Nga Orjona Tresa
Prilli është muaji i ndërgjegjësimit për autizmin, një kohë që na kujton se pas çdo diagnoze ka një histori, një familje dhe një jetë që kërkon të kuptohet më shumë se të gjykohet. Mes shumë rrëfimeve që flasin për sfida dhe pasiguri, historia e Eljona Zaimit është një shembull i fortë se sa shumë mund të ndryshojë dashuria dhe përkushtimi i një familjeje.

Sot 22 vjeçe, Eljona nuk ka marrë kurrë mjekime dhe ka përfunduar ciklin 9-vjeçar të shkollimit. Rruga e saj nuk ka qenë e lehtë, por është ndërtuar hap pas hapi nga duart e familjes së saj, nga gjyshja që e kuptoi e para se kishte nevojë për më shumë vëmendje, nga dy prindërit që nuk u trembën nga e panjohura, dhe nga motrat dhe vëllai që sot janë bërë pjesë e përditshme e kujdesit dhe dashurisë për të. Në këtë rrugëtim, babai i saj, Çlirimi, ka zgjedhur gjithmonë të tregojë anën më të ndritshme të kësaj historie. Me shembullin e tyre si familje, ai frymëzon shumë prindër që përballen për herë të parë me autizmin, duke dëshmuar se përkushtimi, durimi dhe pranimi mund ta kthejnë frikën e fillimit në një histori shprese.
Eljona është një vajzë që e adhuron natyrën dhe ecjen në mal, që di të mbledhë dhe të zbresë deri në 100, që shkruan e lexon, por që mbi të gjitha ka mësuar familjen e saj ta shohë botën me një tjetër qetësi. Jona është “vajza speciale e babi Çlirimit dhe mami Ermirës”, siç e përshkruajnë shpesh ata vetë, një vajzë që në heshtjen dhe mënyrën e saj të veçantë të komunikimit ka krijuar një univers të tërë dashurie rreth vetes. Përballja me diagnozën nuk erdhi si një stuhi në jetën e tyre. Çlirimi e kujton atë periudhë me një qetësi që nuk është e zakonshme për shumë prindër që përballen me të njëjtën situatë. “Ne nuk e kemi vuajtur se kemi qenë të rinj si çift. Unë 25 vjeç, kishim një biznes tonin atëkohë, market, dhe ishim të angazhuar. Barrën e ka mbajtur nëna ime, ndjesë pastë”, tregon ai. Ishte pikërisht ajo që e kuptoi e para se zhvillimi i Jonës po ndiqte një ritëm tjetër. “Ajo kishte punuar si mësuese në Shtëpinë e Fëmijës dhe kishte njëfarë përvoje. Nuk na e tha si bombë. Në fillim gjithçka dukej si çdo histori tjetër prindërimi. Fëmija i parë, ishim të lumtur. Fëmijë i bukur, i lezetshëm. Shkoi 2 vjeç dhe prisnim të thoshte ‘ma’ ose ‘ba’. Nuk ndodhi,” thotë Çlirimi. Por në vend të dëshpërimit, familja zgjodhi pranimin. “Nuk është se e përjetuam rëndë, as nuk u bëmë pesimistë që të qanim e të thoshim çfarë na gjeti. Nëna na kishte edukuar që të pranonim çdo lloj fëmije ndryshe.” Ai kujton edhe një traditë të veçantë të familjes së tij, ku çdo fundjavë, kur ishte i vogël, nëna e tij merrte fëmijët më çamarrokë nga Shtëpia e Fëmijës për të kaluar kohë me ta. Ishte një mënyrë për të mësuar empatinë shumë përpara se jeta t’ua sillte këtë provë në derë.

