Mirëqenie

April 6, 2020 | 8:04

Ëndërrimi, ushtrimi i përsosur për t’u ndierë mirë ndërkohë që qëndroni në shtëpi

Lajmet na bombardojnë dhe duket se nuk e shohim daljen nga tuneli i një situate që nuk do ta imagjinonim kurrë: lodhja, ankthi dhe shqetësimi janë bërë shokë të pandashëm, por ka ardhur koha për të rimbushur bateritë. Duhet të mësojmë të gjejmë disa minuta vetëm për veten, duke harruar smartphone, duke larguar mendimet e këqija dhe duke e lënë trurin të lirë.

Ëndërrimi dhe çlirimi i mendjes nga ajo që po përjetojmë janë shumë të rëndësishme. Disa minuta për të shfletuar albumin fotografik, leximi i një libri që kemi dashur ta lexojmë prej kohësh, shkrimi i një ditari dhe vështrimi nga dritarja janë truket e vogla që ju ndihmojnë të shkëpusni mendjen, të riktheni qetësinë dhe humorin e mirë edhe në një realitet kaq të errët.

Aftësia për të larguar veten nga e tashmja është një valvul lehtësie e jashtëzakonshme sepse shpëtimi nga ajo që po na ndodh dhe nga vorbulla e lajmeve të këqija, të cilat na hedhin në dëshpërim, është një çlirim autentik.

Shkencëtarët konfirmojnë se tashmë është e qartë që ëndërrimi ndihmon për të jetuar më mirë dhe rrit krijimtarinë tonë, sepse shpërqendrimi është një teknikë mbijetese, e cila na lejon të ruajmë ekuilibrin e duhur mendor edhe në situata veçanërisht stresuese. Ëndërrimi nënkupton pushtimin e një hapësire personale shpëtimi, në të cilën ndjehemi të lirë të jemi vetvetja pa kushte, kufizime dhe gjykime.

Sipas hulumtimit ëndërrimi është një mënyrë për të ecur përpara në procesin evolucionar: të qenit i angazhuar në një aktivitet specifik nuk përjashton mundësinë e të menduarit për diçka tjetër, edhe pse pa hequr shumë nga ato që ne po bëjmë. Për të vegjlit, fantazimi është normal dhe është funksional për të eksploruar aktivitete të reja dhe për të zbuluar botën përreth tyre. Vëzhgimi i fëmijëve është shumë i dobishëm për të kuptuar se cilat janë mekanizmat e njohjes dhe mbijetesës që ne duhet t’i zbatojmë në një mënyrë të pavetëdijshme, por jashtëzakonisht efektive.

Kur zgjohemi, kalojmë rreth një të tretën e kohës duke menduar për diçka tjetër përveç asaj që ne po bëjmë. Kur kjo ndodh, ne e çojmë veten në një botë të largët, rregullat e së cilës janë diktuar nga ne: ne vazhdojmë të bëjmë atë që po bëjmë, por mendja largohet: një zgjidhje e shkëlqyeshme për të mos u kthyer tek lajmet tragjike të kësaj periudhe.

Liria totale: të lini mendjen të lirë, duke imagjinuar vende dhe situata të ndryshme, joreale apo edhe plane të ardhshme dhe më të mira të jetës do të thotë t’i jepni formë mendimeve më të thella, shpesh të bllokuara në thellësinë e pavetëdijës tonë. Pra, nuk ka asgjë më mirë sesa të lejojmë emocionet dhe dëshirat të na mposhtin, duke na ndihmuar të kuptojmë se çfarë kërkojmë dhe çfarë kemi nevojë. Ne jemi vazhdimisht në kërkim të vetvetes, të asaj që jemi dhe asaj që do të donim të ishim: kjo është arsyeja pse ne mund dhe duhet ta përdorim kohën që kemi këto ditë në dispozicion, për të vazhduar ëndërrimin.

 

Burimi / https://www.tgcom24.mediaset.it/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top