Dëshmi

March 1, 2022 | 8:40

Edlina Losha: Japonia, thjesht unike!

Japonia është një ndër vendet më unike dhe të veçanta në botë. Nuk ka shtet që mund të krahasohet me të nga njëri cep i globit e deri në cepin tjetër. Dhe pyes veten “Si ka mundësi?” Ka diçka të papërshkruar dhe grimca të vogla detajesh, që nga sjellja e njerëzve, pastërtisë, qetësisë, edukimit që në vegjëli me rregulla strikte, duke i dhënë rëndësi edhe brendisë njerëzore.

2

Që në prezantimin e parë me Ambasadën Japonezë, pata një impakt mjaft pozitiv. Pas një refuzimi vize nga një tjetër Ambasadë, u drejtova tek ajo Japoneze. Isha e mërzitur dhe çdokush që ka përjetuar një refuzim vize, ma kupton këtë. Konsullin e Ambasadës e pyeta se sa ditë vonohet viza nëse e marr. “Rreth një javë!”- tha ai. -“Ahhh sa keq,”- i thashë. -“Im shoq ka ditëlindjen këtë javë dhe do doja shumë ta festonim në Japoni”. S’e kuptova as vetë se përse i thashë ato fjalë. Zakonisht nuk jam tip që ankohem. Konsulli nuk foli, por pas dy orësh më marrin në telefon nga Ambasada dhe më njoftuan të merrja pasaportën dhe vizën. Për herë të parë u ndjeva e përkëdhelur nga një Ambasadë, kur në më të shumtat e rasteve isha ndier e zhgënjyer.

Udhëtimi nga Shqipëria në Japoni është shumë i gjatë. Turbulencat ishin aq të shumta sa aty iu luta Zotit: -“Zot, të lutem, më lër ta shoh Japoninë dhe në kthim shih e bëj!” Kisha pasur të drejtë!

Japonia, shtet me rreth 126 milionë banorë, ku vetëm Tokio ka 26 milionë, ka një organizim, rregull e mënyrë që nuk e ndien kurrë këtë. Në shkallët lëvizëse, njerëzit rrinë vetëm në një krah. Krahu tjetër quhet “i emergjencës” dhe aty lëvizin ata që e kanë me të shpejtë. Në trotuar njerëzit ecin sikundër makinat në rrugë. Nuk ke shanse të pengohesh me të tjerë që vijnë përballë, sepse ata nuk ecin kurrë drejt teje megjithëse ti ndan të njëjtin trotuar.

7

Në semafor njerëzit nuk grumbullohen turma-turma si në çdo cep tjetër të botës, por vihen në rresht për një. Në trena, metro dhe autobusë askush nuk flet me zë të lartë, as me shokun dhe aq më tepër në telefon. Një rast po më tërhiqnin vëmendjen ca njerëz që po qeshnin me të madhe në metro. Ktheva kokën dhe vura re që ishin një grup grash italiane. Ama edhe në këtë rast, gjithë të tjerët nuk reagonin. Njerëzit nuk mbajnë bagazhe të mëdha kur lëvizin “për të mos shqetësuar të tjerët”. Dhe, nëse në Japoni humb rrugën, kërkon gjësend, apo dëshiron një ndihmë nga vendasit, ata do bëjnë çmos, do i lënë punët e tyre pa mbaruar dhe do vijnë të të ndihmojnë pa të lënë kurrsesi në mes të rrugës. Ata janë miqësorë, të sjellshëm, të butë dhe, pavarësisht se shumë pak turistë dinë japonisht (sepse edhe ushqimet në supermarket, reklamat dhe më së shumti gjithçka është në japonisht), nuk e ndjen këtë si vështirësi. Përkundrazi. Në rrugët e Japonisë askush nuk ha dhe as pi në rrugë. Është e ndaluar? Pothuajse.

