Nga Orjona TRESA | Foto: Vlasov SULAJ
Quhet ndryshe dhe “mjekësi manuale”. Pa barna e kimikate, pa sallë kirurgjie e bisturi, e për më tepër pa kosto, por çuditërisht me një frytshmëri të plotë. Dikur, nënat na fërkonin me raki e kripë kur merrnim të ftohur, e pas kësaj dhe na hidhnin kupa në kurriz. Praktika që zgjaste rreth 30 minuta përsëritej të paktën dy herë. Me gjasa, të nesërmen pas kësaj “aventure”, ku receta e mjekut mbushur me emra të vështirë medikamentesh ishte hedhur në zjarr, gdhiheshim mirë. Nuk kishim më kollë të fortë e frymëmarrja e rëndë ishte lehtësuar si me magji. E njëjta përvojë të sillte në formë dhe kur shfaqeshin probleme muskulore siç ndodh me atë që rëndom njihet si “këputje në mish”, por dhe për dhimbjet e qafës apo kolonës vertebrale. Duhej veç pak vaj, raki dhe kripë në çdo rast. E për më tej se kaq, duar të forta për një masazh shkrydhës. Në këtë mënyrë, kurimi me anë të duarve shndërrohej në një alternativë mrekullibërëse, aq sa shumë sëmundje, por dhe çrregullime psikofizike gjenin shpëtim.
Historia është e çuditshme, trishtuese e groteske bashkë. Ai kish ardhur nga veriu i vendit, rrugë e largët. Mjeku i familjes i kish referuar një shërbim të specializuar në Tiranë. Ndaj dhe pacienti, një mesoburrë, kishte marrë rrugën për në spitalin e shtetit. Pas konsultave, analizave dhe leximit të epikrizës, mjeku përgjegjës i tregon sallën e kirurgjisë: “një operacion të gjesh shpëtim”. Edhe do apo nuk do, para fjalës së mjekut dorëzohesh. Ndaj niset ta bëjë ndërhyrjen, në djall të gjitha. Por Zoti ish me të. Një nga ditët e përgatitjes shpirtërore, tek i hidhte një sy gazetës “Panorama” ndesh në një artikull që i tërheq vëmendjen. Kërkon të dijë më shumë rreth mundësisë që iu shfaq befas dhe merr kontaktin e parë. Pas kësaj, lahet e rruhet, lë shtratin e pavijonit dhe niset drejt “Librit Universitar”, ku gjen ambientet e asaj klinike në të cilën kontrollet bëheshin ndryshe. Mjekët osteopetë nisën të përdorin lehtësisht teknika të tjera. “Hernie Diskalis” shkruhej në recetë diagnoza me shkrimin karikaturë të mjekut. Por në fakt, heshtje. Atë e thyen pak minuta më vonë lëvizja mohuese me kokë e dy mjekëve të tjerë. Kalojnë dhe disa minuta, përpjekje për të zbuluar çka nuk shkonte me organizmin. Njëzet gishtërinjtë lëviznin nëpër trup, shtypnin dhe numëronin mes anatomisë fizike të atij që priste me ankth shtrirë mbi shtratin ortopedik. E në fund, përgjigjja ishte në kundërshtim me epikrizën. Një ngarkesë e zorrës, e traumatizuar deri në dhembje, krijonte probleme në fundin e kolonës vertebrale të pacientit.
Eureka! Operacioni i planifikuar u anulua, ndërsa mjekët që prisnin pacientin e radhës hodhën në koshin e mbeturinave dorezat plastike.
Prof. Giovanni Bove dhe Dr. Emiliano Giampà janë pikërisht dy mjekët e rinj që kanë sjellë përvojën e tyre tanimë në Institutin Shqiptar të Mjekësisë Manuale. Specializuar në fushën ortopedike dhe reumatologjike, ata vijnë me një përvojë të gjatë dhe shembuj konkretë të shërimit të pacientëve me shqetësime të ndryshme fiziologjike. Mjekësia manuale është një formulë krejt bindëse që të vjen në ndihmë. Tek ajo gjen zbutjen apo shërimin e dhimbjeve shkaktuar nga sëmundje që shqetësojnë shëndetin tuaj fizik. AIMM, “Instituti Shqiptar i Mjekësisë Manuale” ofron teknikat e aparaturat e mjekësisë moderne, në një ambient të vetëm me të gjitha shërbimet, sa i takon rehabilitimit në sistemin e qarkullimit të gjakut, trajtimin e dhimbjeve post-partum, rehabilitimin neuromotor, sportiv, reumatologjik etj.
