Në fokus

February 23, 2017 | 11:40

Eligerta Sadja, 19-vjeçarja që bën filma në Mollas

Nga MIRANDA SADIKU

Një temperaturë e lartë kur ishte vetëm 9 muajshe, do t’i shkaktonte një paralizë, Eligerta Sadjas dhe që atëherë nuk mundi më të ecë. Kështu nis historia e jetës së vajzës nga Selita e Mollasit, e cila çdo ditë i thotë vetes “nëse ke dëshirë, gjithçka arrihet”. Një vajzë me aftësi ndryshe, Eligertës i është dashur të përballet me shumë vështirësi në jetë, edhe pse siç shprehet ajo, nuk i ka munguar mbështetja e prindërve.

eligerta-3

Në moshën 9–vjeçare, babai i saj i cili ishte në emigrim, vendos të marrë edhe familjen në Selanik të Greqisë.

“Bashkë me mamin dhe tre vëllezërit e mi, shkuam në Greqi, ku nisa edhe shkollën. Shokët dhe stafi i mësuesve më pritën mjaft mirë, asnjëherë nuk e ndjeja veten si një fëmijë ndryshe nga të tjerët edhe pse më duhej që gjatë të gjithë kohës të lëvizja me karrocë”.

Një nga pasionet e Eligertës është aktrimi, dhe regjia. “Këtë pasion ma ka zbuluar mësuesja ime në shkollën e Selanikut”. Kështu nis edhe dëshira e Eligertës për të realizuar një film.

“Ishim në klasë, kur mësuesja erdhi dhe na tha se duhej të realizonim një film me metrazh të shkurtër, për Festivalin e Artit, i cili realizohej mes shkollave dhe në juri ishin aktorë të njohur grekë. Ndërsa mësuesja po tregonte skenarin dhe po ndante aktorët në rol, u drejtua nga unë dhe më tha.  “Ti Eligerta do të luash rolin kryesor në këtë film”. Dhe kështu ndodhi, unë isha një vajzë në karrocë, ku babai im për arsye ekonomike më nxirrte që në mëngjes në semafor për të lypur. Kur unë nuk mblidhja aq para sa ai donte, babai niste të më fyente dhe të më shante. Sakaq, gjatë të gjithë kohës një siluetë më ndiqtë për së largu, derisa një ditë kur ai pa që babai im po më bërtiste, duke më thënë se nuk do të më merrte më në shtëpi pasi unë nuk isha e aftë të lypja, u afrua dhe nisi të debatonte me të. Aty mësova se ishte një oficer policie, i cili arrestoi babain tim dhe mua më dërguan në një jetimore”.

2

Sipas Eligertës filmi u pëlqye shumë nga të pranishmit, duke u vlerësuar me çmimin e tretë.

“Por më së shumti jurisë i pëlqeu mënyra se si unë intepretoja, mënyra se si nisja të qaja sa herë që babai më bërtiste. Madje disa nga këta aktorë më përshëndetën, duke më thënë që të mos e lija pas dore aktrimin, pasi sipas tyre unë në të ardhmen do të bëhesha një artiste e vërtetë”.

Që nga ajo kohë, Eligertës iu zgjua një ëndërr e bukur, aq sa herë pas here harronte që ishte një vajzë me aftësi ndryshe. Por ajo nuk u dorëzua. Prindërve të Eligertës iu desh të riktheheshin sërisht në Shqipëri, dhe tashmë ajo ka tre vjet që jeton në Mollas, i është rikthyer sërish shkollës, dhe për arsye të sistemit arsimor, tashmë është në vitin e II–të në gjimnaz.

“U ambjentova shumë shpejt si me shokët në shkollë, ashtu edhe me kushtet që të ofron fshati. Më duan dhe më respektojnë të gjithë, dhe ndjehem mirë. Pas mësimit kur kthehem në shtëpi edhe pse dëshirën e kam të madhe që të ndihmoj mamanë time me ndonjë punë, nuk mundem, kështu që pasi bëj mësimet, nis e lexoj libra, madje më pëlqen të shoh dokumentarë dhe histori të ndryshme në televizor. Kështu e kaloj pjesën më të madhe të ditës”, thotë Eligerta.

FILMI

Po, kush tha se filma s’mund të bëhen edhe në Mollas?!

“Një ditë mora bllokun dhe nisa të shkruaja një skenar. Arrita ta shkruaja duke përfshirë brenda sekuenca dialogu, heshtje, muzikë, gjithçka që përmban një skenar filmi. Të gjitha arrita t’i realizoj me mendjen time, pa e pasur idenë se si shkruhet një skenar. Pas kësaj, kërkova ndihmën e shokëve të klasës sime, por edhe të mësuesve. Ata pranuan të më mbështesnin që bashkë të finalizojmë një film, ku një ndihmesë të madhe më ka dhënë mësuesja Poliksen Bojgora, e cila na ka ndjekur hap pas hepi deri në përfundimin e sekuesnave filmike. Edhe pse me pajisje të vjetra, thuajse pa para, unë kisha një dëshirë, dhe në një mënyrë apo tjetër isha e bindur se do ta realizoja”, thotë Eligerta.

