Nëse ka një vend në botë ku kryefjalë është qejfi, hareja, dëfrimi, lumturia dhe shfrenimi, ai quhet New Orleans!
Aty ku alegria ulet këmbëkryq nëpër lagjet e French Quarter, veçanërisht në Bourbon Street, ku zhurmat, turmat gazmore, instrumentistët, artistët, qejflinjtë e pijeve e gjithçkaje tjetër tokësore, të atyre të përfytyruara e jashtë çdo përfytyrimi, i gjen në një vend të vetëm; ky quhet New Orleans! Një dhe i vetëm. Më uniku në të gjithë Amerikën. Aty ku rrijnë bashkë dhe vallëzojnë njerëz të çfarëdolloj ngjyre, moshe e kombi, ku kërcejnë, hanë, pijnë dhe argëtohen sipas mënyrës së vet pa fre e komplekse të gjithë ata që nuk njohin limite por që i lidh një gjë e përbashkët: etja për qejf deri në maksimum; është pikërisht ky vend i veçantë dhe pa dyshim më i veçanti në botë që i bashkon.
Duket sikur kushdo që ka shkuar aty e ndan mendjen të harbohet dhe tërbohet! Kujdes: nëse nuk je “i prerë“ për kësi jete, më mirë mos shko! Sepse aty nuk ke si bën ndryshe. Sepse thjesht nuk ka mundësi tjetër! I tillë është i vetmi dhe uniku New Orleans! Nuk është fantazia ime, as ëndërrimet e mia të një nate vere e me yje dhe Hënë, është realiteti i këtij qyteti me jetën më vibrante dhe të paimagjinueshme! New Orleans, një nga 10 qytetet më tërheqëse në gjithë Amerikën, i famshëm për: Festival Spirit Mardi Gras, festat e rrugës, paradat e kostumeve, muzikën live, si dhe “round-the-clock nightlife”, me një nga ushqimet e famshme që është “po-boy”, apo kokteili “hurricanes”, magjistarët Voodoo… etj.
New Orleans është një nga të pakta qytete të Botës tek i cili më shkon mendja në mënyrë të përsëritur dhe ku do kthehesha pa hezitim në çdo moment pa u menduar dy herë. Që në prezantimin e parë me të, rashë menjëherë në një dashuri që nuk është zbehur asnjëherë…
Pasi përshkon me makinë nëpër Lousane të gjithë veprat e artit të ngritur mjeshtërisht mbi Mississippi duke marrë drejt jugut të poshtëm, ura të shumta që nuk e zbehin madhështinë e autostradës e cila të çon gati deri në zemër të qytetit, vetëm sapo mbërrin në French quarter, aty menjëherë kupton që ke arritur në një Botë tjetër, në Botën e qejfit, të gëzimit, harrimit dhe tërbimit. Bourbon Street veçanërisht gëlon nga të rinjtë e zhurmshëm që duken që larg që janë çakërrqejf, me pije me gota plastike në duar (vetëm me kushtin që asnjë shishe apo gotë qelqi, pasi janë të ndaluara kategorikisht) – burra apo gra në moshë, që nga mënyra se si sillen duket sikur janë bërë “tapë” nga pijet dhe alkooli, por që nuk përjashtohet mundësia që “tapë” të jenë bërë nga atmosfera që mbizotëron, muzika e jashtëzakonshme dhe e mrekullueshme që luhet në çdo cep, qoshe e lokal rruge; dhe në ajër ndihen lloj-lloj ulërimash e buçimash daullesh, saksofonash, trombash, në harmoni apo sinkroni të lezetshme; njerëz të cilët pijnë rrugës dhe kërcejnë për qejf të vet me zjarr dhe përkushtim, turma të rinjsh që këndojnë e bëjnë parada të pafundme e të gëzuara, ndërsa nëpër katet e dyta e të treta të godinave të stilit francez anës rrugëve të mbushura dingas me njerëz, ku prej andej tipat ala “Romeo“ hedhin nga lart rruazat shumëngjyrëshe, ua bëjnë me dorë kalimtarëve dhe marrin gjithashtu përshëndetje nga ata, të tjerët i presin rruazat në ajër (asnjëherë nga toka, pasi në New Orleans ka paragjykim nëse i mbledh rruazat nga toka), dhe i varin nëpër pemë dhe kudo ngjan me një festë të madhe që zgjat deri në agim. Që të flesh, hoteli i lashtë e me histori në French quarter është i pajisur me “vulosëse veshësh”, e përsëri është e pamundur të flesh…
Gjithsesi, për hir të së vërtetës, zakonisht nuk rekomandohet të zësh hotel në këtë zonë. Në pikun e sezonit shkurt-maj kur është edhe festivali Mardi Gras, jo vetëm që çmimet e hoteleve rriten shumë, por edhe është e pamundur të gjesh dhoma të lira. Për më qetësi, New Orleans rekomandohet në Dhjetor-Janar. Kurse nga 1 Qershori në 30 Nëntor vendi është i rrezikuar nga uraganët, aq sa jo rrallë në këtë periudhë shteti bën njoftime për evakuim popullsie…
Ditët janë më të vrullshme se netët, lulishtet dhe parqet e shumtë mbushen me turmat e gëzuara shumëngjyrëshe, me festa dhe kërcime të papritura e spontane, njerëz të rastësishëm që kërcejnë rreshtuar pas njëri-tjetrit, dhe grupe të rastësishme që sajohen aty për aty, lëndina dhe parqe ku shtrihen në bar, hapin ushqimet apo shijojnë pije, vende ku mund të martohesh tak-fak; lagjet e artistëve, të piktorëve e muzikantëve të xhazit, me tipa e karaktere fiks sipas vendeve, qendrat e magjistarëve të vodooo dhe dyqanet që shesin objekte voodoo por që turistët duhet ta dinë që nuk janë origjinale; si dhe dyqane ku mrekullohesh nga larmia e veshjeve të çuditshme e të adhurueshme. E dini që New Orleans është një qytet i mahnitshëm për fëmijët apo adoleshentët, por Bourbon Street në French Quarter cilësohet si “a no-go zone“?
Prandaj udhëtimi në New Orleans duhet parashikuar vetëm midis të rriturve! Dyqanet në New Orleans janë parajsa e qejflinjve të veshjeve, dhe në rrugë mbizotëron një kod veshjeje “etik-shik-elegant por aspak i zakonshshëm”?! Si përfundim, gjithçka që bëhet aty, thjesht të lihet aty – dhe nuk po flasim për Las Vegas, por për New Orleans – dashuria ime e madhe e përhershme! Vendi ku në të gjithë dellin për të të mos vënë re askush në lajthitjet dhe daljet nga rutina, më ka bërë të ndihem në qiellin e shtatë!
By: dreamtravel.world
Eda Bano Losha
(instagram) dreamtravel.world
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.