaren e mirënjohur, veshja është jo thjesht kurimi i imazhit, por mbi të gjitha një raport mirëqenieje që ajo krijon me veten. “Rritet adrenalina, ka siguri dhe qetësi për të qenë sa më këndshëm artistikisht në skenë dhe jo vetëm”. Me veshjen, vend të veçantë zënë dhe aksesorët. Një nga më të preferuarit e Erandës janë syzet. I ruan ato si sytë e ballit, jo maniake e të shpenzuarit të tepruar me to, ama një praktikuese e rregullt sa i takon përkujdesjes që duhet të tregojë. Modelet përgjithësisht i zgjedh sipas fizionomisë së fytyrës, por asnjëherë pa marrë këshillën e mjekut okulist. Kjo e fundit ka shumë rëndësi për të dhe kurrë nuk duhet anashkaluar, të paktën një herë në vit. Shënimet e ndryshme mediatike thonë se shumë personazhe publikë i përdorin syzet jo vetëm për mirëqenie, por edhe për të fshehur veten në ambiente publike. Për Erandën, një situatë të tillë kurrë nuk ia ka sjellë rasti ta bëjë. Kjo sepse siç thekson ajo “është mungesë etike, sidomos në ambiente të mbyllura. Me të drejtë nisur nga ajo që pohoni, edhe unë kam ndeshur “VIP-a” shqiptarë që maskohen në ambiente të mbyllura. Kurrë nuk ka ndodhur me mua, dhe as ka për të ndodhur”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top