Në fokus

May 14, 2017 | 8:25

Emigracioni ikja për një jetë të dytë

untitled1

“Shitet Diell”. Kjo është gënjeshtra që i thonë një populli kur situatat brenda vendit të tij janë gati në shpërthim, shitet Diell diku atje larg!!! Historianët e popujve, e fillojnë nga bishti për një një ngjarje të madhe historike, përshkruajnë si u luftua dhe jo sa mbetën në atë truall pas shpërnguljes masive të popullit. Po të analizosh proporcionet e shtresave të popullit që ikin dhe mbeten, del dhe arsyeja e shpërthimit të kësaj lufte.

untitledNga mënyra dhe numri i ikjes së njerëzve për emigrim, çdokush mund të gjykojë mbi ngjarjet e kombit, pa lexuar fare artikuj të mbarsur me numra dhe ide tullumbacash. Ky fenomen kaq binjak me historinë e njerëzimit quhet emigracion. Në çdo kohë që ka ndodhur dhe kushdo popull që e ka vuajtur, ka qenë për të hemoragji e madhe me kosto politike dhe demografike. Emigrimi i vullnetshëm bëhet për tri arsye: luftë të jashtme karshi kombit, luftë e brendshme civile, uri-varfëri. Sapo situatat tkurren në një komb, populli fillon përpjekjet si një fëmijë në bark të nënës për të dalë në jetë, se jetë të dytë e quan edhe emigranti ikjen. Nëse vendi i tij i është nënshtruar pushtimit të huaj, personat që emigrojnë janë nga shtresat më të varfra të popullit, pasi mendojnë si të shpëtojnë veten nga rreziku i vdekjes. Ata që mbeten pas janë shtresa e lartë dhe e mesme e popullit. Këta bashkojnë qëllimet e tyre për shpëtimin e interesave jetike të kombit dhe ato të shpëtimit të pasurive të tij. Pra, disa do marrin në dorë drejtimin ideor të vendit dhe disa do ruajnë me fanatizëm pasuritë që tashmë shumëfishohen frikshëm për pakicën nga ikja masive e njerëzve. Pas këtyre luftrave vjen ndarja e “fryteve” sipas vlerave të kontributit karshi atdheut. Ato janë nga më barbaret dhe qeveritë që vijnë në pushtetet e këtyre vendeve janë njerëz injorantë, rrallë të arsimuar, ish-ushtarakë, njerëz pa pikë ideje në qeverisje kombesh. Askush nuk do t’ju ruajë një copëz toke atdhe, mjeranëve që ikën nga sytë këmbët pa qenë ata kurrë shkaktarë të luftës. Kur lufta është civile, pra forca të ndryshme brenda vëndit ashpërsohen keqazi me njëratjetrën nga etja për pushtet, e cila merr dimensione të frikshme, kemi po ikje masive të popullit. Në këtë rast shtresat që ikin ose më saktë që i detyrojnë të ikin, janë shtresa e mesme dhe e inteligjencës së lartë. Duke parë se interesat e kombit janë shtruar si hartë famëkeqe në tryezë për t’u ndarë, gjëja e fundit që u intereson këtyre njerëzve janë idetë dhe sensualiteti i inteligjencës që i karakterizon. Në këtë rast vetë homogjenët e tu duan pushtet më të kontrolluar të vëendit, ndaj ikja e kësaj shtrese universitare jo vetëm u leverdis, por është edhe synimi i atyre që mbeten pas. Në këtë rast jo vetëm kemi ikje të dhimbshme të asaj pjese të vlefshme të kombit, kemi jo vetëm hemoragji, por këta njerëz marrin me vete edhe njollën e tradhëtarit. Të cilësuar nga pasmbetësit si njerëz që: “çfarë i detyroi të iknin?! Ata ishin me punë, shtëpi, shkolla, pse u nisën për Dhé të huaj?!”