Me kalimin e viteve, në jetën bashkëshortore kontradiktat apo konfliktet zënë e rrallohen. Jo vetëm sepse nis fenomeni i përshtatjes dhe pengesat rrafshohen gjithnjë e më shumë, ashtu si edhe gropëzat që dalin rrugës mbushen e sheshohen, por nga të dyja palët synohet qetësia, harmonia, mirkuptimi, ndërgjegjja e pastër, që është një jastëk i mirë… Rëndësi parësore merr njohja e ndërsjellë, aftësia komunikuese në çdo rrethanë, por ndonjëherë edhe heshtja…
Për të pasur një jetë bashkëshortore në harmoni të plotë, nevojitet përshtatja e karaktereve, nevoja emocionale dhe dëshira për të arsyetuar në çdo kohë. Është ky modeli që shpalosin Elsa dhe Halim Kosova, që kanë ç’i ofrojnë njëri-tjetrit edhe pas çerek shekulli bashkë! Ata u njohën kur ajo ishte në vitin e dytë në universitet, ndërsa ai në vitet e para të punës… “Më vjen për të qeshur kur kujtoj që një të diel, më zgjon burri në pikë të sabahut, teksa unë vazhdoja akoma me lezet gjumin e natës e më thotë: ‘Ka një copë herë që më ka dalë gjumi, të shoh si fle e qetë dhe mendoj: Si qenka jeta, një njeri që s’e ke njohur më parë dhe s’ke pasur informacion që ka ekzistuar… të bëhet njeriu më i afërt, me të cilin ndan çdo gjë…’. Pasi e dëgjova përgjumësh, i them: ‘… nuk të mjaftoi gjithë ajo kohë njohjeje për të ma thënë këtë, por duhet të më zgjoje në pikë të sabahut?!’. Dhe kështu e gjeti një sebep që të ma nxirrte gjumin edhe mua”, kujton Elsa me humor, duke interpretuar “çudinë” e një lidhjeje. Prej më shumë se çerek shekulli vazhdojnë të ndihen mirë njëri me tjetrin me, “më shumë kohë me diell, edhe me ndonjë ditë me shi”, siç pohon Elsa. E rëndësishmja është që kanë qëllime të përbashkëta.
“Mendoj me bindje se jeta me qëllime të caktuara në të mirë të familjes, është çelësi i jetëgjatësisë…”. Më në detaje gruaja e mjekut të njohur thotë:
Cili është fillimi i marrëdhnënies suaj, në lidhje me ndryshueshmëritë… apo vështirësitë?
Ishim dy persona të ndryshëm, që vinim nga dy familje me zakone dhe tabiate të ndryshme me 9 vjet diferencë moshe… secili shkëputej nga shoqëria e vet e mëparshme dhe duhej “të lironte dhe të shtrëngonte” për të ndikuar në ndërtimin e themeleve sa më të shëndosha të kësaj familjeje të re. Mendoj se vështirësia më e madhe ishte e imja, pasi vija në një shtëpi tjetër. Këtyre vështirësive fillestare, normale për çdo familje të re, iu shtua edhe ardhja me vonesë e dhomës së gjumit, e cila nuk mbaroi në afatin e caktuar dhe, për disa muaj, na u desh të flinim përtokë, por, ama, kur erdhi, e përligji vonesën.
U përshtatët apo pranuat pa kushte? A ju është dashur të ndryshoni tek vetja?
Në rininë time nuk jam shquar për njeri të sakrificës, më është dashur të përshtatem me humanizmin dhe sakrificën e një mjeku, gjë që më ka kushtuar: net të tëra më është dashur të pres tim shoq në oborrin e maternitetit apo zyrën e tij. Pa përmendur, gjithashtu, rastet kur krejt padashur konstatoja gjatë natës se Halimi nuk ishte në shtrat. Nga ana tjetër, jam munduar të mos e ngarkoj tim shoq me probleme, sado të vogla qofshin, të fëmijëve adoleshentë, duke u përpjekur t’i zgjidh si nënë. Për shembull, një situatë ‘me mendime ndryshe’ ishte periudha kur duhej të vendosnim nëse vajza do të vazhdonte studimet në Shqipëri apo jashtë, sipas dëshirës së saj. Kjo, duke pasur parasysh edhe dobësinë që babai ka për vajzën. Midis egos prindërore dhe së ardhmes së fëmijës zgjodhëm Gjermaninë, ku ajo edhe sot vazhdon studimet me sukses. Pjesa tjetër është avantazh. Pavarësisht se në pamje të parë Halimi mund të duket i sertë, për gjëra të rëndësishme ta jep zgjidhjen shpejt dhe drejt.
Si do ta përshkruani evoluimin e marrëdhënies?
Me kalimin e viteve, në jetën bashkëshortore kantradiktat apo konfliktet zënë e rrallohen. Jo vetëm sepse nis fenomeni i përshtatjes dhe pengesat rrafshohen gjithnjë e më shumë, ashtu si edhe gropëzat që dalin rrugës mbushen e sheshohen, por nga të dyja palët synohet qetësia, harmonia, mirkuptimi, ndërgjegjja e pastër, që është një jastëk i mirë… Rëndësi parësore merr njohja e ndërsjellë, aftësia komunikuese në çdo rrethanë, por ndonjë herë edhe heshtja… Ndonjë shoqe më qahet për të shoqin që është bërë “i padurueshëm”. Ndodh që motivi i zënkës është i lehtë e banal, kurse acarimi vjen duke u rritur pikërisht nga fjalët e shumta dhe nga shkelja e dinjitetit të burrit. Dihet: “s’ka peshk pa hala”, nuk ka shtëpi fa fjalë. Fatmirësisht, sot femra ka pavarësinë dhe personalitetin e vet, unë e di se ka perënduar koha e poetit Persian Saadiu, i cili i këndonte gruas që skuqej kur i fliste dhe i shkonte burrit si manare nga pas. S’duhet harruar, qetësia shpirtërore vlen më shumë se mirëqenia materiale. Kur mendimi im nuk përputhet me të tim shoqi, si armë të parë kam heshtjen, por një heshtje aktive ama, të cilën e di, ai e lexon qartë. Pasi i shmangem butë e me takt konfliktit, zgjedh një moment tjetër më të volitshëm dhe, pa dalë jashtë vetes, shpreh opinionin tim më të pjekur e më të formatuar.
Por ndodh që diskutimet në çift të shndërrohen në zënka...
Asnjëherë diskutimet tona nuk kanë arritur në pika të tilla (të nxehta). Ato kanë ndjekur rrjedhën normale si në çdo familje me baza të shëndosha. Në diskutime familjare për qëndrime apo vendime të ndryshme fiton arsyetimi. Kam përshtypjen se këtë mënyrë të biseduari me bashkëshortin e kam kopjuar pa dashje nga nëna ime, që përdorte të njëjtën mënyrë me tim atë, të cilit gjithë jeta i shkoi hidrocentraleve në ndërtim nga Bistrica e deri tek Fierza, midis vështirësive të punës, motit dhe atyre që kish mbi kokë. Duke trashëguar në mënyrë dialektike mirësinë nga çdo familje, si dhe duke e shumuar atë. Halimi ka huqet e veta, që mund të manifestohen sidomos pas një dite të lodhshme e me tension pune, pas një operacioni të vështirë e delikat, por në të tilla situata, ndodh që t’a çarmatos edhe me një qeshje apo me një propozim, për një kafe diku larg ambjentit të shtëpisë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.