Kur dashuria bëhet terapi
Sot, ndërsa shumë njerëz e shohin historinë e Jonës si një sfidë të madhe, për prindërit e saj ajo është një rrugëtim i mbushur me mësime. “Unë nuk besoj,” thotë Çlirimi, “por Ermira thotë: ‘Na ka zgjedhur Zoti nga mënyra se si i trajtojmë fëmijët.’” Në përvojën e tij si prind i një fëmije në spektrin e autizmit, Çlirimi ka krijuar bindjet e veta për mënyrën se si duhet ndihmuar një fëmijë si Jona. Sipas tij, ndërhyrja e hershme është vendimtare, por jo gjithmonë në mënyrën që sugjerohet zakonisht. “Sa më shpejt ta kapësh si çrregullim, aq më shpejt duhet filluar terapia. Por specialistët këtu shpesh abuzojnë duke i drejtuar menjëherë tek logopedët. Ajo është e fundit për mua,” shprehet ai. Po të kishte mundësinë të kthehej pas në kohë, thotë se do të zgjidhte një rrugë tjetër: “Do të kisha bërë terapi zhvillimi. Si të vishet, si të lahet, si të gatuajë. Pra, si të mirëmbajë veten. Sepse kjo e bën jetën më të lehtë edhe për vetë fëmijën, edhe për familjen.” Çlirimi thekson edhe rëndësinë e mësimit për të menaxhuar emocionet dhe shpërthimet. Në bisedat me prindër të tjerë nga vende të ndryshme, ka kuptuar se kjo është një sfidë universale. “Kam komunikuar me një amerikan që ka djalin mbi 30 vjeç me të njëjtin çrregullim. Kur acarohet, ai del në kopsht dhe punon me shatë për të shkarkuar energjitë negative. Pra, ia kanë dalë ta mësojnë.” Për Çlirimin, kjo është një nga arritjet më të mëdha që mund të ketë një familje, t’i japë fëmijës mjete për të menaxhuar veten.
Në familjen e tyre, të gjithë kanë qenë pjesë e rrugëtimit të Jonës. Ai kujton me mirënjohje përkushtimin e nënës së tij dhe të motrave të Jonës. “Jona mbledh dhe zbret deri në 100, nuk ka nevojë për ndihmë. Shkruan, lexon, dikton. Ledin ka më me hatër, sepse ajo i qëndronte strikte kur bënte detyrat.” Me kalimin e kohës, Jona është zhvilluar shumë, por njëkohësisht është bërë edhe më e përkëdhelura e familjes. “Të gjithë si familje tek Jona i kemi pasur sytë. Ajo e ka kuptuar këtë.” Komunikimi i 22-vjeçares është i veçantë sipas babait të saj. Nuk është gjithmonë me fjalë, por familja e kupton pa shumë shpjegime. “E bën një gabim dhe vjen më jep faqen, më puth. Që do të thotë: ‘Mos më bërtit!’ Ose më thotë ‘bëj-bëj’, d.m.th dua ta bëj.” Në shumë raste motivimi vjen nga gjëra të thjeshta. “Nëse do nutella, i them do ta blej, por duhet të bësh ushtrime. Do shkruash, do lexosh. I bën të gjitha dhe pastaj e meriton shpërblimin.”

Dashuria për natyrën
Terapia më e mirë për Jonën, sipas babait të saj, nuk është një dhomë klinike. Është natyra. “Natyra dhe ecja. Ajo e qetëson.” Një nga sfidat më të mëdha për të është gjumi. “Ka net që fle në 3 apo në 7 të mëngjesit. Ka net që rri në këmbë, me hiperaktivitet, dhe duhet të rrimë edhe ne.” Por gjithçka ndryshon kur ajo kalon kohë në mal. “Në momentin që e çon në natyrë, në mal, ajo në 9 bie në gjumë”, thotë Çlirimi. Dashuria e saj për ecjen është bërë pjesë e identitetit të saj. Dy vite më parë, Jona arriti një sfidë që do ta bënte krenar çdo alpinist. “Jona ka shkuar në malin e Korabit. Ndoshta është fëmija i parë që kemi shkuar para dy vitesh vetë. Nga Bjeshkët e Gramës ku jemi nisur, ka ecur përkrah meje.” Ai e kujton me emocion mënyrën si ecnin bashkë. “Ulesha unë, ulej edhe ajo për të pushuar.”