. Në shkrimet famëkeqe të kohërave nuk shkruhet kurrë që këta njerëz kërcënoheshin sistematikisht në zyra dhe institucione me jetën e tyre dhe të familjareve. Kështu bashkë me largimin e hidhur, të mbeturit çlirohen edhe nga barra e këtyre personaliteteve përgjithmonë, pasi i çrrënjosin nga listat e shtetit si të ikur me vullnet nga rehatia. Humbja e kësaj inteligjence bën që kombet për periudha të gjata kohore më pas, të jenë në kërkim të mendjeve të huaja për evoluim ekonomik pasi krahë pune kanë me shumicë. Kështu i huaji tjetërson me leje të vetë pushtetarëve fizionominë ekonomiko-kulturore të kombit. Ikja nga uria-varfëria është një emigrim që bëhet nga të gjitha shtresat e popullit. Këto janë rastet e situatave tepër të rënda të krizave ekonomike dhe të periudhave tepër të gjata vuajtjeje, siç janë periudhat tranzitore të një kombi. Në këtë lloj emigrimi nuk ka shumë karakteristika politike, pasi idetë dhe interesat e njerëzve janë shuar gradualisht me gjunjëzimin e komponentit Njeri, përpara fenomenit biologjik të padurueshëm që është uria e varfëria. Gjatë pritjeve të mëdha për ndryshime esenciale në pushtet, popujt humbasin dalëngadalë shpresën dhe dëshirën për ndryshime në vendin e tyre dhe dorëzohen origjinal si skllevër pune në shoqëri të huaja me potencë ekonomike. Ky rast shënon dhe ikjet më masive të popullsisë së një kombi, pasi këtu nuk kemi as shtresa, as interesa, as sens kombëtar, asgjë. Njerëzit janë të përhumbur në dëshpërim, mallkojnë ditën dhe orën që lindën në atë vend. Ky mentalitet fillon gradualisht. E përditshmja e tyre ishte një torturë. Personaliteti familjar dhe personal është një mëkëmbje e paparë që u bëhet po aty, udhëve të atdheut që ata lindën dhe u mësuan se është toka e tyre e shtrenjtë, që kanë të drejtë ta punojnë dhe të shijojnë mrekullitë natyrore bashkërisht me homogjenët e tyre, ta duan dhe ta mbrojnë me jetën e tyre. Si mund të mbrosh një territor me bark bosh, i pangrënë, i paushqyer, i pastërvitur?! Kjo masë populli që ikën nga kjo situatë janë ata që nuk duan kurrë më kthimin, ata që tjetërsohen fanatikisht në shtetas të vendit të huaj pritës, adhurojnë kombin që i shpëtoi dhe janë totalisht fuqi njerëzore e humbur përgjithmonë e një kombi. Qeveritë e vendeve që vijnë në pushtet pas këtij lloj rasti emigrimi janë të ngratë, pothuajse të paaftë fare, pasi janë rastësisht në pushtet, të dalë nga një luftë e padrejtë për asgjesimin me të gjitha mënyrat e ish-krerëve realë të kombit, ata që kishin ecuri profesionale piramidale logjike dhe duke shfarosur të pasurit gjenetikë të kombit, të cilët kanë në përgjithësi shumë pasuri pasi merren vetëm me tregti dhe kurrë me politikë. Gjithashtu ikin edhe shumë teknokratë, të cilët janë shtresa e mesme e popullit dhe që mbajnë ekuilibrin ekonomik, administrimin e shtetit në këmbë, pasi shteti ka nevojë për dije reale profesionale dhe jo vetëm për ato politike, frymëzuese. Tekniku i shtetit është universitari i shquar, i cili thjesht nuk ka etje skizofrenike për pushtet, i mjafton cilësimi i tij nga shoqëria sipas titullit akademik që disponon, është i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë dhe kryesorja është dora e djathtë e politikanëve. Pra janë në pushtet, por pa asnjë përgjegjësi politike para popullit, por vetëm me atë teknike.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top