INTERVISTA
Djema, si erdhi ideja e këtij instituti mjekësor?
Ideja lindi nga bindja për të bërë të mundur të eksportojmë dhe të propozojmë një qasje të re e të ndryshme nga ato që janë në përdorim, të jemi në gjendje të kurojmë atë që ka të bëjë me dhimbjen muskulo-skeletore, faktor që limiton jetën e një individi, që kushtëzon çdo aspekt të sferës sociale dhe ndërpersonale. Mjekësia manuale që i ka rrënjët në osteopati ka si objektiv një vizion në 360o të pacientit, kjo na lejon të gjejmë dhe të trajtojmë shkakun parësor të problemit, duke arritur një ekuilibër global të gjendjes së shëndetit të një personi sesa të limitohemi në trajtimin e një zone simptomatike. Emri përmbledh në tërësinë e tij të gjitha karakteristikat e projektit tonë. E vetmja strukturë në të gjithë territorin shqiptar në të cilën praktikohet mjekësia manuale e vërtetë, fryt i një rruge formative të një periudhe 9-vjeçare (3 vite studimi në fizioterapi dhe 6 vite studimi në osteopati). Një institut i mirëfilltë ku aktivitetit ambulator i bashkohet edhe vullneti për t’i transmetuar profesionistëve të tjerë shëndetësorë kompetencat dhe njohuritë tona nëpërmjet kurseve formative.
Çfarë është saktësisht mjekësia manuale dhe cilat janë pritshmëritë me osteopatinë, disiplinë në të cilën ju keni një formim universitar prej 6 vitesh?
Mjekësia manuale që ne praktikojmë i ka themelet e saj pikërisht në osteopati. Mjekësia osteopatike është një mjekësi alternative plotësuese e mjekësisë klasike, e cila bazohet në përdorimin e duarve si instrument vlerësimi, diagnostikimi dhe terapeutike. Fuqia e madhe e osteopatisë nuk qëndron vetëm në kapacitetin manual, por mbi të gjitha në filozofinë, e cila drejton mënyrën e saj të të reaguarit. Osteopatia nuk lufton sëmundjen, por kërkon shëndetin.
Çfarë ofron konkretisht kjo alternativë e re dhe e vetmja në Tiranë, Shqipëri?
Është një alternativë e re. Sipas studimeve shkencore, një nga opsionet më të vlefshme për të neutralizuar dhimbjet muskulore skeletore është OMT-ja (osteopathic manipulative treatment), ose më saktë mjekësia manuale, e cila është në gjendje të arrijë rezultate optimale për sa i përket zhdukjes së simptomave dhe të dhimbjeve të një sërë çrregullimesh ortopedike, mbi të gjitha dhimbjet e fund shpinës (low back pain). Në studion tonë mjekësore pacienti merret në ngarkim nga dy mjekë, të cilët së bashku vlerësojnë gjendjen dhe bëjnë planin e trajtimit më të përshtatshëm, duke shfrytëzuar njohuritë e tyre mjekësore fizioterapeutike, osteopatike dhe të mjekësisë manuale.
Si zhvillohet vizita e parë dhe trajtimet në vijim?
