Mirëqenie

December 12, 2019 | 8:12

Edhe nënat lodhen. Pak më shumë konsideratë për to!

Ka disa mënyra për ta trajtuar këtë temë. Ta shohësh nga këndvështrimi i fëmijëve, i burrave apo i mendimit të përgjithshëm?! Por le të përballemi me atë që nis nga pikëpamja e vetë grave në rolin e nënës, gruas, ku kujdesen për gjithçka. Le të dëgjojmë zërin e tyre kur ato thonë:

“Sa u ngrita dhe ndihem e lodhur. Është shtatë e mëngjesit. Si mund të ndodhë kjo? Puna është se nuk u ngrita vetëm sot në shtatë të mëngjesit… kam vite me radhë që e bëj këtë gjë. Sa kohë u bë që nuk shkoj te parukierja e nuk i kushtoj disa orë vetes? E dini, është ai vendi ku gjendet dhe një zonjë simpatike, e cila të merr me të mira dhe bisedojmë ndërsa rregullojmë flokët. Sepse shpesh ka dhe diçka tjetër për t’u bërë në shtëpi.

Pse kaloj shpejt para dritareve të dyqaneve duke i parë shkarazi, në vend që të hyj me qetësi e të blej diçka që më pëlqen? Sepse, bëhem shumë vonë për të shkuar dhe për të marrë fëmijët në shkollë, apo sepse është koha për të shkuar dhe përgatitur drekën apo darkën. Duket se ditët e pushimeve nuk vijnë kurrë, nuk kam të shtuna apo të diela, nuk kam ditë pushimi… Për nënat, të gjitha ditët janë punë.

Dhe pastaj pyes veten nëse dikush në shtëpi vë re se jam e dorëzuar, por vazhdoj po njësoj dhe eci para. Nëse kam kaluar një ditë të keqe, bëj sikur nuk ka ndodhur asgjë; nëse do të doja të isha diku tjetër qoftë edhe vetëm, do të qëndroj këtu, duke hekurosur, gatuar apo pastruar. Nëse gjendja ime jo e mirë shpirtërore është për shkak të faktit që unë shpresoj që dikush ta vërejë atë, por që askush nuk e sheh, të paktën shpresoj që dikush në mënyrë spontane ta konsiderojë se kam nevojë për ndihmë. Sidoqoftë, kur tregoj lodhjen time dhe dëshirën për t’u zhdukur, marr si përgjigje fytyra të befasuara, sikur të mos kuptohej se pse vjen ky zemërim i imi.

E pranojmë rolin e nënave dhe grave me kënaqësi e vendosmëri. Të gjitha ne e dimë se kur e fillojmë këtë udhëtim, nuk është i lehtë; por që nuk duhet të jetë as kaq i vështirë nëse mund të llogarisim edhe bashkëpunimin e pjesës tjetër të familjes. Ne që kujdesemi për të gjitha, kemi nevojë të na trajtojnë gjithashtu me kujdes. Ne që bëjmë të pamundurën për të mbajtur shtëpinë pastër, veshjet gati dhe tryezën shtruar, duam pak ndihmë, pak kohë për veten dhe një fjalë mirënjohjeje. Pse, pas të gjithave që bëjmë, nuk e meritojmë?”

 

Përgatiti: Orjona TRESA | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 143

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top