Në fokus

July 4, 2016 | 8:28

Endrit Shabani: Komunikimi përmes teknologjisë shkurton kohën

Ai është i përfshirë në habitatin siç e quan, të qëndruarit në komunikim online. Kjo varësi e kohëve moderne është kthyer për të në formën kryesore të komunikimit dhe kërkimit, sepse, sipas avokatit Endrit Shabani, kjo është një gjetje tejet e domosdoshme kur duhet të zhbirosh për materiale arkivore të vjetra. Dhe atë e bën jo duke shfletuar me orë të gjata, por vetëm me një “klik”. Sipas Shabanit, enciklopeditë online, fjalorët dhe motorët e kërkimit të shkurtojnë shumë kohën e kërkimit, krahasuar me një apo dy dekada më parë. Sipas tij, interneti si dhe për të tjerë, është burimi kryesor i informacionit. “E parë nga ky këndvështrim, të qëndruarit online më shërben shumë dhe më kursen mjaft kohë. Por, nëse ju jeni të interesuar për pjesën e varësisë ndaj rrjeteve sociale, atëherë besoj se flasim për diçka tjetër. Këtu unë nuk besoj se është faji i internetit, por është çështje individuale e gjithsecilit. Një dekadë më parë, kur nuk ishin rrjetet sociale, kishte shumë njerëz që kishin krijuar varësi ndaj chat-it dhe e kalonin pjesën më të madhe të kohës duke chat-uar. Mirëpo, nëse do të shikojmë në një kohë kur ende nuk kishte hyrë kompjuteri dhe interneti në familjet e shqiptarëve, kishte shumë njerëz që kishin krijuar varësi ndaj telefonit dhe e shpenzonin pjesën më të madhe të kohës duke folur. Kështu, me pak fjalë, në bindjen time nuk është interneti apo rrjetet sociale që i marrin kohën njeriut, por boshllëku emotiv apo mungesa e motivimit për punë ato që e çojnë dikë që “ta çojë kohën dëm”. Në thelb, çdo formë komunikimi tregon nevojën për shoqërim dhe rrjetet sociale fatkeqësisht kanë reduktuar kohën fizike që ne kalojmë me njerëzit”. Avokatit dhe lektorit të Universitetit jopublik “Luarasi”, të qëndruarit online i merr pjesën më të konsiderueshme kur bëhet fjalë për “thithjen” e informacionit, ndoshta dhe pjesën më të madhe të ditës. Por, nëse u referohet rrjeteve sociale, Endri thotë se qëndron diçka më pak se gjysmë ore në ditë. Sa i takon pritshmërive të kësaj tendence virtuale, ndryshe nga ajo e leximit apo shkrimit në letër, Shabani shprehet se kjo alternative jep më shumë liri dhe komoditet në atë çka kërkon të përftosh brenda një kohe të shkurtër. “Prej vitesh mediat perëndimore kanë filluar të investojnë në transferimin e tyre nga variantet e printuara në platformat online. Por kjo jo domosdoshmërisht është diçka e keqe, madje ka disa anë tepër pozitive. Kështu, përveç faktit që priten më pak pemë, media e shekullit të shkuar ishte e bazuar në atë që quhej “komunikatë”. Pra, media ishte një megafon në duart e politikanit përballë popullit, pa i dhënë mundësi këtij të fundit që të reagonte, të jepte mendimin e tij. Ndërsa sot, ju e keni parë edhe në Shqipëri, që një hapësirë gjithnjë e më e madhe u është dhënë formave të refluksit (feedback-ut) të opinioneve, komenteve dhe mendimeve të qytetarëve. Kështu që media përmes teknologjisë po bëhet gjithnjë e më shumë dialoguese dhe jo vetëm komunikuese, çka për mua rrit pjesëmarrjen qytetare”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.71

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top