Partneri apo fëmijët, cili është prioriteti yt dhe pse?
Sigurisht fëmijët edhe partneri. Mendoj që secili prej tyre është prioritet më vete. Jo pa qëllim që vendosa fëmijët në radhë të parë, sepse jo vetëm që janë lindur edhe po rriten me kontributin tonë të përbashkët, por edhe janë prioriteti ynë i përbashkët. Secili prej fëmijëve ka gjithashtu një vend të veçantë tek prioritetet e mia. Eriku që po bën 18 vjeç, është prioritet sepse është në një moshë që i duhet të bëhet më i pavarur edhe të fillojë të marrë vendime të rëndësishme për veten edhe të ardhmen e tij. Ndërsa Megi, që është 3 vjeç e gjysmë është prioritet edhe për moshën, nevojën për përkujdesje dhe vëmendjen që kërkon. Gjithsesi familja është gjëja më e rëndësishme që e kam edhe bekimi më i madh që më ka dhënë zoti.
A ndryshojnë prioritetet nga koha në kohë? (Dmth në periudha të ndryshme, në situata të ndryshme)
Patjetër që po. ndryshojnë në varësi të nevojave që kanë fëmijët apo partneri, problemeve me të cilat mund të përballet një familje, mundësive që kemi për t’u marrë me secilin prej shqetësimeve apo problemeve, etj. E vështirë mbetet balanca apo harmonizimi i punës me familjen, sepse në momente të caktuara duket sikur kjo balancë prishet. E rëndësishme është që secili prioritet të trajtohet si i tillë duke i kushtuar vëmendjen e duhur.
A merrni ankesa nga partneri (në rastin kur fëmijët janë prioriteti)?
Mbase jo seriozisht, por me shkaka më ka ndodhur që të marr ankesa. Për shkaka të angazhimeve, duke pasur kohë të kufizuar të qenies më familjen, vendos prioritet fëmijët. Dhe pse bashkëshortit i pëlqen vëmendja edhe kujdesi ndaj fëmijëve, sërish mungesa e vëmendjes nuk i pëlqen askujt. Gjithsesi, ai është shumë mbështetës edhe më mirëkupton.
Çfarë trukesh bëni për të ekuilibruar situatat?
Nuk do t’i quaja tamam truke, por mënyra për ta lehtësuar këto situata. Të jem e sinqertë jo gjithmonë ja dal mbanë, sepse jam njëri si të gjithë të tjerët edhe kam edhe unë dobësitë apo të metat e mia. Mundohem që kohën që kalojmë bashkë me familjen të jetë më cilësore, të bëj gjëra ku secili të gjejë veten. Mund të bëjmë diçka ku të jemi vetëm me djalin, një aktivitet tjetër që të jemi vetëm me vajzën, apo vetëm me bashkëshortin. Mundohemi të shijomë momentet familjare ku secili të ndjehet mirë. Në rastin kur e shoh që kam prishur ndonjë ekuilibër, mundohem që të rikuperoj atë që mund ta kem bërë qoftë edhe pa dashje. Shumë e rëndësishme për mua është që çdo gjë të behët me dashuri dhe ndikimi që ka është gjithmonë pozitiv për secilin prej nesh.
Botuar në revistën Psikologji, tetor 2010.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.