Në fokus

July 25, 2017 | 11:57

Egi Kacani, gjimnazistja shqiptare që ngriti skuadrën e volejbollit në Amerikë

Nga Orjona Tresa

Çdo ditë e më shumë dëgjojmë për ikjen e trurit jashtë. Të rinj dhe të reja që e shikojnë ta ardhmen larg kufijve. Një brez që po e ndërton jetën larg vendlindjes, duke dhënë maksimumin në shtete, ku shtigjet e mundësive janë të pafundme dhe krejt të lirshme për të bërë zgjedhjen e duhur.

Egi Kacani, sot 18-vjeçare, një vajzë e pjekur për brezin që përfaqëson, krejt rastësisht më bëri të mësoja për ambiciet dhe sfidat e saj në Amerikën e largët, pas një përpjekjeje të gjatë për t’u zhvendosur për më shumë dije qoftë dhe në një vend pranë Europës.

20399260_1593491977341847_2082167985_o

Egi, përfaqëson brezin e të rinjve shqiptarë që na bën të ndihemi krenarë për shembullin që jepni jashtë kufijve. Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Ndihem shumë krenare dhe e lumtur që brezat e rinj kanë filluar të tregojnë veten jashtë territoreve shqiptare.

Si erdhi largimi yt nga Shqipëria? Në çfarë viti shkollor ishe dhe si aplikove për të ndjekur studimet në Amerikën e largët?

Gjatë vitit të dytë të gjimnazit disa prej shokëve të mi po mendonin të largoheshin në vitin e tretë për të ndjekur studimet jashtë. Dhe unë mendova, pse jo! Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të vazhdoj studimet e larta jashtë Shqipërisë dhe në qoftë se do ikja që në gjimnaz, do e kisha më të lehtë për universitetin. Nisa të kontrolloja për disa gjimnaze ndërkombëtare në Europë, sepse mendoja se Amerika ishte shumë larg dhe e papërballueshme për një familje me nivel mesatar në Shqipëri. U pranova në disa shkolla evropiane, ndërkohë që një ditë, papritur më vjen një e-mail që isha pranuar në fakt edhe nga shkolla amerikane ku studiova më pas. U çudita shumë, sepse kisha kryer aq shumë aplikime sa nuk i mbaja mend. Kisha interes për këtë shkollë, sepse doja shumë të vazhdoja studimet në Amerikë. Ndoqa të gjitha procedurat e kërkuara dhe arrita të fitoja edhe një bursë, e cila më dha vendimin përfundimtar që vendosa të shkoja atje.

20427266_1593491904008521_1820099867_o

Si ishte fillimi dhe ku i gjete forcat për t’u mësuar me një jetë ndryshe nga ajo që le pas?

Fillimi nuk ishte aspak i vështirë, edhe pse unë nga çfarë më thoshin njerëzit prisja diçka shumë të vështirë, por jo. Tani që e mendoj edhe më gjatë, them se isha një 17-vjeçare që po ikte në Amerikë e vetme për të vazhduar vitin e fundit të gjimnazit. Çdo gjë që më priste apo e shihja, ishte e re dhe  kisha më shumë kuriozitet. Patjetër që ka vështirësitë e veta, sepse je shumë larg familjes, por në qoftë se je dikush që i ke shumë të ndara parimet dhe e di se për çfarë synon, do ia dalësh më së miri.

Mësova që falë rezultateve nga gjimnazi në Shqipëri keni mundur të jepni kontribut të vyer edhe për skuadrën e volejbollit në shkollën ku keni studiuar në Amerikë. A mundet të kem një rrëfim nga ana juaj në lidhje me këtë?

Gjimnazi ku isha unë, ishte i vogël, i ri dhe jo shumë i dëgjuar. Më thanë se do hapnin një ekip volejbolli dhe unë duhej të shkoja për t’u provuar si të gjitha vajzat e tjera. Gjendja e tyre nuk ishte i një niveli shumë të lartë pasi shumë prej tyre nuk ishin marrë ndonjëherë me këtë sport. Kisha një dëshirë shumë të madhe për të luajtur dhe fola me trajnerin për të marrë pjesë në kampionatin midis shkollave. Ishte një punë shumë e vështirë. Por ne ia dolëm të fitonim vendin e parë pa asnjë humbje.

20292329_1593491810675197_490121383_n 

Si ishte t’i jepje titullin kampion skuadrës amerikane, e cila prej vitesh ishte në humbje?

Gjithashtu unë kam marrë pjesë në një ekip tjetër, por që ishte kampionat ndërmjet rajoneve dhe shteteve të ndryshme. Ajo përvojë më ka rritur dhe mëshuar shumë nga të gjitha aspektet, përfshirë edhe aktivitetin sportiv.

Janë pritshmëritë e tua për të qenë një volejbolliste me kombëtaren, shqiptare pse jo, apo prirjet qëllojnë diku më lart?

Të luash me kombëtaren shqiptare është një privilegj shumë i madh dhe thjesht do t’ia lë kohës të vendosë për të gjitha.

Si po i kalon pushimet në Shqipëri, çfarë të bën ta kthesh kokën pas?

Këto më janë dukur pushimet më të bukura që kam kaluar ndonjëherë. Unë në më pak se një muaj do largohem përsëri për të vazhduar shkollën e lartë në Amerikë. Familja është e vetmja gjë që më bën të mendohem më shumë apo ta kthej kokën pas, Por unë jam shumë e vendosur për të ardhmen time, ku një prej planeve të saj është ribashkimi me familjen përsëri, por nuk e di nëse do të jetë në Shqipëri apo në Amerikë.

20394611_1593491934008518_921233269_o 20428450_1593491947341850_923115196_n 20292538_1593491967341848_1858893597_n 20401205_1593491950675183_123966711_n 20292329_1593491810675197_490121383_n

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top