Me ndihmën e shokëve të klasës, si edhe të vëllezërve të saj, Eligerta mundi të kontaktonte me një kameraman, i cili u tregua i gatshëm që të filmonte çdo sekuencë të këtij filmi dhe më pas ta montonte atë.

“Filmi jo vetëm që u realizua, por nuk e mendoja se do të dilte aq i bukur, të paktën për sytë e mi dhe të atyre që kanë mundur ta shohin deri tani”, thotë Eligerta.

Ju deshën 17 personazhe filmi, një kamer, një ndihmë në ambjentet e shkollës, si edhe të spitalit të Mollasit, dhe nisi fushata e gjatë, por e bukur për të dhe miqtë e saj.

“Nisëm të xhironim filmin, të cilin e titullova “Kurrë mos hiq dorë nga diçka që të bën të lumtur”.  Sërish unë kisha rolin kryesor, ku nëpërmjet rrjetit social FB njoha një djalë, i cili ishte në emigrim. Gjatë bisedave me të, ai nisi të më dashuronte por edhe unë. Një ditë vendosi të vinte dhe kur më pa në karrocë, pashë një zhgënjim në sytë e tij. Në klasën time ishte një vajzë që nuk e pëlqente këtë lidhje, dhe ajo u bë shkak që unë dhe djali të mos takoheshim më, pasi ajo në çdo moment përpiqej t’i tregonte atij se unë nuk isha e aftë për asgjë, pasi në fund të fundit isha me aftësi të kufizuara dhe se karroca do të ishte miku im gjithëjetshëm. Por nuk kaluan shumë kohë dhe motra e vajzës, që tentoi të më ndante nga djali që më dashuronte, bëri një aksident dhe nuk mundi të ecte më. Pas kësaj vajza më kërkoi të falur dhe ne u bëmë sërisht mike, ndërsa unë me djalin rilidhemi sërisht për të mos u ndarë më.”

Kështu përfundon filmi me skenar dhe regji të vetë Eligertës. Një film që për fatin e keq të saj ka mbetur në një disk në sirtar, pasi për kushtet që ka, ajo nuk mundet dot ta shfaqë diku, apo të përmirësojë diçka.  Kur mësoi se gazeta “Panorama” ishte e interesuar të dinte më shumë rreth saj dhe filmit të realizuar nga vetë ajo, Eligerta është e bindur se ndonjë shtëpi kinematografike do të jetë e interesuar të mësojë më shumë rreth këtij filmi dhe ndoshta e ndihmon që në të ardhmen të realizojë të tjera skenare.

3

E ARDHMJA

Eligerta është vetëm 19 vjeç, por e ka të qartë se cila mund të jetë e ardhmja e saj.

“Kam shumë dëshirë që të bëhem psikologe, pasi për vetë kushtet që jam nuk mundem që të aktroj, ndoshta do të më pëlqente të studioja për regjisurë, por kjo nuk më duket shumë e arritshme. Unë dashuroj jetën, familjen, shokët e mi që më qëndrojnë gjatë të gjithë ditës pranë, por që të kem një histori dashurie intime, jo, nuk kam. Nuk e mendoj se do të mund të kem, pasi mentaliteti ku unë jetoj, nuk më le. Kush do të ishte ajo nënë që do të pranonte që djali i saj të dashuronte një vajzë me karrocë, apo edhe shoqëria ku ne jetojmë? Por, gjithsesi unë deri më tani jam shumë e lumtur, e kam pranuar jetën time kështu si më ka ardhur, dhe nuk mund të luftoj me fatin tim”, thotë Eligerta.

I vetmi shqetësim për të është mënyra e jetesës. Edhe pse në Shqipëri ka shumë shoqata të personave me aftë- si ndryshe, Eligerta thuajse nuk ka asnjë kontakt me to. I vetmi kontakt është ai me shtetin, kontributet që i jepen për shkak të aftësive të saj.

“Do të më pëlqente që të integrohesha edhe unë në aktivitete të shumta të shoqatave jo vetëm në Elbasan, por edhe në Tiranë, por kontaktet i kam të pakta për të mos thënë fare. Ndoshta me ndihmën edhe të këtyre Shoqatave unë do të kem mundësi që të realizoj ëndërrat e mia, siç është regjia për filma, por pse jo edhe njohja me sa më shumë njerëz si unë.”

Me shpresën se e ardhmja e saj do të jetë e bukur dhe me plot gjallëri, Eligerta vazhdon të jetojë çdo ditë e me më shumë eufori dhe dashuri për njerëzit, miqtë dhe familjarët e saj.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top