Vizita e parë zhvillohet duke filluar me një intervistë të thelluar me qëllim – mbi të gjitha – për të kuptuar nëse pacienti paraqet kundër indikacione për trajtimin dhe nëse problematika specifike hyn në fushën e aplikimit të mjekësisë manuale. Më pas mjeku zhvillon një ekzaminim objektiv mbi të gjithë trupin e pacientit në këmbë për të analizuar qëndrimin, ekuilibrin, simetritë në planin frontal dhe lateral. Më pas me pacientin e shtrirë me shpinë në shtrat, mjeku vijon me ekzaminimin e të gjithë trupit, duke zhvilluar teste manuale dhe palpatore që janë në gjendje të gjejnë se cilat janë zonat e organizmit që vuajnë më shumë. Pasi ka mbaruar faza e vlerësimit fillon trajtimi i vërtetë, i cili ka si objektiv nëpërmjet përdorimit ekskluziv të duarve gjetjen e çrregullimeve të zbuluara në fazën e parë të vlerësimit. Përzgjedhja e teknikës manuale që mjeku vendos të përdorë, varion sipas problematikave dhe karakteristikave personale të pacientit. Pra, ekzistojnë teknika më të lehta, si metoda Kranio-sakrale dhe fashave muskulare, dhe teknika më invazive, si manipulimi vertebral. Është mjeku i mjekësisë manuale, i cili në bazë të përvojës vendos se cila është teknika më efikase dhe në të njëjtën kohë më e sigurt për llojin e problematikës që shfaq ai pacient.
Vizita e parë mund të zgjasë rreth një orë e 15 minuta nëse rasti është shumë i komplikuar. Më pas vizitat në vijim nuk zgjasin më shumë se 50 minuta. Numri i trajtimeve të nevojshme varion sipas gjendjes së rënduar të problemit, si dhe sa përgjigjet vetë trupi i pacientit këtij trajtimi. Gjithsesi, zakonisht fillon me një trajtim në javë, për tre javët e para, më pas vazhdohet me dy ose tre trajtime çdo 15 ditë, dhe më pas vjen një fazë e mbajtjes së kontrollit me një vizitë mujore duke vazhduar më pas në një vizitë tre mujore, njëvjeçare e kështu me radhë sipas kërkesave të nevojshme të vetë pacientit. Rezultatet e trajtimit zakonisht ndihen pas 24/48 orëve nga trajtimi i parë, sepse trupi ka nevojë për disa ditë që të metabolizojë korrigjimet e marra. Më pas, me trajtimet në vijim vazhdohet me punën në zonat disfunksionale dhe verifikohet që korrigjimi i bërë të zgjasë në kohë. Faza e mirëmbajtjes në kohë, edhe pse pacienti nuk ka më shenja dhe ndihet i shëruar, megjithatë është thelbësore për të parandaluar përsëritjen dhe ruajtjen afatgjatë të shëndetit.
Nga puna e përditshme, çfarë ka rezultuar si më problematike ndër llojet e sëmundjeve?
Nga përvoja jonë dhjetëvjeçare, e maturuar në Itali dhe në pak muaj këtu në Shqipëri, mund të themi me siguri që problemi më i zakonshëm që personat ankohen dhe për të cilën i drejtohen mjekësisë manuale është dhimbja e shpinës, në veçanti lombalgjia ose më saktë dhimbje në pjesën e fund shpinës. Kjo ndodh sepse lombalgjia mund të jetë manifestimi i disa kushteve patologjike. Ajo faktikisht mund të varet nga një lëndim muskulor, nga një bllokim artikular vertebral, nga një hernie e diskut, nga vuajtja e një organi abdominal, si zorrët, mëlçia, mitra, nga një qëndrim jo korrekt, nga një mbështetje e alternuar e këmbës, nga probleme dentare dhe keqkafshimi dhe shumë të tjera. Në vend të dytë, një gjendje tjetër me të cilën hasemi në përditshmëri është brakialgjia cervikale ose më saktë, dhimbja në qafë me një tejçim në njërën ose në të dyja krahët, të cilës mund t’i bashkëngjiten simptoma si: përzierje, të vjella, marrje mendsh dhe migrenë. Në këtë rast shkaqet mbase i kërkojmë në zakonet e këqija në punë dhe rikreativitetet të vendosura nga shoqëria moderne, si përdorimi i zgjatur i kompjuterit dhe i smartphone-ve që shpesh na detyrojnë të mbajmë pozicione jo korrekte për orë të tëra. Kurse midis sportistëve që kemi në trajtim aksidentet më të zakonshme janë në ngarkim të artikulacioneve më të predispozuara për trauma dhe stres mekanik, pra kavilja, gjuri dhe shpatulla.
