Në fokus

November 7, 2019 | 8:15

Edhe veset e vogla sjellin lumturi

Pasdite nëpër dyqane dhe mbrëmje të shoqëruara nga alkooli; pjata pikante, ëmbëlsira, kalori dhe cigare. Thuhet se: nëse diçka na kënaq, ka shumë mundësi të na bëjë keq… Në të vërtetë, jo! Kërkimi i kënaqësisë, na shpjegon një neuroshkencëtar, është çështje e të menduarit. Pra, e trurit. Mjafton që të mos e teprojmë…

Ajo blen palën e kushedi se sa-të të sandaleve, ai nuk heq dot dorë nga futbolli me shokët. Ajo e tepron me të ëmblat, ai me konjakun. Bëhet fjalë për kërkimin e kënaqësisë që udhëheq jetët tona. E pohon një neuroshkencëtar nga Universiteti “John Hopkins” në Baltimora, David J. Linden, në librin e tij “Busulla e kënaqësisë. Ose pse ushqimet pikante, seksi, marijuana, vodka dhe lojërat e fatit ju bëjnë mirë”.

1Profesori flet për origjinën e lumturisë. “Kur jeton një përvojë pozitive disa qeliza të në thellësi të sistemit nervor qendror, gjallërohen është dhe bëjnë që të shkarkohen disa impulse që çlirojnë dopaminë. Përhapja e dalëngadaltë e këtij neurotransmetuesi shënon një stuhi stimujsh që perceptohen si ndjesi kënaqësie”. Kaq është e gjitha? Në të vërtetë kjo është vetëm pika e nisjes. Ajo që është e përbashkët për burrat, gratë, madje edhe kafshët. Menjëherë pas kësaj nisin ndryshimet.

Secilit listën e dëshirave të veta: Çfarë thamë deri tani, nuk nënkupton që një organizëm është i njëjtë me një tjetër. “Baza neurologjike është e njëjtë, por vetëm kjo do të furnizonte thjesht me një kënaqësi primitive, pa nuanca. Njëherë e një kohë, rrethi i kënaqësive ishte i programuar ekskluzivisht rreth kryerjes së aktiviteteve të mbijetesës: të ngrënit, të pirit dhe seksit.

Me evolucionin, njeriu është bërë qenie sociale dhe qendra nervore ka përcaktuar një rrjet lidhjesh me hapësirën cerebrale me të cilën kanë lidhje arsyetimet, ndjenjat dhe kujtimet. Kjo do të thotë se mënyra se si gjithsecili prej nesh e zhvillon jetën e vet, luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e asaj që na bën apo nuk na bën të ndihemi mirë. Nuk ka asgjë për t’u habitur nëse universi i kënaqësive nuk është i tejmbushur vetëm me vese.

Ndërsa shumë prej njerëzve kënaqen me alkool, ëmbëlsira, xhekpot apo të tjera të kategorisë së veseve, ka jo pak të tjerë që shijojnë mjaft mirë lutjet dhe meditimin. Po ashtu të tjerë shijojnë leximin e një libri, apo një bashkëbisedim mes miqsh që assesi nuk mund të kategorizohet si ves, përkundrazi. Por, le t’u kthehemi veseve që dhurojnë lumturi.

Ndodh që pas kësaj të vijë ndjenja e fajit. E kemi tepruar me alkoolin dhe ndihemi keq. E kemi shkelur me picën dhe stomaku na është rënduar. Kemi blerë një palë këpucë që nuk i kishim aspak të rëndësishme dhe llogaria bankare është zbrazur… Shkurt, jemi duke menduar për pasojën e teprimeve. A mos do të thotë se kënaqësia që patëm provuar ishte e pavërtetë? “Jo”, qetësojnë neuroshkencëtarët, “nëse një blerje e keni bërë me kënaqësi, pa dyshim që atë moment hapësira e qelizave në thellësi të sistemit qendror nervor, ka qenë nën një stuhi stimujsh”. Pra, lumturia ka qenë e vërtetë.

2Shpesh janë pikërisht ritualet e vogla të përditshmërisë që na japin kënaqësi të mëdha në jetë: një kafe, një cigare, një gotë verë. Arsyeja? “Nëpërmjet tyre fusim në organizëm substanca psikoaktive që janë në gjendje të ndikojnë në funksionimin e trurit dhe për pasojë, përmirësojnë performancën. Për shembull: kafeina dhuron ngarkesë energjie, na hap sytë në mëngjes dhe na bën të ndihemi më në formë; nikotina qetëson; alkooli – nëse e përdorim me kujdes – na bën më të çlirët në bashkëbisedim dhe në intimitet”, – thonë neuroshkencëtarët.

“Si ka mundësi që janë kaq të rëndësishme? Nuk mund t’i shpërfillim dhe jo rrallë kemi një ndjenjë varësie ndaj tyre. Arsyeja është se përfaqësojnë një formë të vogël lëvizjeje. Jo rastësisht, në këtë grup substancash hyjnë edhe drogat e fuqishme si kanabis apo kokaina. Ndryshimi është që këto të fundit nxisnin qendrën e kënaqësisë në mënyrë të dhunshme dhe të menjëhershme, duke rritur rrezikun e zhvillimit të një varësie”.

Mirëserdhët në anën e errët. Ka edhe një anë tjetër të kënaqësisë. Dhe nuk duhet nënvleftësuar, sepse mjafton fare pak për të shkuar nga parajsa në ferr. Ndodh kur ekstaza bëhet një idengulitje, dhe pak e nga pak i kthehen në nevojë stimujt gjithnjë e më të fuqishëm. E keni pyetur veten, për shembull, se pse është kaq e vështirë ta lini duhanin? “Sepse çdo thithje e cigares na jep një dozë nikotine në rrethin e 15 sekondave: duke qenë një hapësirë kohore shumë e ngushtë, truri krijon disa lidhje të fuqishme mes mirëqenies që shkakton dhe gjesteve që e shoqërojnë. Prandaj kur vendosim ta lëmë, mjafton era e duhanit apo kërcitja e çakmakut të një njeriu në një tavolinë pranë nesh, që të na rinxisë dëshirën”. Është gjithnjë truri që i kontrollon gjërat.

E njëjta gjë ndodh edhe me disa ushqime: për shembull ëmbëlsirat. “Kombinimi i sheqernave me yndyrat shkakton një kënaqësi akoma më të madhe sesa përdorimi i secilit prej këtyre përbërësve ushqyes të marrë më vete”. Por, mos mendoni se jeni jashtë rrezikut nëse preferoni erëzat apo pikantet: kur përdorim një ushqim të pasur me spec djegës, rezultati është një goditje zgjuese e trurit e shoqëruar me kënaqësi. Pra, është një lloj përzierje e kënaqësisë me dhimbjen, gjë e cila nuk duhet shpërfillur. E njëjta gjë madje ndodh edhe me seksin ekstrem…

Me pak fjalë: lumturinë mund ta shkaktojë një ves. Dhe është pikërisht një lumturi e vërtetë. Një lumturi që nuk mund të shpërfillet. Çështja është që të përcaktohet kufiri. Që me vesin të mos e teprojmë, që të mos na shndërrohet në varësi. Nëse nuk arrijmë deri këtu: edhe veset e vogla sjellin lumturinë… Ndryshe e thënë, jepuni vlerë kënaqësive të vogla të jetës.

Revista Psikologjia 2016

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top