Mirëqenie

June 17, 2016 | 8:37

Eli Fara: Në kuzhinë kam shpirtin e pasionit

Për gjërat e shtrenjta në jetë thuhet se duhet të dish t’i mbash, për t’i pasur përgjithnjë. Ashtu siç mjafton vetëm një moment dobësie që ato të rrëshqasin nga duart, për t’i humbur sakaq. Për këngëtaren Eli Fara, tri janë asetet e pazëvendësueshme, që për të nuk kanë çmim: Marina, e bija, të cilën e cilëson si motivin e jetës; muzika, që është ilaç për shpirtin e saj; si edhe gatimi, terapia e përditshme që e ndihmon të transformojë gjendjen emocionale, duke e bërë të ndihet thjesht vetvetja. Janë pikërisht ato ndjesitë e para që të bëjnë të humbasësh kohën dhe mendjen tek to. Lypin përkushtim, ndryshe nuk do të bëheshin me aq dëshirë, të paktën nga ana e saj. Kuzhina dhe të gatuarit janë proceset ku ajo përhumbet e tëra, përfshihet mes ideve sa origjinale aq edhe të reja, duke i besuar herë fantazisë dhe herë traditës në recetat që ajo përgatit. “Më pëlqen të gatuaj çdo ditë. Shtëpia është për mua restoranti më i mirë, sepse aty kam mundësi që të shijoj në rehatinë e strehëzës sime bashkë me vajzën, një pjatë të përgatitur nga unë. E shijoj çdo çast gjatë gatimit. I prek me delikatesë perimet apo zarzavatet, aq sa më duket sikur i lëmoj, i përkëdhel, i ndjej ndër duar. Pastaj, jam tepër vigjilente në përbërësit që përdor,në fajancat që zgjedh, në detajet që më shoqërojnë gjatë gjithë procesit deri në momentin kur ulem për të ngrënë në tryezë. Duke qenë amvisë e vjetër, nuk ia fal vetes gabimet. Në kuzhinë mundohem të jem sa e përkushtuar, aq edhe e talentuar për të realizuar receta të shijshme”, thekson këngëtarja. Kur gjërat bëhen me dëshirë, dhe mbi të gjitha me zemër, rezultati në mos është i përsosur, të paktën është i veçantë. Nuk janë në tipin e Elit gjërat e sforcuara, që duhen bërë me pahir. Do të kishte dështuar që në krye të herës, edhe nëse do të lëvizte vetëm gishtin. Gatimi për këngëtaren është vetëm kënaqësi. “Është si një marrëdhënie e dyfishtë: jap nga vetja për të marrë e për të përftuar në fund një pjate të shijshme, që nuk përsëritet çdo herë. E bëj me qejf, sepse asgjë nuk më ngut. Vetëm në rastet e angazhimeve profesionale, përgatis sallata ose supë, pjata të lehta. Edhe nëse kam kaluar një ditë të lodhshme dhe të mbingarkuar, gatimi më ndihmon për të nxjerrë nga vetja energjitë negative. E rëndësishme është që unë çdo ditë vë tenxheren në zjarr ose tepsinë në furrë. Mendoj se është si një trashëgimi e vjetër familjare, pasi në shtëpinë e prindërve të mi gatuhej çdo ditë, dhe mjaft shëndetshëm”, vijon Eli Fara. Dëshira për gatimin duket se ka ardhur e kultivuar tek ajo, për t’u bërë sot pjesë e pandarë në jetën e këngëtares. Ashtu siç mban mend serenatat e bukura të qytetit të lindjes, nuk mund të harrojë edhe ato episodet fëminore, kur ende një çupëlinë e parritur i merrte okllainë mamasë nga dora për të hapur petët e byrekut, e shtronte atë në tepsi dhe e çonte për ta pjekur në furrën e lagjes. “Unë isha një nga ato korçaret që çdo të diel shkoja për të pjekur byrekun që shpeshherë e përgatisja vetë. Më pëlqente kjo gjë, ndaj ishte një nga arsyet se pse mezi i prisja të dielat në qytetin tim”. Sot rrjedha e jetës së Eli Farës ka ndryshuar kryekëput. Komoditetin, bollëkun i ka bashkudhëtare. Sigurisht, tanimë ajo ka mundësinë të kujdeset edhe për anën estetike, e cila është vetëm një faqe e librit të kuzhinës, së cilës ajo i kushton vëmendje pa kursim. Një tryezë e shtruar nga Eli, vështirë të krahasohet edhe me restorantin më luksoz. Mbulesa e bardhë prej mëndafshi, pecetat e lidhura me kapëse me gurë të mëdhenj, gotat e kristalit të verës dhe ujit, pjatat prej porcelani cilësor, ashtu si edhe lugët e pirunët… janë ana e dukshme e kuzhinës “alla Eli Fara”. “Unë nuk harroj të vë mbi tavolinë çdo gjë të nevojshme, nga kripa, vaji i ullirit, erëzat, lugët e pirunët, thikat e dy lloje gotash, pra çdo gjë. Dua që kur të ulem në tavolinë, t’i kem të gjitha përpara syve, që të mos çohem çdo çast për të plotësuar kornizën e gjërave. Po kaq të nevojshme, e sheh edhe kontrastin e ngjyrave në pjatat e servirura… nuk e tërheqin nuancat e forta, sepse ajo është e kapur fort pas së bardhës… jo vetëm në veshje, në arredimin e shtëpisë, por edhe në ngjyrat e fajancave e mbulesave të tryezës së ngrënies, e bardha është e preferuara e Elit. Për këtë zgjedhje, e ka një arsye: “E bardha është ngjyra që më hap shpirtin, që më mbush, më ndriçon. Me pak fjalë, ngjyra e bardhë më rri mirë…”. Për të, e rëndësishme është që gjërat të jenë të ndjera… e nëse rezulton kështu, misioni quhet i kryer!

2

Psikologji Mars 2011

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top