Mjekësia manuale, pra me duar, është një zgjedhje që mund të na mbaj larg nga bisturia? Në cilat situata?
Në mjekësi ka një rregull thelbësor e ndarë në mënyrë universale nga i gjithë komuniteti shkencor që është si vijon: kur vendoset një terapi për çfarëdolloj patologjie, duhet vlerësuar raporti risk-përfitim i vetë terapisë, dhe të vazhdohet nga ndërhyrja më pak invazive deri tek invazivja derisa të gjendet terapia më efikase. Rasti i pacientit i cituar nga ju është emblematik: pacienti i mbërthyer nga një dhimbje e fortë e papritur e shpinës iu drejtua një mjeku, i cili me të drejtë i ka përshkruar një ekzaminim radiografik dhe një rezonancë magnetike. Rezonanca në veçanti dokumentonte një hernie diskale në nivelin lombo sakral me komprimim të strukturave nervore. Në rastin e një hernieje diskale me një lombosciatalgji të fortë procedohet për shembull me çlodhje funksionale, barna kundra dhimbjes në fazën akute, fizioterapi dhe mjekësi manuale për të parandaluar përsëritjet, dhe në fund në qoftë se e gjithë kjo mund të mos funksionojë ose nëse dalin komplikacione që të detyrojnë një ndërhyrje emergjente (si p.sh: inkontinencë urinare apo retension urinar) vetëm atëherë kalohet tek terapia kirurgjikale, duke shpresuar që kjo mund të zgjidhë një gjendje për të cilën të gjitha ndërhyrjet e tjera konservative kanë dështuar. Ndërsa pacientit tonë i është propozuar menjëherë ndërhyrje kirurgjikale pa tentuar më parë me rrugë të tjera më pak të rrezikshme dhe më pak invazive. Në rastin konkret pacienti ka zgjedhur trajtimin tonë, duke zgjidhur në pak seanca dhimbjen e shpinës pa iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Të bëjmë të qartë një gjë: mjekësia manuale ‘nuk ka zhdukur hernien’ siç mund të thuhet e kundërta rëndom nga ndonjë mjek i papërgjegjshëm. Në qoftë se ai pacient pas dy vitesh që nuk ka pasur dhimbje shpine të ribënte një rezonancë magnetike, do të shikohet që hernia është aty si dy vite më parë.
Diskutimi është ky, që trajtimi manual duke i ridhënë funksionet të gjithë organizmit, ka vendosur trupin në një gjendje që të mbajë të çlodhur zonën e prekur nga hernia dhe të përdorë zona të tjera të shtyllës kurrizore për lëvizjet e përditshme. Si përfundim, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, patologjitë ortopedike si artroza kokso-femorale, gjuri apo shpatulla, hernia e diskut cervikal apo lombar, sindroma e tunelit karpal dhe shumë të tjera, gjatë fazës post akute kur dhimbjet nuk janë shumë të forta sa të detyrojnë pacientin të rri shtrirë, mund të marrin një përfitim shumë të madh nga mjekësia manuale. Duke vendosur ekuilibrin e gjithë sistemin muskulor skelektik nga koka deri te këmbët dhe duke i ridhënë funksionalitetin të gjithë strukturave artikulare të organizmit mund të ngadalësojë madje në disa raste ta ndalojë procesin degjenerativ, në mënyrë të tillë që të mund të shtyni ndërhyrjen kirurgjikale ose për të mos pasur më nevojë për të gjithë jetën.
Po rastet kur ju orientoni se operimi është zgjidhja e vetme?
