“Nuk quhesh turist nëse nuk e ke parë ende Londrën!”. Këtë shprehje ma thoshte shpesh im atë që kur unë fillova të lëvizja dhe udhëtoja anembanë botës. Pashë dhe shëtita dalëngadalë pothuajse të gjithë vendet e Evropës, dhe teksa harta e vendeve që s’kisha vizituar zvogëlohej, im atë vijonte të më thoshte: -“Nuk mjaftojnë! Duhet të shikosh Londrën!” Më në fund zgjodha t’i thosha: -“Ëmbëlsira ruhet për në fund!”
Dhe e ruajta si një gjë të çmuar vizitën time në Londër! Duhej të ishte speciale, në një mot special (duke patur parasysh motin në Angli, duket i pamundur parashikimi në këtë pikë). Dhe krejt papritur, si çuditshëm, dilte një herë një vizitë në Moldavi që i zinte vendin asaj në Londër. Apo dukej sikur Minsk i Bjellorusisë ishte më i rëndësishëm sesa eksplorimi i Londrës. E kështu me radhë… Por çdo gjë, siç thotë ajo fjala e urtë, “ka minutin” e vet! Dhe pikërisht, në harkun e frymëmarrjes nga një vale pandemie në tjetrën, pikërisht në momentin e verës, kur qeveritë “vendosin” që shifrat të ulen dhe lejojnë lëvizjet për turizëm, pikërisht në zemër të Korrikut, pas përgatitjes dhe mbushjes së dhjetëra fletëve, dokumenteve, dhe prenotimeve tamponash e hotelesh, duke futur në valixhe madje edhe “rrobat e burgut“ të blera në Alkatraz (me qëllim që t’i vishja ato gjatë “ditëve të karantinimit” kur “ta shihja” Londrën nga dhoma e hotelit), u nisa me shumë pikëpyetje nëse do e realizoja dot apo jo këtë udhëtim të shumë ëndërruar.
“Ëndrrat e frikshme dalin të mbara – ashtu më doli edhe mua udhëtimi në Londër në zemër të pandemisë! Një mot i hatashëm, me diell dhe shkëlqim e bënte Londrën më përrallore edhe sesa mund të jetë në të vërtetë! Ndoshta mungesa e një pjese turistësh (përveç atyre më të “thekurve” ose të “sëmurëve”), bënte që rrugët, urat, shëtitjet nëpër destinacionet turistike dhe muzeume të ishin më lehtësisht të realizueshme. Ajo këshilla që “përgatituni në Londër për radha të gjata”, të them të drejtën vetëm tek “Madame Tussauds” e pashë.
Londra është një konglomerat gjuhësh, njerëzish, kulturash, edukatash! Aty sheh njerëz të zhveshur dhe që ulërasin rrugëve, ashtu siç sheh kulmin e sqimës dhe elegancës! Çiftet gei i ke ngjitur në tram ashtu si edhe gratë e veshura me ferexhe të ndajnë të njëjtin vagon. Secili në shijen dhe guston e tij, duket sikur askush nuk e vret mendjen për tjetrin. Ose e thënë më bukur, të gjithë respektojnë tjetrin me gjithçka që ai përmban, kulturë, gjuhë, besim e zakone.
Dhe teksa zbuloja këtë qytet të mrekullueshëm, mbetem pa fjalë dhe i jap të drejtë tim eti teksa më thoshte “s’ke parë gjë akoma!”
Lehtësia e parë që “u ndesha”? Transporti. Kaq i gjerë e i larmishëm, me kaq mundësi zgjedhjeje, ku stacionet e trenave janë të gërshetuar me ato të metrove, aeroporte e autobusë, sa mjafton të të shkojë mendja, apo thjesht t’i vësh gishtin një vendi në hartë dhe shumë shpejt e sheh veten të zbresësh nga treni, autobusi apo metro në vendin e dëshiruar!
Dhe si për të ta lehtësuar edhe më shumë këtë, për të hipur në metro, mjafton vetëm një kartë krediti në dorë dhe të hapen të gjithë “dyert e nëntokës”. Taksitë e zeza simpatike të ngjashme me siluetën e mbretëreshës dhe autobusët e kuq me dy kate janë më interesantet në Londër dhe sigurisht që njeriu “nuk shpëton” pa hipur në to. (Tani që po shkruaj këtë shkrim, mbaj në dorë pikërisht një filxhan mbushur me çaj, në formë autobusi të kuq me dy kate të blerë në Londër! Është tmerrësisht simpatik!) Por shëtitja me anije në lumin Tamiz është ndër gjërat më të bukura që mund të bësh në Londër. Aty të kalojnë një nga një të rreshtuara bukur si nga një dorë piktori, që nga Big Ben, Pallati i Parlamentit, London Eye, Shakespeare globe, Milenium bridge, Katedralja e St.Poul, Kulla e Londrës, Muzeu Tate, dhe e famshmja London Bridge. E deri tek Meridiani O2, ngrehina në formë kubeje të bardhë pranë Muzeut Mbretëror të Greenwich që duket qartazi dhe shumë dominuese që nga avioni. I bërë natën, ky udhëtim me anije është akoma më mbresëlënës.
Të ecësh nën shkëlqimin e dritave shumëngjyrëshe të pallateve moderne e atyre të lashtë, është thjesht një pamje e paharrueshme dhe mbresëlënëse. Kurse të shohësh ndërrimin e rojeve në pallatin mbretëror është edhe ky një nga momentet më interesante të vizitës në Londër. Orari i ndërrimit të tyre është i përcaktuar qartë. Të mbetet vetëm të shkosh dhe ta shijosh. Rruga drithëruese pranë Piccadilly teksa të rinj të çfarëdoshëm dhe artistët e rrugës performojnë, kërcejnë e këndojnë, (ku edhe ti mundet të bëhesh lehtësish pjesë e gjithë kësaj), dyqanet mahnitëse tek Harrod, parqet e bukur, të larmishëm mbushur me vepra arti madhështore, statujat mu në mes të rrugës apo shesheve, muzeumet e galeritë, që më së shumti janë falas, gjallëria e lokaleve, bareve dhe restoranteve janë pjesë normale e kalimit të pushimeve në Londër! Ushqimi i mirë dhe i larmishëm, është ai që nuk mungon kurrsesi në Londër. Por të shijosh një “mëngjes anglez” është komplet tjetër gjë. Drekat e lehta dhe darkat me shije mesdhetare, kineze, tajlandeze, indiane, greke madje edhe tradicionale shqiptare ishin surpriza më e bukur që i vuri kapakun dhe “çimentosi” dashurinë time për Londrën. Në fund, pas shumë ditëve qëndrimi në Londër, pyeta veten:- “Po si xhanëm kisha jetuar deri më sot?”
Përgatiti: Edlina Losha
By: dreamtravel.world
Eda Bano
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.