Ne bëjmë gjithçka që mundemi për të edukuar fëmijët tanë në mënyrën që e mendojmë se është më e drejtë, por a është e gjithë fuqia e vërtetë në duart tona në fund të ditës?
“Fëmija im nuk do të më flasë kurrë mua me atë ton”, “nëse fëmija im gjuan ndonjëherë me shuplakë një fëmijë tjetër, ai do të ndëshkohet për një muaj”, “fëmija im nuk do të shohë kurrë telefon në restorant”…, këto janë vetëm disa nga deklaratat e shumta që lëshojmë kur shohim fëmijët e tjerë, ende pa u bërë vetë prindër.
Mendojmë se nuk mund të ndodhë kurrë të kemi një fëmijë rebel, një fëmijë që nuk na dëgjon, një fëmijë që nuk bën atë që themi ose atë që do të donim. Ne bëjmë gabimin e madh duke menduar se fëmija ynë do të përshtatet lehtësisht me imazhin dhe ngjashmërinë tonë, dhe atëherë kur e gjejmë veten duke u marrë me jetën reale, kuptojmë se si gjërat i shpëtojnë kontrollit tonë.
Ne mund t’i orientojmë fëmijët, t’i ndihmojmë të bëjnë dallimin mes asaj që është e drejtë dhe asaj që është e gabuar, por jeta është e tyre dhe për të mësuar, ata do të duhet të bëjnë gabime me kokën e tyre.
Do të jetë gjithashtu e rëndësishme të jesh pranë tij në ato momente dhe të përpiqesh të kufizosh dëmet, duke u përpjekur t’i bësh ata të mendojnë dhe të kuptojnë rëndësinë e gjërave. Me pak fjalë, ne mund dhe duhet të punojmë patjetër, por kurrë nuk mund të përjashtojmë faktin që fëmija ynë të bëhet protagonist i ngjarjeve që nuk do t’i kishim imagjinuar kurrë.
Ky reflektim imi vjen pas shikimit të filmit “Dolcissime” i cili më bëri të mendoj se sa i vështirë është roli ynë si prindër sot dhe gjithnjë, por ndoshta sidomos gjatë adoleshencës. Një periudhë e ndërlikuar, në të cilën fëmijët priren të na përjashtojnë.
Në këtë film pashë tre shoqe me disa kile tepër, që jetojnë jetën e tyre të përditshme duke u ndier ndryshe nga vajzat e tjera në shkollë për shkak të fizikut të tyre.
Kam parë që prindërit nuk kanë mundësi t’i afrohen problemit të mbipeshës, e cila tani është një fenomen shqetësues, i përhapur në të gjithë Evropën. Kam parë vajza që tallen me vajzat e tjera sepse nuk respektojnë kodet e bukurisë që imponon shoqëria moderne.
Të gjitha problemet e rendit të ditës me të cilat askush nuk është i gatshëm të ballafaqohet: si prindër, ata nuk u mësojnë se si të merren me probleme të tilla delikate siç janë rregullimi i kujdesshëm i ushqyerjes, si t’u ushqejnë vetëbesimin kur ata vetë e neverisin imazhin e tyre ose sa e lehtë është të lëndoni ndjeshmërinë e një personi që nuk ju pëlqen.
Nga jashtë mund të thuhet se është e thjeshtë për të edukuar fëmijët me një dietë të saktë, për ta dashur njëri-tjetrin pa i kushtuar vëmendje pamjes fizike të një personi, për të mos dëmtuar ndjeshmërinë e atyre që dëshirojnë të jenë si ju, por jo, kur lindin këto probleme, administrimi i tyre nuk është aspak i thjeshtë.
Edukimi i fëmijëve është një përgjegjësi e madhe dhe të gjithë ne përpiqemi ta bëjmë atë sa më mirë, por realiteti është se nuk ka një formulë magjike për t’i bërë gjërat të funksionojnë. Kështu që brenda një çasti situata mund të dalë nga kontrolli dhe ju e gjeni veten duke luftuar kundër mbipeshës, ngacmimit ose mospëlqimit të trupit dhe kjo nuk është e lehtë.
Ato janë situata komplekse për të cilat askush nuk do të na përgatisë, por përveç vëmendjes maksimale që duhet të ruajmë gjithnjë ndaj fëmijëve tanë, nuk duhet të ndalemi kurrë t’u transmetojmë atyre dëshirën për të pasur sukses.
Përgatiti Brikela Daci / Burimi https://just4mom.it
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.