Profesor Edmond Tupja, në emisionin Opinion ka folur për marrëdhënien e shqiptarëve në kohën e diktaturës me seksin. Sipas profesorit, në vendin tonë ish-komunist, nuk ka një histori të seksit, por ka vetëm një kulturë “zakonesh” informale që nisnin nga vuajerizmi, tradhtia bashkëshortore e për të shkuar te kurvëria, si term pezhorativ, që na tingëllon sot më shumë si fetar sesa social.
“Në kohën e komunizmit kishin njerëz që përgjonin çiftet e reja dhe në rast se arrinin t’i kapnin, ata i dënonin. Por kjo vjen pasi nuk arrinin dot vetë, kishin vendosur për të ndjekur çiftet. Dëshirën e kishin, por mundësinë jo. Vuajaristë kishte sa të duash, te kodra e Shën Prokopit, te kodrat e Liqenit. Këta ishin njerëz që mendonin se duhet mbrojtur pastërtia morale e rinisë. Rrugës, edhe i martuar të ishe nuk mund të putheshe dot. Edhe nga dora duhej të mbaheshe si polici, nga gishti i vogël”, tha profesori.
Sipas Tupes, shqiptarët janë të kompleksuar kur vjen momenti të flitet për seksin, dhe kjo vjen nga shtrëngimi që ata kanë patur në kohën e komunizmit. Sipas tij, edhe komunikimi gjatë seksit është tepër i dobët, pasi individët nuk shqiptojnë fjalë erotike, por i kanë kthyer ato në sharje.
“Fjalët e fjalorit erotik, i kanë kthyer në sharje, “të bëfsha këtë”, “të bëfsha atë”, ti qenke kështu, ti qenke ashtu. Por këto fjalë janë shumë të shijshme kur t’i e thyen tabunë e fjalës erotike dhe e përdor gjatë aktit seksual. Ta thuash, ta shqiptosh. Dhe një fjalë do të ishte kështu, të mësojmë të shqiptojmë me zë të lartë dhe para pasqyrës fjalët, jo si sharje, por si fjalë erotike.”
Burimi: Opinion.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.