Ndërhyrja kirurgjikale këshillohet nëse nuk është i mundur përdorimi i terapive më konservative, pas dështimit të të gjitha terapive konservative të provuara, në stadet e fundit të një patologjie degjenerative ose kur ka simptoma të lidhura. Kështu që, sipas indikacioneve ndërkombëtare duhet t’i nënshtrohemi ndërhyrjes kirurgjikale me urgjencë. Për të dhënë shembuj konkretë, në një artrozë shumë të avancuar apo në një lëndim total të tendinave të shpatullës, mund të gjejmë një ankilozë, domethënë një bllokim të artikulacioneve apo një impotencë funksionale të shpatullës, me një dhimbje të fortë. Në këtë rast, kirurgjia është zgjidhja e vetme. Në qoftë se pacienti nuk mund të marrë barna kundër dhimbjeve, sepse i japin efekte anësore ose nuk mund të drejtohet në një qendër fizioterapie apo mjekësie manuale për arsye logjistike ose ekonomike edhe në këtë rast ka sens t’i drejtohemi kirurgjisë. Në rast se kemi një hernie diskale të dalë, shfaqen shenja neurologjike me komprimim nervor, si paraliza apo inkontinenca ose retension urinar ose fekale.
Në këto raste, udhëzimet ndërkombëtare rekomandojnë një ndërhyrje kirurgjikale urgjente të dekompresimit të strukturave përpara se dëmtimi të bëhet i pariparueshëm. Jeni trajnuar në osteopati. Në sa teknika kryeni shërbime?
Osteopatia edhe pse është disiplina më e rafinuar e fushës së mjekësisë manuale, është vetëm kompetenca e fundit që kemi përftuar. Në fakt kemi lindur si fizioterapistë. Dr.Giampa ka vazhduar studimet në mjekësi dhe kirurgji dhe së fundmi po përfundon shkollën në osteopati, kurse unë, Prof. Bove kam kryer 6 vite studime në osteopati. Kështu që të gjitha njohuritë tona në fushën mjekësore, të fizioterapisë dhe të osteopatisë vihen në shërbim të pacientëve tanë duke u integruar më së miri për të kënaqur në maksimum me efikasitet dhe me minimumin e rrisqeve të gjitha nevojat e personave që zgjedhin t’i drejtohen studios sonë për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore, cilido qoftë ai.
Ju punoni realisht dhe me katër duar. Kur këshillohet kjo gjë?
Zgjedhim të bëjmë një trajtim me 4 duar kur jemi përpara rasteve të veçanta, komplekse, në të cilin është nevoja e dy operatorëve njëkohësisht për të bërë teknika shumë të sofistikuara, shumë precize mbi struktura shumë të thella ose të vështira për t’u arritur. Pa hyrë në detaje, pacienti i fundit i trajtuar me 4 duar kishte probleme në nivelin e legenit, atë cervikal dhe të kafkës. Kështu që, duke afruar dy zonat njëkohësisht, duke i vendosur në lidhje midis tyre, mundëm të riekuilibronim të gjithë sistemin në një seancë të vetme, duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme problemin e pacientit.
Kanë vështirësi shqiptarët kur i duhet t’i kapni me duar, pra a ka njëfarë sikleti apo turpi? Si ia bëni në të tilla raste?
Duhet të themi që qytetarët shqiptarë janë duke treguar një respekt të madh dhe admirim kundrejt nesh. Kur veshim përparësen e mjekut personat të cilët i nënshtrohen kurave tona janë shumë bashkëpunues në trajtimet manuale ku domosdoshmërisht ka kontakt të drejtpërdrejtë. Gjithsesi, ne kemi zgjedhur për të limituar në minimum situata të sikletshme, të mos trajtojmë pacientët me veshje intime siç na kanë këshilluar, por duke i lejuar të veshin një T-shirt dhe pantallona të shkurtra. Mundohemi që pacientët tanë të ndihen sa më komodë, që nga momenti që vendosin të hyjnë në studio deri në fund të trajtimit. Një nga gjërat që kemi vënë në praktikë është prania e një përkthyeseje që mund të ndjekë pacientët gjatë trajtimeve dhe të bëjë të mundur që ata të kuptojnë çdo fjali duke mposhtur kështu barrierat gjuhësore.
Jam në dijeni që prof. Bove është docent pranë universitetit katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” prej 4 vitesh dhe Dr. Giampa ka zhvilluar kurse formimi dhe ka mbajtur konferenca në Itali. Sa ju vijnë në ndihmë këto eksperienca në praktikën e profesionit tuaj?
