Dëshmi

April 1, 2023 | 7:20

Eda Bano: Valparaiso, lugina e parajsës kiliane

 

Teksa po largohesha nga Kili dhe prisja të bëja kontrollin rutinë të doganës, një burrë i moshuar më pyeti prej sa kohësh isha në Kili dhe çfarë kisha parë atje. Po nxitoja t’i thoja këtë e atë, por ai më pyeti: – “A e ke parë Valparaison, ajo është mrekullia e Kilit?”

eda-1

– “Ah po, sigurisht,”- i thashë.

– “E pe vërtetë atë, a u bëre e zgjuar të ngjiteshe në kodër, sepse shpesh njerëzit shkojnë anës bregut në plazh dhe thonë që Valparaiso nuk ka ndonjë gjë të veçantë, pse ju kilianët e vlerësoni aq shumë atë?”

Qesha.

Valparaiso, ose Lugina e Parajsës. Thuhet që kur Diego de Almagro, eksplorator, mbërriti për herë të parë atje, i pëlqeu kaq shumë lugina sa ia vuri emrin Lugina e Parajsës.

Qyteti shtrihet në dy pjesë, në pjesën e sheshtë të plazhit dhe në kodër. Që ta sqarojmë: vija bregdetare është shumë e bukur, me rënë dhe shkëmbinj ku dallgët me shkumë të bardhë të oqeanit Paqësor përplasen fort pas bregut dhe janë vërtet spektakolare. Uji i oqeanit është shumë i ftohtë edhe në verë, kështu që shpesh njerëzit marrin rreze por nuk lahen. Anash plazhit ka plot pallate të bukura dhe relativisht të rinj pasi edhe Valparaiso është dëmtuar nga tërmeti. Por pjesa në kodër është spektakolare. eda-2

Ngjitja bëhet me funikuar. Ky ka veçantinë e tij: i vjetër, me dyer të vjetra që mbyllen me lloz dhe teksa tenton të hysh, një qen është shtrirë sa gjerë-gjatë aty. Gruaja e lodhur, pa buzëqeshje, e funikularit me një lëvizje vetulle të thotë “lëre qenin rehat”, dhe grupi i turistëve shtypet e ngjeshet për të mos i prishur terezinë qenit. Pasi mbërrin në lartësi, aty të shpaloset Valparaiso me gjithë madhështinë e vet: qiell, det, pallate nga njëra anë, dhe mrekullitë mbi kodër nga ana tjetër.

eda-3

Shtëpitë e vogla ngjyra-ngjyra, me piktura të pafundme, pikturuar çdo gjë: dyert, dritaret, shtyllat, shkallët, trotuaret. Rrugëzat ndahen nga një kanal në mes dhe shkallët kanë një dishezë, e gjithë kjo për të kaluar uji, i cili është me shumicë kur bien shirat. Anës rrugëzave, këngëtarët dhe shitësit ambulantë, turistët që bëjnë foto dhe artistët që shesin piktura si dhe policët e kudogjendur, e bëjnë më të gjallëruar mjedisin. Në mes të kodrës gjendet edhe shtëpia e Pablo Nerudës që sheh nga oqeani, e kthyer në muze, e gjallëruar edhe ajo plot me ngjyra, dhe në rrëzë të kodrës ngrihet ndërtesa e vjetër e Muzeut të qytetit me një Ahu Moai origjinal ardhur nga ishulli i pashkëve (Easter Island), që rri krenar në oborr të tij.

eda-4

Qiellin e kaltër, diellin, oqeanin Ahu Moai dhe shtëpitë e pikturuara të Valparaisos nuk kam për t’i harruar kurrë.

eda-5 eda-6 eda-7 eda-8 eda-9 eda-10 eda-11 eda-12 eda-13 eda-14 eda-15 eda-16 eda-17 eda-18 eda-19

By: dreamtravel.world

Eda Bano Losha

(instagram) https://www.instagram.com/dreamtravel.world/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top