Dëshmi

May 1, 2025 | 17:30

Edlina Losha: Ç’do të thotë të kultivosh dashurinë për punën tek fëmijët?

 

Një ditë teksa ecja pranë rrugëve në qendër të Tiranës, më zuri syri një tabelë të vogël kartoni shkruar me një shkrim të thjeshtë dore: “limonata natyrale“. Më bëri përshtypje teksti dhe instinktivisht ngrita sytë: disa vajza të vogla rreth 7-8 vjeç kishin hapur në një stol të gurtë ca piktura, disa punime art craft, vazo të vogla qeramike që i kishin ngjyrosur, çikërrima të punuara me dorë, dhe po i shisnin.

edlina-loshaEdhe “limonatat natyrale“- sigurisht, në një termus të madh metalik dhe ca gota plastike pranë tij. Më pëlqeu ideja! Edhe vetë vajzat dukeshin se po e përjetonin shumë mirë këtë situatë. Ishin të buzëqeshura, të lumtura dhe dukeshin optimiste. Një rreze drite jua përshkonte sytë. I kishin përgatitur me duart e tyre dhe gjithë dashuri të gjitha ato sende që kishin shtruar në stol. Më mbetën në mendje ata fëmijë! Optimizmi e lumturia e tyre. Nëse kultivohet dashuria për punën që në atë moshë, e ardhmja është e sigurt. Por jo vetëm!

Në sytë e një fëmije sheh botën siç duhet të jetë – e pastër, e ndritshme dhe plot dashuri.

Kenaqësia që njeriu merr nga një punë e kryer është shumë e madhe! Duhen nxitur fëmijët për punë? Duhen shpërblyer? Padyshim që po. Fëmijët në radhë të parë duhet ta shohin si një lojë punën. T’i kënaqë, t’i argëtojë, t’i motivojë për t’u bërë më të mirë, më të vlefshëm, më të rëndësishëm.

Ne të rriturit duhet të krijojmë taktika e teknikat e duhura që me zgjuarsi e delikatesë t’i drejtojmë fëmijët drejt “vijës” që kemi projektuar ne vetë.

Disa mësuese në një kopsht bënë një eksperiment të tillë: një mëngjes para se të vinin fëmijët në kopsht, e shkatërruan atë, hodhën lodrat andej-këndej, shpërndanë pa rregull mjetet, lapsat, bojrat, fletët, flakën rrëmujshëm librat…

Kur fëmijët shkuan dhe e panë ambientin në një formë të tillë të pazakontë, ata në fillim shtangën, u shokuan, por më pas, pa asnjë urdhër, ata filluan të sistemonin vetë sendet e t’i vinin në vendet e tyre. Mësimi që të tërë morëm nga kjo video është që kur ambientohen natyralisht me rregull e pastërti, fëmijët gjithashtu do veprojnë për ta vendosur këtë rregull kur ai humbet.

Zakonisht në verë, në muajin korrik, në institucionin tonë e kemi zakon që të bëjmë “dyqanin e kopshtit”. Është një ritual i përvitshëm. Në fillim fëmijët ngjyrosin gurë, punojnë art-craft, bëjnë varëse e byzylykë. E gjithë kjo është puna përgatitore, e më pas bëhen gati për “t’i shitur” ato. Sigurisht që e gjithë kjo është modeste, por kur ata jepen dhe angazhohen tërësisht pas kësaj kur përpiqen, diskutojnë, flasin dhe debatojnë për të përmirësuar rezultatet, atëherë njeriu mendon: “po, ia vlen gjithë kjo!” Të bëhesh i dobishëm është fantastike.

eda-kopshti-princi-i-lumtur-1   eda-kopshti-princi-i-lumtur-2 eda-kopshti-princi-i-lumtur-3

Në botën e fëmijëve ka një larmishmëri dhe një marrëdhënie të paparë edhe midis tyre. Shpesh emocionohem kur shoh se me sa kujdes e dashuri fëmijët me të rritur, p.sh. 4-5 vjeçarë, u vijnë në ndihmë fëmijëve më të vegjël të grupeve më të ulta 2-3 vjeçarë. Se si i mbajnë përdore, i shoqërojnë, i ndihmojnë për të ngrënë, u rrinë afër, i nanurisin, i ledhatojnë. Kur luajnë tregohen tolerantë, shumë më tolerantë e të durueshëm sesa me bashkëmoshatarët e tyre.

Dhe fëmijët më të vegjël u janë mirënjohës, sikur ta dinë peshën dhe rëndësinë e gjithë kësaj, ata sillen më bindshëm, më urtë, hanë më mirë, luajnë më me qetësi. Ka një rakordim, një dakortësi, një mirëkuptim të habitshëm. Nga një anë fëmijët “e rritur” që me devotshmëri e përgjegjësi ndihmojnë më të vegjlit, dhe nga ana tjetër të vegjlit që ndihen falenderues, dhe këtë e shprehin me gjuhën e trupit, me mimikë dhe qëndrim. E çuditshme por e vërtetë.

Kur një fëmijë vihet në punë që të japë një rezultat nga duart e veta, ai nuk mëson vetëm si të bëjë diçka — ai mëson se është i dobishëm, i vlerësuar dhe i aftë të ndikojë botën për mirë. Edukata e punës i jep fëmijës rrënjë për t’u forcuar dhe krahë për të fluturuar.

eda-kopshti-princi-i-lumtur-4 eda-kopshti-princi-i-lumtur-5 eda-kopshti-princi-i-lumtur-6Fëmijët që mësojnë të punojnë që në vegjëli – rriten me rrënjë të forta. Ndaj duhet punuar fort për këtë. Në duart e një fëmije fshihet më shumë sesa loja e pafajshme; fshihet potenciali për të ndërtuar, për të ndihmuar, për të kontribuar. Kur fëmijëve u jepet mundësia të angazhohen në punë të thjeshta e të përshtatshme për moshën e tyre, ata nuk lodhen – ata ndriçohen. Sepse puna, kur jepet me dashuri e kuptim, nuk është barrë, por burim krenarie dhe zhvillimi.

Punët janë të shumta e të shumëllojshme. Një fëmijë që ndihmon në shtëpi, që mbjell një lule, që rregullon lodrat, apo që merr një përgjegjësi të vogël, mëson vlerën e përpjekjes. Ai ndjen që është pjesë e një procesi, i nevojshëm, i vlefshëm. Rritet me vetëbesim, me respekt për punën dhe për të tjerët. Edukata e punës nuk është thjesht mësim për të bërë diçka – është shkollë për jetën.

eda-kopshti-princi-i-lumtur-7 eda-kopshti-princi-i-lumtur-9 eda-kopshti-princi-i-lumtur-10

Fëmijët që mësojnë të punojnë rriten më të përgjegjshëm, më të durueshëm, më mirënjohës për atë që kanë. Ata nuk frikësohen nga sfidat, sepse kanë provuar që përmes përpjekjes, çdo gjë fitohet më bukur.

Prandaj, le të mos ua marrim këtë mundësi fëmijëve tanë! Le t’i ftojmë të jenë pjesë e punës, të marrin pak nga çdo përpjekje, dhe të shohin si rriten – jo vetëm në shtat, por në shpirt.

eda-kopshti-princi-i-lumtur-16  eda-kopshti-princi-i-lumtur-14 eda-kopshti-princi-i-lumtur-23 eda-kopshti-princi-i-lumtur-22 eda-kopshti-princi-i-lumtur-21 eda-kopshti-princi-i-lumtur-19  eda-kopshti-princi-i-lumtur-24

*Edlina Losha

Ceo kopshti “Princi i Lumtur”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top