Tashmë, të gjithë studiuesit kanë arritur në një përfundim të përbashkët, që e qeshura është një ilaç i fuqishëm kundër stresit dhe ankthit dhe që shërben në të njëjtën kohë pozitivisht për humorin dhe marrëdhëniet shoqërore. Buzëqeshja është një nga mënyrat që përdorim më tepër për të komunikuar, për të joshur apo për të thyer akullin.
Përmirëson humorin – Buzëqeshja dhe qeshja nënkupton aktivizimin e të gjitha ndjenjave pozitive, që janë pika kyçe për të dhënë maksimumin nga vetja në situata të ndryshme. Të qeshurit na bën të ndihemi mirë, dhe kjo ndjesi harmonie na shoqëron edhe kur pushojmë së qeshuri. Harmonia na ndihmon të kemi sjellje pozitive dhe optimiste për të përballuar situata të vështira (trishtimin, dhimbjen, zhgënjimin), sepse na ndihmon të ndihemi më mirë dhe të gjejmë forcën, kurajën dhe shpresën për t’ia dalë mbanë. Gjithashtu, e qeshura na ndihmon të largojmë ndjenjat negative, sepse njëkohësisht nuk mund të qeshim dhe të jemi të trishtuar, plot ankth apo të inatosur.
Ul stresin dhe ankthin – Një e qeshur na ndihmon të qetësohemi jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, për shkak se ulet niveli i kortizolit (hormoni i stresit) në gjak dhe na bën të ndihemi menjëherë më të qetë. Sipas Frojdit, një e qeshur është si një “teshtitje mendore”, na lejon të shkarkojmë të gjitha tensionet e grumbulluara.
Ndryshon këndvështrimin – Mund të duket e çuditshme, por është e vërtetë: një e qeshur na ndihmon të kemi një vizion të ndryshëm ndaj gjërave, sigurisht më pozitiv. Kur qeshim, kemi tendencën të bëhemi më fleksibël dhe për rrjedhojë për t’i parë gjërat nën një tjetër këndvështrim.
Përmirëson marrëdhëniet ndërpersonale – E keni vënë re se kur qeshim krijohet një lloj lidhjeje pozitive me njerëzit me të cilët jemi të shoqëruar? Kjo ndodh sepse e qeshura ka aftësinë të lidhë emotivisht njerëzit mes njëritjetrit, t’i bashkojë dhe të vendosë një klimë pozitive dhe intimiteti. Për këtë arsye, kur krijohen paqartësi, debate apo pakënaqësi që mund të na largojnë, e qeshura është zgjidhja më e mirë për t’u bërë bisht konflikteve dhe për të rikthyer harmoninë. Veç kësaj, humori i mirë favorizon punën në grup, na ndihmon të jemi më spontanë dhe ekstrovertë për t’u larguar nga sjelljet e vetëmbrojtjes, për të “shkrirë akullin” në situata të veçanta dhe për të rritur vetëvlerësimin. E qeshura, veç të tjerash, jo vetëm i bën mirë shëndetit dhe mendjes, por na bën edhe më të bukur, ndaj është aksesori i vetëm pa të cilin nuk mund të bëjmë dot!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.