Të gatuarit për Eneida Xhelilin është një lloj joge. Dhe jo vetëm për kënaqësinë e të ngrënit që do të vijë më pas, por mbi të gjitha për çlodhjen që i jep. Prezantueses së njohur, Eneida Xhelilit, i ka rënë orakulli që këtë lloj “sporti” ta përdorë jo vetëm në shtëpinë e saj, por edhe në punë. Pa qenë vetë një kuzhiniere profesioniste, sidoqoftë, ajo drejton prej disa vitesh një emision në qendër të të cilit është pikërisht gatimi… Por lidhjen me kuzhinën Eneida e ka të vjetër. Dhe nuk është pikërisht programi i përditshëm televiziv që ia krijoi. Për herë të parë i është dashur të gatuajë në adoleshencë. Pa rekomandim dhe asnjë shtysë për të bërë domosdoshmërisht përgatitjen e drekës apo diçka tjetër. Përkundrazi, nëna dhe gjyshja e saj, tolerante në sjelljet e tyre, e lanë të lirë Eneidën të bënte zgjedhjen që i takonte. “Gatimi të çlodh. Mamaja dhe gjyshja gjithnjë më linin të bëja gjithçka vetë, pa më stresuar bëj këtë apo atë. Më linin, në fillim ta digjja, pastaj ta piqja”.
Qysh prej asokohe, falë dhe modelit që i ofroi nëna e saj, Eneida ka kuptuar se ka qenë pikërisht gatimi, ai që e ka ndihmuar të gjejë paqen dhe qetësinë. “Shkarkoj shumë nerva në tenxhere. Të gatuash është të harrosh atë pjesë të problematikave që truri mbart gjatë gjithë kohës, shqetësimeve të ndryshme të ditës, ngarkesave spontane. Gatimi më çliron emocionalisht dhe më bën t’i harroj këto gjëra, sa kohë jam e mbërthyer pas tij. Është i domosdoshëm dhe e bëj çdo ditë. Ka raste kur përveç drekës, që e kam ritual të përditshëm, edhe darkës mundohem t’i përkushtoj të njëjtën vëmendje. Sigurisht, mendoj më lehtë”. Sipas prezantueses televizive është shumë i rëndësishëm kombinimi i produkteve të zgjedhura dhe vendosja në tryezë me elegancë. Nuk ka përdorur libra apo rekomandime. Gjithçka e ka të mësuar natyrshëm, me fantazi, por edhe falë dyshes që ka krijuar në televizionin ku ajo punon, me zonjën Tefta, një kuzhiniere me “përvojë diplomatike”, e cila ka arritur t’i shtojë njohurive të Eneidës informacion të bollshëm. “Për mua të mos dish të gatuash dhe të mos i shijosh gjërat e mira është një fatkeqësi. Jam një njeri që gjithmonë kam shijuar. Preferoj të ha në tryezë. E vlerësoj shumë atë dhe rregullat e saj. E njëjta gjë ndodh dhe tek gatimi. Organizohem dhe e gjej gjithnjë kohën për të gatuar”. Çdo ditë, Eneida Xhelili i kushton organizimit dhe konsumit të ushqimeve interesin e duhur. Praktike në zgjedhjet që bën, ajo është e shpejtë dhe kurrë nuk e merr si stres gatimin. Përkundrazi, “lufton” për të mposhtur streset e përditshmërisë në varësi të peshës së tyre. “Kur nuk ndihem mirë, zgjedh të gatuaj për të shmangur ngarkesat e ditës. Shkoj në kuzhinë, kërkoj të bëj diçka, vendos edhe për të realizuar gjënë më të thjeshtë. Në radhë të parë merrem me asortimentet. Nëse nuk kam në shtëpi shkoj të tregu që kam afër, pastaj mendoj sipas një parimi që ma ka mësuar zonja Tefta: e krijoj me mendje vizionin e pjatës që do të servir. Si antistres zgjedh gjithmonë të ëmblat, ndonjë sallatë frutash, lloje të ndryshme keku apo pandispanjë servirur me akullore. Më pëlqejnë shumë kombinimet. Më pëlqejnë më shumë gatimet e pranverës, për shkak të Psikologji Terapi në kuzhinë shumëllojshmërisë së produkteve bimore plot ngjyra”. Ta shohësh me kujdes, Eneida Xhelili të tërheq me elegancën e saj, ndërsa falë metabolizmit ajo preferon të konsumojë gjithçka pa abuzuar. “Jam e dënuar” të ha mirë dhe të gatuaj mirë. E kam dhurata nga mamaja ime metabolizmin. Të konsumoj gjithçka, çdo lloj asortimenti, ndonjëherë të gatuara jo fort shëndetshëm. Zakonisht ha një mëngjes shumë të pasur, një drekë rreth orës 16:00, pasdite dhe darkën. Ha shpesh dhe kryesisht mundohem të ulem në tryezë në oraret e ndërmjetme. Nuk përjashtoj çajrat dhe frutat”. Eneida është një amvisë për t’u lavdëruar jo vetëm për mamanë dhe motrat e saj, por edhe për të fejuarin, Edmondin, i cili nuk është ankuar asnjëherë nga krijimet e saj. Madje edhe kur është e ftuar diku, ajo ngrihet pa qenë nevoja ta thërrasin për të ofruar ndihmën e saj në realizimin e një tryeze të shëndetshme dhe fine. Deri më sot këtë gjë e ka realizuar tek prindërit e bashkëshortit, ku, siç thotë Eneida, nëna e tij kurrë nuk ia ka marrë për ters, përkundrazi ka preferuar kujdesin e saj.
Botuar në revistën Psikologji, nr.39
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.