Në fokus

June 16, 2016 | 8:38

Edvin Shvarc

ATI & BIRI

Të njëjtin gjen, të njëjtin gjak, ideale, pasione, tipare dhe këndvështrime, përvoja jete, arritje, dështime, shije të përbashkëta, ngjashmëri, por edhe dallime. Të njëjtin ves të dëmshëm, duhanpirjen; pak a shumë të njëjtin profesion, përkthimin letrar, paçka se nga gjuhë të ndryshme. Me një fjalë: “Bëmë baba, të të ngjaj”. Shumë njerëz të afërt që na kanë njohur mirë, thonë se më ka nxjerrë nga hundët, por kjo nuk është e vërtetë. Jam munduar gjithmonë të vjel vetitë dhe virtytet më të mira nga të dy prindërit, në mënyrë që dal një hibrid i përmirësuar. Kam përvetësuar shumë dhe i ngjaj jashtë mase edhe sime mëje, Aristea Mimës, poliglotja e vërtetë në familjen Shvarc, e cila më ka mëkuar, veç të tjerash, edukatën për punën si dhe dashurinë për gjuhët.

MUNGESA & PRANIA (e babait)

Mungesa është e pazëvendësueshme, me gjithë tërësinë e përbërësve të saj: fizike, shpirtërore, mendore, kulturore, njerëzore. Prania, ose më mirë hija e tij, duke filluar që nga sytë sterrë të zinj që më ndjekin kudo, nga buzëqeshja paksa ironike që më përcjell lloj-lloj nënkuptimesh, cigarja që i varet nga cepi i buzëve të rrudhura, tymi i duhanit që më mbështjell duke ma marrë frymën, lavdërimi i përkthimeve të tij dhe krahasimi i pashmangshëm me të që më bëhet në mënyrë të pavetëdijshme nga të tjerët – me një fjalë, gjurmët e tij janë kudo dhe më shfaqen përpara në rrugën e gjatë të jetës edhe atëherë kur nuk i pres.

LETËRSIA & PËRKTHIMI

Letërsia më ka shërbyer ngaherë si një arratisje nga realiteti, si një strehëz e ngrohtë dhe e sigurt nga stuhitë, si një liman ku shpesh, gjatë udhëtimeve të pafundme nëpër detet dhe oqeanet e jetës, anija ime ankorohet për pak çaste, duke më dhënë mundësinë të mbledh veten, të riparoj dëmet, të rigjej forcën dhe shpresën, të ëndërroj me sytë hapur duke u përhumbur në lloj-lloj vegimesh dhe duke u identifikuar me lloj-lloj personazhesh. Vazhdon të mbetet pasioni më i fortë i gjallimit tim, nga i cili, fatmirësisht, ende nuk kam hequr dorë. Nga ana tjetër, përkthimi, ai letrar sidomos, mbetet jo vetëm profesion, por edhe çlirim dhe qetësim mendor, paçka se shumë rraskapitës. I ngjan një pune të mundimshme për të mataruar një shtëpi me të gjitha orenditë brenda, një lloj “mbartjeje intelektuale” ku duhet të jesh tej mase i kujdesshëm dhe të mbartësh fillikat, me mendje e me shpirt, gjithë “ngrehinën / romanin / novelën / tregimin” nga një gjuhë në tjetrën, nga një vend apo kontinent në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën, pa tjetërsuar dhe pa mundur që të shtosh asgjë. Akoma edhe më keq, duhet të jesh jo vetëm “mbartës”, por edhe rindërtues e rregullues, duke u përkujdesur që “orenditë / qelqurinat / fjalët / frazat / figurat letrare” të shpalosen po aq mahnitshëm nëpër dhomat dhe bufetë e kësaj ngrehine të porsangritur në këmbë, duke mos humbur kurrsesi as edhe një fije nga bukuria dhe rrëzëllitja e tyre fillestare.

“EKSODI” I LEON URISIT

Përkthimi dhe botimi në shqip i këtij romani historik të rimëkëmbjes së “një populli pa tokë, në kërkim të një toke pa popull” ishte një amanet i përmbushur më së miri, jo vetëm i tim eti, por edhe i gjyshit, Juliusit, i cili qe i pari nga familja jonë që e lexoi në vitet `60-të dhe e sugjeroi për ta përkthyer. Një punë e lodhshme, por e kujdesshme disavjeçare e tim eti, një redaktim dhe korrektim letrar i sime mëje dhe një kontribut tejet modest nga ana ime. Më shërbeu si një shkollë e vlefshme dhe e paharrueshme përkthimi, si një përballje, por edhe pasurim dijesh gjuhësore, kulturore e historike me një mjeshtër përkthimi, e cila u shpërblye në fund me një si lloj certifikimi të shkruar me dorën e tij nga im atë në faqen e parë të dorëshkrimit: “Përktheu Robert dhe Edvin Shvarc”.

SHQIPËRIA & AMERIKA

E para, vendlindja, toka që më mban sipër e ku gjalloj, mëmëdheu ku linda dhe me vetëdije të plotë e gjithë dëshirë vazhdoj të jetoj. E dyta, një mozaik i përsosur identitetesh, gjuhësh, kombesh, kulturash, vlerash – një “Kullë Babeli” e mirorganizuar dhe funksionuese, një tokë që më ka ofruar jo vetëm mua, por edhe miliona të tjerëve, dije, njohuri dhe mundësi të pamata. Vite më parë, nën ndikimet kulturore, historike dhe shoqërore të kohës, rashë keq në dashuri me “Statujën e Lirisë” në Nju-Jork, e cila shërbeu si një fanar rrëzëllitës për gati një të tretën e jetës sime, duke më joshur drejt saj në fillim e duke më tunduar e ngadhënjyer më pas në vazhdim. Më vonë, siç ndodh shpesh me dashuritë e mëdha, kur u bëra i vetëdijshëm se kohët dhe interesat kishin ndryshuar, sidomos kur u binda se zjarrmia e ndjenjës sonë ishte venitur paksa dhe duke mos qenë aspak i gatshëm ta ndaja më idhullin e marrosjes sime dashurore edhe me të tjerë, vendosa, edhe për shumë arsye të tjera personale, t’i rikthehesha dashurisë sime të parë e të përjetshme – vendlindjes. Duke qenë se nëna ime më ka sjellë në këtë botë në maternitetin e Tiranës, nën përkujdesjen e doktor Ilir Gjylbegut, jam plotësisht i vendosur që edhe pjesën tjetër të jetës ta kaloj këtu, gjithmonë nëse do të ketë një copëz vend edhe për mua…, sepse ngado që hedh sytë, hasem me shterim vlerash njerëzore apo mbivendosje pronash, qofshin ato edhe intelektuale.

Psikologji Mars 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top