Dëshmi

April 4, 2020 | 18:08

Edukimi për nxënësit që nuk dëgjojnë, një sfidë jo nga karantina, por nga pamundësia për arsimim të avancuar

Nga Orjona Tresa

Me shumë dëshirë për të sjellë në vëmendje atë kategori të shoqërisë që thuajse askujt nuk i shkon mendja, u ndala këtë fundjavë për të ndarë një bisedë me ta. U kujdesa të mësoj më së pari për nxënësit e Institutit që nuk Shikojnë, të cilët me gjithë vështirësitë, më thanë se ia dilnin të zhvillonin në kohë dhe pa ndërprerje mësimin. Një bravo e madhe për të gjithë, sepse janë shembulli që na nevojitet ne “normalëve” në kushte të tilla. 

1Bisedën e dytë e ndava me Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë, të cilët gjuhën e shenjave e kanë armën e dijes. Në të njëjtin përfundim dola edhe për këtë rast. Fëmijë që pavarësisht kushtëzimit fizik, arrijnë të angazhohen totalisht  brenda linjës arsimore edukative. Ata ndjekin mësimin online më anën e grupeve të ndërtuara mes drejtorisë, mësuesve të lëndëve dhe prindërve, për një ecuri pa ndërprerje mësimore. Drejtoresha e këtij Instituti, Azbie Ramaj më komunikon se karantina nuk e ka penguar zhvillimin e një procesi normal mësimor, ndërsa karantina reale për këtë kategori fëmijësh thotë ajo, është pamundësia për të vijuar rritjen akademike të këtyre fëmijëve pas ciklit 9-vjeçar.

Intervista
Azbie Ramaj, drejtore e Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë

Azbie Ramaj, drejtore e Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë

Si po i kaloni këto kohë me fëmijët dhe mësimin online?

Edukimi për fëmijet që nuk dëgjojnë është nje sfidë jo vetëm e vendit tonë, por edhe e vendeve të zhvilluara. Vështirësia më e madhe e me të cilën ne ndeshemi me këta fëmijë është komunikimi, të cilën ne e mundësojmë nëpermjet daktilimit, leximit të buzëve dhe gjuhës së shenjave. 

Sa e vështirë është realisht për ju të përcillni lëndët përkatëse dhe të kërkoni bërjen e detyrave? A ka ndonjë aplikacion edhe për këta fëmijë që ua lehtëson procesin mësimor? 

Në këtë periudhë, falë dhe teknologjisë, ne realizojmë procesin mësimor nëpërmjet videove në whatsApp në gjuhën e shenjave, dërgojmë materiale dygjuhësore të përgatitura nga mësueset, të cilat janë në gjuhën e shkruar, me daktile dhe të konkretizuara me foto. Ky proces ka vështirësitë e veta, por ne ia kemi arritur të shkojmë tek çdo fëmijë, të zhvillojmë mësimin sipas planit mësimor duke i përfshirë të gjithë. 

Cilat janë mjetet?

Ne gjithmonë jemi përpjekur të përmirësojmë edukimin për këta nxënës. Realizimi i Platformës E-Learning “Unë Mësoj” e vetmja në Shqipëri në edukimin dy gjuhësh, në gjuhën e shenjave dhe gjuhën e shkuar është çelësi i suksesit tonë. Platforma mundëson mësimin në gjuhën e shenjave, i arritshëm dhe i kuptueshëm për nxënësit tanë, dhe në këtë mënyrë nuk u mungon komunikimi në gjuhën e tyre. 

2Sa i përket aspektit psikologjik, a ka pasur raste që kanë shprehur mërzitje apo pakënaqësi?

Në të njëjtën kohë me procesin mësimor, edhe shërbimi psikologjik ka qenë një nga prioritetet tona. Për vetë situatën ku jemi, nxënësit tanë e ndjejnë më shumë izolimin social. Çdo ditë ne komunikojmë me prindërit dhe fëmijët, shpërndajmë informacione, veprimtari argëtuese nëpërmjet lojërave të ndryshme, duke lehtësuar situatën emocionale dhe psikologjike të fëmijëve dhe prindërve, të cilët kanë një rol të jashtëzakonshëm në këtë periudhë. 

Sa fëmijë ka Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë dhe sa të integruar janë ata në shoqëri?

Aktualisht shkolla jonë ka 75 nxënës, të cilët janë nga e gjithë Shqipëria. Integrimi i nxënësve tanë lidhet me shumë faktorë, socialë dhe ekonomikë. Pas përfundimit të arsimit 9-vjeçar, për nxënësit tanë nuk ka mundësi për të ndjekur arsimin e mesëm ose atë profesional. Ky është një nga faktorët të cilët bëhet pengesë e integrimit dhe socializimit në shoqëri, sepse duke mos patur mundësi edukimi, ulet edhe mundësia për punësim dhe një jetesë të pavarur.

Punime nga nxënësit

3

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top