Pika referimi

March 1, 2025 | 9:30

Edlina Losha – Marsi dhe të gjitha gratë e jetës së një fëmije! 

 

Marsi është muaji i luleve, i ngjyrave, i festimeve të ardhjes së pranverës. Por për fëmijët është akoma më i ëmbël sepse përkon edhe me festën e nënës, të mësueseve dhe jo vetëm…

img-20250218-wa0014Fillimpranvera përkon me këto festa! E rastësishme të jetë? Koinçidencë e fatit? Apo jo më kot pranvera është bashkëlidhur me figurën e “gruas”, pra të nënës, gjyshes, motrës, tezes apo mësueses? 

 

Të gjitha gratë e jetës së një fëmije…

Në jetën e fëmijëve figura e nënës është e pazëvendësueshme! Nëna është ajo që e njeh e para fëmijën, që i percepton frymëmarrjen e parë, që e ka ndjerë qëkurse ka bërë lëvizjet e para si embrion, që e ka ushqyer me trupin e saj, me gjakun e saj, që kupton nga mimika çfarë dëshirash ka. Lidhja e nënës me fëmijën është konsideruar ndër më të fortat në botë. Nuk ka njeri të krahasohet me nënën! Fjala e parë që thotë është “ma”, dashuria e parë që merr dhe jep është pikërisht ajo e saj! 

Por edhe gjyshja është një figurë sa e ëmbël e dashur, burim frymëzimi e dashurie pa kushte për fëmijët. Janë gjyshet ato më të duruarat, më të dhembsurat, më të pakursyerat, të papërtuarat! Teksa një grua merr statusin “gjyshe”, duket sikur një epokë e re fillon në jetën e saj. Një shndërrim, një transformim. Tek kjo grua tani kultivohet dhembshuria, zemërgjerësia, dashuria pa limit. Dhe kjo pasqyrohet pafundësisht tek fëmijët, nipërit e saj. Ndërsa një grua mund të ketë qenë një mama e ashpër me fëmijët e saj, si gjyshe ajo është tejet e butë, e brishtë, toleruese. Prandaj fëmijët ndihen mirë pranë gjysheve sepse shpesh lihen të lirë përtej kufijve të lirshmërisë dhe në ajër ndiejnë dashurinë përtej kufijve të dashurisë.

img-20250218-wa0006

Tezet dhe hallat janë ndër personazhet më të pëlqyeshme për fëmijët, janë ato simpatiket, të bukurat, të freskëtat, çapkënet, shoqet e lojës – kur janë të reja -, apo prehëri i ngrohtë, përkujdesi dashuria e pakufishme, vendi ideal ku mund të shprehen lirisht, të qeshin, të qajnë apo të rrëfejnë ndjenjat e para të moshës kur ato janë më të pjekura më moshë…

Motrat janë shoqet e pazëvendësueshme të jetës, bashkëudhëtaret, rivalet me të cilat mësohet të ndajë që në krye “perëndinë” (pra prindërit, të cilët realisht s’do donte askush t’i ndante me askënd), por motrat janë njëkohësisht edhe mike të mira; ndjenjat për motrat kanë ato luhatjet e veta, por në thelb, në gjak, në deje, në damarë, në mish e trup ato janë një pjesë e jotja, gjysma më e mirë..

img-20250218-wa0009Edukatoret e kopshtit janë tjetër dashuri e fëmijëve. Jo rrallë ndodh që fëmija ndër fjalët e para që shqipton e flet është emri i edukatores së çerdhes. Apo të rrijë e të vizatojë me orë të tëra pasditeve një vizatim që t’ia bëjë dhuratë të nesërmen edukatores në kopsht! Fëmijën nuk e zë gjumi natën derisa të takojë të nesërmen edukatoren e t’i japë vizatimin e bërë me dashuri e ndjenjë! 

Edukatoret e kopshtit janë ato gra të cilat nuk harrohen kurrë nga fëmijët! Unë nuk i harroj edukatoret e mia të kopshtit! Ato më vijnë në kujtesë aq të bukura, të ëmbla, aq të dashura! Nuk më harrohen as shokët e kopshtit, “xhaja e kopshtit”- apo ndryshe roja me të cilin mbetesha nganjëherë deri vonë kur prindërit nuk vinin dot herët; lojërat që bënim, dhomën e gjumit dhe mencën me gotat prej alumini. Por veçanërisht edukatoret! Imazhi i tyre i ëmbël e i ngrohtë më vjen ende në mendje dhe ma zbukuron momentin! 

img-20250218-wa0010Mësueset janë edhe ato figura shumë të dashura për çdo fëmijë! Vitet e shkollës janë shumë! Por veçanërisht mësuesja e klasës së parë nuk harrohet! Mësueset e fillores janë të dashura, të ëmbla; ato të gjimnazit fillojnë e të trajtojnë si më të rritur, nganjëherë bëjnë edhe biseda më intime për të qenë më pranë fëmijëve, për të njohur problemet e tyre! Pasi nuk thuhet kot që mësueset janë “nëna të dyta”, dhe ato vërtet janë.

Sa shumë gra zënë vend në jetën e një fëmije, e një njeriu! 

Sa “grua” duhet të jesh që të mbetesh një kujtim i bukur për fëmijët! Sa ëmbël duhet të sillesh, sa dashuri të vërtetë duhet të japësh… Dhe në më të shumtën e rasteve gratë i përmbushin këto kritere pa sforcimin më të vogël, pasi të tilla janë, ashtu i ka krijuar Zoti! Prandaj janë dhe aq të dashura, prandaj duhen aq shumë! 

Dhe një ditë në vit është pak të flasësh, të shkruash, t’ju dedikosh lule, poezi, dhurata!

Por pavarësisht kësaj, nuk ka paragraf, ditë, orë, minutë që të mos jetë e çmuar kur kalohet pranë tyre!

 

Edlina Losha

CEO, Kopsht dhe Çerdhe “Princi i Lumtur”

img-20250218-wa0007 img-20250218-wa0012 img-20250218-wa0013 img-20250218-wa0011 img-20250218-wa0008

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top