Të flasësh për etikën dhe moralin në një shoqëri, e dalë nga izolimi e që prej dy dekadash e gjysmë rreket të gjejë forca për t’i përballuar në mënyrë të njëkohshme sfidat e tranzicionit, përpjekjet për të dalë nga vendi më i varfër i Europës dhe sfidën për anëtarësim në Bashkësinë Europiane, kërkon një lloj kurajoje profesionale. Këto sfida të shumëfishta ndikuan mjaft në strukturimin e psikës sociale të shoqërisë sonë, gjë që shtroi nevojën e një njohjeje të thelluar dhe të vazhdueshme të saj. Edhe pse teoria të vjen në ndihmë, shpesh në praktikë ndodh që zhvillimet nuk u përgjigjen rregullsive që përcakton literatura. Konkretisht, në këtë periudhë morali dhe etika janë ndier të kërcënuara nga ajo që nuk është etike e që nuk është e moralshme. Për shembull, shpeshherë bashkëpunimi dhe respekti reciprok mes qytetarëve, vlerat e së mirës dhe të bukurës, e mirësjelljes janë kërcënuar dhe thyer në atë pikë sa kanë krijuar dukuri mjaft shqetësuese. Në këto 25 vite pluralizëm, segmente të ndryshme të shoqërisë sonë u përfshinë nga ndryshimet e panumërta që filluan nga agjencitë parësore, siç janë familja si qeliza bazë e shoqërisë dhe kushtetuta si dokumenti themeltar i shtetit dhe rregullatori i raporteve të qytetarëve, e për të vazhduar me ato dytësoret. Shkolla, media, besimi fetar, puna etj., tashmë duhet të kontribuojnë sipas kërkesave që ka shoqëria në kushtet e reja. Eksperti i çështjeve shoqërore në Shqipërinë rurale dhe të zonave të vogla urbane është thuajse i papranishëm. Mungon kultura e kërkimit të shërbimit, vlerësimi i rëndësisë që ka ekspertiza dhe shteti nuk kryen funksionin social, edhe pse e ka atë detyrim përmes institucioneve të pushtetit vendor. Edhe ajo ekspertizë që jepet është kryesisht falë OJF-ve, por që, sidoqoftë, është e pamjaftueshme. Megjithatë kontaktet e drejtpërdrejta me komunitetin, vëzhgimet dhe intervistat që zhvillojmë me individë të ndryshëm na ndihmojnë të krijojmë një tablo të sjelljes komunitare dhe ndërpersonale, mbi të cilat mund të flasim për etikën dhe moralin sot. Nga një shoqëri homogjene dhe e thjeshtë ku jeta rregullohej dhe drejtohej, nga një kod tradicional etike dhe morali komunist, në Shqipëri u kalua në një shoqëri heterogjene, ku etika paraqet ndërthurjen e tradicionales me bashkëkohoren dhe morali është ai i një shoqërie të lirë dhe demokratike që mbështetet mbi vlera dhe norma të tjera, të ndryshme nga ajo që kishim trashëguar. Zhvendosjet e popullatës nga fshati drejt qytetit, nga qyteti drejt kryeqytetit, nga qytetet e vogla në qytetet e mëdha, nga periferia drejt qendrës, e së fundmi zhvendosja nga qendrat e qyteteve drejt fshatrave përreth, e vendosën shoqërinë në kushtet e marrëdhënieve të reja ndërpersonale. Në kryeqytet, ku banon një e treta e popullsisë së vendit, qytetarët komunikojnë pak, rastësisht dhe shkurt. Në periferitë e qyteteve tona, në të ashtuquajturat “fshatra urbanë” zakonisht qytetarët ndjekin të njëjtat norma dhe vlera që mbartin me vete nga zonat e origjinës, duke ruajtur mes tyre solidaritetin, edhe pse të sfiduar nga indiferenca tipike urbane. Ndërkohë që në fshatrat tona, edhe pse të zbrazura në masën 30% të tyre, lidhjet mes individëve janë njerëzore e të thjeshta, morali i përbashkët që drejton jetën është reciprociteti dhe bashkëpunimi, gjë që bën që popullsia në këto zona të gëzojë etikë në raporte ndërpersonale, duke dhënë një shembull mbi mënyrën sesi ndiqet sjellja e mirë. Morali dhe etika shpesh ngatërrohen me njëra-tjetrën dhe shihen si sinonime, por e para që na vjen në ndihmë në të kuptuarit e dallimeve mes tyre është etimologjia e fjalës. Morali vjen nga gjuha latine dhe nënkupton (moralis) një mesazh apo një mësim që individi apo shoqëria e përfton prej një historie apo prej një ngjarjeje. Ndërkohë etika vjen nga gjuha greke dhe përfaqëson një shpjegim racional rreth mënyrës sesi sillen njerëzit. Ndërkohë që morali lihet në dorën e pjesëtarëve të një shoqërie të bëjë përcaktimin sipas opinionit vetjak, por mbështetur mbi ato norma dhe vlera që shoqëria i merr si të mirëqena dhe të pranuara nga të gjithë, etika kërkon t’u japë edhe një shpjegim dhe arsyetim logjik atyre. Në kushtet e një shoqërie të thjeshtë, larg industrializimit siç është ajo rurale, raportet mes njerëzve rregullohen të mbështetura mbi moralitetin e veprimeve që kryejnë, ku e mira dhe e keqja është një sfidë e vazhdueshme. Angazhimi i ndërsjelltë mes individëve, detyrimi moral që kanë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve në një shoqëri rurale bën që ata ta ndërtojnë jetën shoqërore mbështetur mbi atë etikë që duke bashkuar forcat, ndihmon vetveten duke bërë vlerësimin e së mirës. Pikërisht kjo mungon në sjelljen shoqërore në zonat urbane, ku njerëzit nuk udhëhiqen nga parimet e bashkëpunimit për të parandaluar apo luftuar atë që është e keqe, gjë e cila bën që jeta shoqërore në zonat urbane të jetë më pak civile dhe më e ashpër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.