4Nuk di të jetë ndonjë shkrim apo rregullore për këtë gjë, por ama jam e informuar mirë rreth kësaj dhe e vërteta është që nuk ndodh ose ndodh aq rrallë nga ndonjë turist saqë të gjithë e shohin me habi. Çdo dyqan, edhe kioskat më të vogla të rrugës janë të pajisur me stola të vegjël ku njerëzit mund ta konsumojnë ushqimin ulur dhe jo në këmbë. Dhe meqë ra fjala tek ushqimi, në Japoni nuk gjen një plehrë të hedhur në tokë. Kush pi cigare e ka shumë të vështirë, sepse nëse disa lokale kanë ndarje të veçanta për duhanpirësit, por në rrugë nuk ke mundësi se ku ta hedhësh hirin. Japonezët kanë një nderim të veçantë për pastërtinë dhe për njerëzit që kryejnë këtë punë. Fëmijët mësohen që në kopsht të pastrojnë vendin dhe ambientin ku rrinë. Tualetet janë atraksion më vete. Japonezët mendojnë që njeriu kalon një sasi të konsiderueshme kohe në tualet dhe sipas tyre edhe kjo kohë duhet të jetë cilësore. Tualete me muzikë, me hidromasazhe sipas dëshirës, bide me ngrohtësi dhe larës e sprucues uji me presion sipas dëshirës, vetëpastrues e aromatizues me të gjitha llojet e parfumeve. Nëse fle në hotel, aty ditë për ditë krahas çarçafëve, të ndërrohen edhe pizhamet kurse pandoflat i gjen përherë aty, pasi në shumë vende në Japoni të heqësh këpucët është gati me detyrim. Ushqimi dhe kuzhina japoneze është më e mira në botë, e them pa kurrfarë hezitimi këtë, por t’i ngresh gishtin kamerierit në lokal është e ndaluar.

12Shpesh nëpër lokale çdo tavolinë ka tabelë elektronike ku mund të zgjedhësh ushqimin apo pijen, ose minimumi, ka butona me atë të të cilëve mund të thërrasësh kamerierin. Bakshishet nuk praktikohen zakonisht dhe nuk i pranojnë, por japonezët janë shumë të ndjeshëm ndaj dhuratave. Ata i respektojnë dhe ndihen shumë të vlerësuar nëse ju dhuron një diçka sado e vogël qoftë. Një suvenir nga vendi yt apo një mendim i thjeshtë për ta, i bën të ndihen në qiellin e shtatë. Në Japoni “keshi” është mbret, dhe teknologjia më e avancuar në botë shihet dhe preket me lehtësinë më të madhe. Nëse ke tatuazh në trup? Keq e ke punën, pasi në Japoni nuk shihen me sy të mirë vizatimet në trup – dhe duhet të bësh ca përpjekje për t’i maskuar ato, veçanërisht kur shkon në banjat termale “hot spring” që në Japoni ka shumë, pasi vendasit pëlqejnë shumë të lahen në banja termale, të cilat i konsiderojnë shumë të dobishme dhe të shëndetshme.

5

Një nga gjërat e çuditshme që kam parë në Japoni?

Hotelet kapsula. Ndërtesa të zakonshme kur i sheh nga jashtë. Tek holli ku është vendosur recepsioni ka një faqe muri plot me sirtarë të pajisur me çelësa me numra. Aty bujtësit vendosin këpucët dhe çantat. Në një tavolinë ka çaj dhe ushqime të paketuara kundrejt pagesës. Kurse dhomat janë më të çuditshmet në botë: (1,2x2x1) m janë përmasat e kapsulës dhomë, por për tipat klaustrofobikë nuk janë të këshillueshëm. Në ditët e sotme këto lloj hotelesh janë përhapur shumë në të gjithë botën, por në Japoni janë shfaqur për herë të parë.

6

Japonia, vendi i çudirave dhe i zhvillimit, aty ku teknologjia më e avancuar prek traditën. Thjesht unike!

11 8 3 10 9

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top