Të qenit e papunë, apo e paangazhuar me një profesion konkret, jo gjithmonë vjen si një zgjedhje për keq. Së paku, kështu është në rastin e Elinara Shehut. E favorizuar nga kushtet e mira ekonomike dhe me një dëshirë të thekur për të qenë bashkudhëtare në çdo hap që dy vajzat e saj hedhin në jetë, ka preferuar që të mos i thotë asnjëherë punës “mirëmëngjes”. Madje, thotë se nuk e imagjinon dot veten në një punë zyre, nën protektoratin e një drejtuesi. “Fakti që nuk kam tentuar të kem një punë, më ka ndihmuar që të rris mirë dhe t’i edukoj siç unë dua dy fëmijët e mi. Me siguri që nëse do isha e angazhuar profesionalisht, do u lija atyre diçka mangët, gjithashtu do e pengoja veten nga angazhimet profesionale dhe dëshirat vetjake gjë të cilën nuk e konceptoj dot”, pohon Elinara. Që në momentin e parë kur përjetoi mëmësinë, dhe jeta e saj kaloi në një tjetër fazë, Elinara u është dedikuar vajzave: Sofisë 13-vjeçare dhe Estelit 7 vjeç. Gjykoi se puna më e mirë që mund të bënte ishte: rritja e vajzave. Kot nuk thonë: të rrisësh një fëmijë, është si të ndërtosh një xhami! U ka qëndruar gjithmonë pranë, i ka mësuar si të shkruajnë e të lexojnë, i ka çuar dhe pritur për orë të tëra nëpër dyert e shkollës, apo mjediseve ku kryheshin kurset private. Pa kurrfarë ndihme, ajo ia ka dalë vetë që të edukojë vajzat e saj dhe në këmbim të marrë kënaqësinë e të pasurit të dy fëmijëve të edukuar e të sjellshëm. A do mund t’i bënte po kaq mirë këto etapa dhe të ishte një nënë e përkryer nëse do të kishte një punë?! Elinara pohon me bindje që në njërën prej tyre me siguri do të kishte dështuar. Dhe dështimet vështirë se ajo i pranon ndonjëherë.
***
Duke pasur gjithë ditën në dispozicion të vetes dhe familjes, shumëkush mund të mendojë se ajo ka luksin për të bërë gjërat që do, dhe të vërë gjithë kohën në funksion të dëshirave të saj. Por, 35-vjeçarja pohon krejt të kundërtën. “Unë nuk e kuptoj se si më ikën dita. Gjithçka fillon me një zgjim të zhurmshëm dhe mbi të gjitha të detyrueshëm, sepse duhet të çoj vajzat në shkollë. Sikur të isha e angazhuar në një punë me orar zyrtar, jam e bindur që nuk do ia kisha dalë mbanë. E më pas, ndonjë takim me mikeshat e mia, me të cilat bisedoj për familjen, vajzat, muzikën e librat, e deri te trafiku i rënduar në rrugë. Në pjesën tjetër të ditës më presin detyrimet shtëpiake e ato personale”, thekson Elinara Shehu.
***
…“Fëmijët të japin jetë, por njëkohësisht janë tepër të lodhshëm, kërkojnë përgjigje pas çdo pse-je që thonë. E pikërisht në këto faza lodhje, momente reflektimi apo mbingarkese profesionale… e ndjej nevojën e një pune, pasi e shoh si hapësirë investimi për veten. Por, ama vetëm në këto situata… që për mua realisht janë të pakta”, përfundon ajo. E megjithatë nuk futet në grupin e njerëzve që e kanë sakrifikuar 100% pjesën profesionale. Elinara njihet si një këngëtare e talentuar që lëvron një zhanër krejt të veçantë muzikor. Ka fansa dhe publik të gjerë, që e ndjekin nëpër performancat e saj artistike. Për Elinarën, një grua e realizuar është ajo që ndihet mirë me veten e saj… Qoftë një femër që bën karrierë, një tjetër që merret vetëm me familjen, apo edhe një që nuk bën asgjë. Për të qenë vetvetja, njeriu duhet të dijë ku t’i kërkojë kënaqësitë e tij, për të qenë kësisoj i plotësuar pikësëpari shpirtërisht, e mandej materialisht.
Botuar në revistën Psikologji, Gusht 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.