Shumë. Niveli më i lartë i nxënies arrihet kur ke një pozicion si docent dhe ke për detyrë të përditësohesh në vazhdimësi për t’i garantuar studentëve të tu një formim ekselent. Kështu që je i stimuluar për të thelluar deri në detaje argumentin e leksionit, duke kërkuar burimet më të akredituara dhe më të azhornuara, derisa e zotëron argumentin në 100%. I gjithë ky studim sigurisht nuk i jep frytet vetëm te studentët, duke rritur cilësinë e leksionit, por mbi të gjitha vihet në shërbim të pacientëve në praktikën tonë klinike. Në mënyrë të tillë pacientët kanë në dispozicion një personel mjekësor gjithnjë e më të përditësuar dhe shumë profesional.
Do të jetë ky një hap i mbarë edhe për mjaft të rinj që diplomohen në osteopati?
Absolutisht që po! Osteopatia është disiplina më e kompletuar në fushën e mjekësisë manuale. Pas studimeve në fizioterapi, nuk ekziston asnjë rrugë formative post universitare në gjendje të garantojë një formim kaq të gjerë dhe të kompletuar siç është osteopatia.
Pjesë e punës suaj janë dhe pjesëmarrja në fushata të ndryshme, kryesisht ato me mision humanitar, punë vullnetare, kërkimi shkencor dhe didaktika. Maratona e Tiranës ishte njëra prej tyre. A parashikoni angazhime të ngjashme për fushata edhe më të rëndësishme nëse do jua kërkojnë?
Patjetër! Maratona e Tiranës ka nxitur një bashkëpunim të sinqertë me Kryqin e Kuq Shqiptar, të cilët i mbështesim në mbledhjen e fondeve. Gjithashtu kemi promovuar dhe kemi marrë pjesë në fushatën sensibilizuese për dhurimin e gjakut, duke dhuruar vetë ne për të sensibilizuar popullin shqiptar mbi temën e dhurimit të gjakut. Kemi ndërhyrë në konferencën “Manipulimet Mjekësore & Testet Diagnostike”, organizuar nga Shoqata e Infermierëve për të përhapur dhe shpërndarë kompetencat tona në fushën reumatologjike dhe osteopatike. Së fundmi, pikërisht në fund të muajit të janarit 2018 do të fillojmë kursin e formimit në mjekësi manuale, i cili u drejtohet të diplomuarve në shkenca infermieristike dhe rehabilitative. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, jemi gjithmonë të hapur për bashkëpunime të tjera apo projekte të reja në fushën humanitare, mjekësore dhe të kërkimit shkencor.
Flasim pak për jetën tuaj jashtë profilit. Prej sa kohësh jeni në Tiranë dhe si ju duket? A jeni integruar në përdorimin e zakoneve dhe traditave të vendit që ju mirëpriti?
Jemi transferuar prej 5 muajsh dhe duhet të themi që kemi mbetur të surprizuar nga mikpritja kundrejt nesh edhe pse kemi kaluar shumë pak kohë këtu. Kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira me shumë persona. Gjërat që na kanë goditur më shumë janë mikpritja, bujaria dhe gatishmëria që kanë treguar ndaj nesh. Na kanë bërë të ndihemi si në shtëpi menjëherë dhe jemi duke u munduar që t’ua rikthejmë këtë dashamirësi brenda mundësive tona, edhe nëpërmjet impenjimeve humanitare për të cilat folëm më parë.
Në hyrje të një viti të ri, çfarë ambiciesh apo qëllimesh keni për të arritur brenda AIMM?
Rritje e vazhdueshme. Ky është objektivi. Jemi duke punuar fort për 2018-ën që projekti ynë të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që iniciativat e institutit të ndahen dhe të vlerësohen gjithnjë nga më shumë persona dhe të këtë një jehonë edhe më të madhe.
Ku mund t’ju gjejnë të interesuarit?
Ndodhemi në Tiranë. Për të rezervuar takime mund të paraqiteni në klinikë personalisht nga e hëna në të premte, ora 9.00 deri në orën 18.00, ose duke na kontaktuar në numrin e telefonit 069 862 4919 apo në
faqen tonë të internetit. www.aimm.al
Botuar në revistën “Psikologjia”, në numrin 127 Muaji Janar
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.