Qeshja është një aspekt i të cilin studiuesit po e lidhin gjithnjë e më shumë me mjekësinë. Jo pa shkak është shpikur edhe termi “Terapia e qeshjes”, për të treguar fuqinë e pafundme shëruese të këtij burimi të jashtëzakonshëm që i ka efektet në mirëqenien e shëndetit tonë fizik e mendor dhe që na jep një ndihmë shumë të madhe në marrëdhëniet shoqërore. Mjeku amerikan i njohur me emrin Patch Adams u bë nismëtari i kësaj terapie. Ai futi atë edhe në spitale, ndërkohë që krijoi institutin “Gesundheit” në West Virginia, ku pacientët kurohen krejtësisht falas. Përveçse është “ngjitëse” dhe e parezistueshme, e qeshura shkakton një efekt dominues gëzimi dhe kënaqësie, gjë që sjell një sërë ndryshimesh fizike në trup dhe njëkohësisht vepron edhe pozitivisht në gjendjen e humorit, duke favorizuar kështu një lloj ekuilibri midis trupit dhe mendjes.
E qeshura i bën mirë shëndetit fizik
Qetëson trupin – Gjatë së qeshurës aktivizohen grupe të ndryshme muskulore, që relaksohen në momentin kur pushon së qeshuri. Kjo gjendje qetësie mund të zgjasë për rreth 45 minuta. Kështu, një e qeshur e fortë rrit tensionin muskulor dhe zvogëlon stresin fizik.
Forcon sistemin imunitar – Kur qeshim, rritet shtimi i nivelit të antikorpeve (imunoglobina) në qarkullimin e gjakut. Shtimi i këtyre mbrojtësve imunitarë e ruan organizmin nga një sërë sëmundjesh të shkaktuara nga viruset, bakteret dhe mikro-organizmat si bronkiti, i ftohti, alergjitë etj.
Vepron në sistemin e frymëmarrjes – Gjatë së qeshurës, frymëmarrja bëhet më e thellë. Në këtë mënyrë shtohet aftësia e mushkërive dhe shtohet niveli i oksigjenit në gjak. Për këtë arsye, e qeshura përdoret edhe si terapi për ata që vuajnë nga astma, bronkiti dhe emfizema.
Ul ndjenjën e dhimbjes – Gjatë të qeshurës trupi ynë çliron beta-endorfinën dhe katekolaminën, të cilët janë elementë analgjezikë natyralë që veprojnë si qetësues të përkohshëm ndaj dhimbjes duke na dhuruar një ndjenjë mirëqenieje.
Vepron në sistemin kardiovaskular – E qeshura nëpërmjet frymëmarrjes së thellë shton frekuencën kardiake dhe ul tensionin e gjakut. Ky është një ushtrim për zemrën që e ndihmon për t’u ruajtur nga një atak kardiak, si dhe nga probleme të tjera kardiovaskulare, edhe pse gjatë të qeshurës arteriet dhe venat janë më të zmadhuara.
Stërvit muskujt – Gjatë qeshjes lëvizin rreth 80 muskuj të ndryshëm, ndër të cilët 15 janë muskuj të fytyrës. Për këtë arsye, e qeshura nënkupton një ushtrim fizik të mirëfilltë për të gjithë trupin. Nga një studim i bërë është arritur në përfundimin se 100 të qeshura në ditë janë të barabarta me 10 minuta vrap apo stërvitje me qira. Duke qeshur, tonifikohen muskujt e fytyrës dhe për rrjedhojë përfitojmë një efekt rinues e njëkohësisht kontraktohen dhe tonifikohen edhe muskujt e barkut dhe ato të shpatullave. Veç të tjerash, kontraktimi i muskujve të barkut gjatë të qeshurës vepron edhe si masazh për organet e brendshme si mëlçia dhe zorrët, duke përmirësuar kështu funksionet e tyre, plus që lufton edhe kapsllëkun.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.