Zhgënjimet
Megjithatë, përtej historive të bukura familjare, Çlirimi nuk heziton të flasë hapur për vështirësitë me sistemin dhe shoqërinë. “Është e kotë të flas se çfarë nuk kam thënë. Këtu janë të papërgjegjshëm,” thotë ai me zhgënjim për institucionet. Sipas tij, familjet kanë nevojë për qendra shtetërore ditore ku fëmijët të mund të qëndrojnë dhe të zhvillohen. “Është nevoja për qendra shtetërore tetë-orëshe siç ka e gjithë bota.” Ai ngre edhe një tjetër shqetësim për nënat që kujdesen për fëmijë me autizëm. “Shteti jep sot 12 mijë lekë të reja që një nënë të rrijë me fëmijën me autizëm dhe nuk i paguan sigurimet. Ky është shteti që i konsideron këto nëna në të zezë.”
Edhe përvoja në shkollë nuk ka qenë e lehtë thotë ai. “E kemi çuar tek ‘Mihal Grameno’, po shkollë i thënçin. Na thoshin pas dhjetë minutash: ejani merreni se nuk po rri.” Për nëntë vite shkollë, qëndrimi i saj real në klasë ishte shumë i shkurtër. Edhe reagimet e komunitetit shpesh kanë qenë të ftohta, ndonjëherë edhe të dhimbshme. “Ka prindër që nuk janë dakord. Nuk ta thonë direkt, por e shprehin tek mësuesja.” Edhe në rrugë, gjykimi ndihet shpesh pa u thënë me fjalë. “Njeriu flet me gjeste. Me gjuhën e trupit ka ndodhur.” Megjithatë, ai thotë se nuk është lënduar kurrë thellë nga këto reagime. “Unë ndërgjegjen ta kem të pastër që po bëj maksimumin për fëmijën tim. Po ta bëj këtë, unë fle rehat në darkë. Çfarë thotë tjetri, çfarë vlere ka?”

Pa filtra
Në rrjetet sociale ai shpesh ndan momente të jetës me Jonën, pa skenar dhe pa filtra. “Nuk bëj përgatitje. Më pëlqen një situatë me syrin tim, më intereson gjendja e Jonës, këtë dua të transmetoj.” Për të, nuk ka nevojë për dramë. “Kam zgjedhur të nxjerr anën më pozitive të bashkëjetesës me këta fëmijë të veçantë. Të transmetoj qetësinë.” Momentet më të bukura janë gjithmonë ato më të thjeshtat. “Kur vjen dhe më puth apo më përqafon, edhe të jem duke vdekur, ngjallem,” thotë ai. Edhe një fjali e vogël e Jonës është e mjaftueshme për ta bërë të lumtur. “Kur më thotë: ‘Babi Çimi, te marketi nutella’, unë shkrihem fare.”
E nesërmja…
Në fund të ditës, mendimi për të ardhmen është i pashmangshëm për çdo prind. Çlirimi e di se një ditë ai dhe Ermira nuk do të jenë gjithmonë pranë saj. Por ai ka një shpresë që e mban të qetë. “Duke bërë më të mirën për Jonën, mendoj që kam mësuar fëmijët e mi që të bëjnë 20% nesër sa bëjmë ne sot.” Jona është fëmija i parë i familjes, e rrethuar nga katër motra dhe vëllezër: Olta, Ledi, Ana dhe Eltoni. Mes gjithë sfidave, ai u ka thënë gjithmonë diçka fëmijëve të tij: “Nëse nuk do mbani motrën tuaj, nuk do jeni kurrkush.” Sepse për këtë familje, Jona nuk është një barrë për t’u përballuar, por një pjesë e zemrës së tyre që i ka bërë të gjithë më njerëzorë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

