Gënjeshtra nuk të zgjat hundën, siç i ndodh Pinokut në përrallën e Carlo Collodi-t, por zona përreth saj nxehet. Ky është përfundimi i një studimi nga Universiteti i Granada-s, sipas të cilit gënjeshtrat nxehin zonën rreth hundës. Autorët e studimit, Emilio Gomez Milan dhe Elvira Salazar Lopez, kanë përdorur termografinë për të arritur në këtë përfundim, të cilin e kanë quajtur efekti “Pinok”.
Bëhet fjalë për një teknikë që bazohet në matjen e temperaturës: sa më e lartë të jetë temperatura e një pjese të trupit, aq më e madhe është sasia e rrezatimit që matet nga telekamera termike. Nga rezultatet ka dalë se, kur njerëzit gënjenin, temperatura e hundës dhe e muskujve të brendshëm të syrit rritej. Kur gënjejmë, rriten nivelet e stresit në organizëm: shtohen rrahjet e zemrës dhe fluksi i gjakut në kokë. Sipas studiuesve, këto variacione ndodhin për shkak të aktivitetit të insulës (pjesë e kores cerebrale), e cila kontrollon dhe rregullon temperaturën e trupit dhe aktivizohet vetëm kur shprehim ndjenja të veçanta. Me pak fjalë, sa më i lartë është aktiviteti i insulës, aq më e ulët do të jetë variacioni i temperaturës. Në të kundërt, në rast gënjeshtrash, insula do të aktivizohet pak dhe temperatura do të rritet.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.