Ndërsa në fund s’ka se si të ndodhë ndryshe, pak ëmbëlsirë dhe asgjë më shumë se kaq. Ke ngrënë një drekë të pasur me proteina shtazore, ke pirë alkool sa je lodhur e stomaku nuk nxë më asnjë gram ushqimi më tepër. Por nëse pas gjithë kësaj të vjen një ëmbëlsirë e gatuar me mjeshtëri, plot petë, pana e një qershi sipër saj, askush nuk do mund ta refuzonte. Dhe çuditërisht në stomak gjendet një vend i lirë për të shijuar pafund ëmbëlsi…
Ata janë dy të rinj, që në fushën e të bërit biznes i ridhanë jetë emrit të madh të paraardhësve Reka. Në tri ambiente të ndryshme, te “Pazari i Ri”, “Komuna e Parisit” dhe në Borsh, prej shtatë vitesh, pastiçeri “Reka” i ka të gjitha standardet që të hash e të mos dish të velesh. Prodhime me krem si të perëndimit dhe plot me sherbet si nga orienti. Është themeluar gati një shekull më parë, por edhe sot vazhdon të prodhojë gjëra të ëmbla për klientët e saj që me sa duket nuk e kanë tradhtuar kurrë.
Janë të paktën 200 produkte, krejtësisht bio dhe të përshtatura për të katër stinët e vitit. Ndërsa një pjesë e mirë e recetave, vazhdojnë të mbajnë “vulën” e viteve kur pastiçerët Reka lulëzonin nën mbretëri, aq sa Ahmet Zogu porositi vetë ata për llokumet e famshme dhe tortën, që do t’ua servirte të ftuarve gjatë ceremonisë së dasmës së tij. Dhe fama nuk do të mbeste brenda kufijve të shtetit Shqiptar. Llokumet e Rekajve do t’i porosiste dhe familja mbretërore e Farukut të Egjiptit. Kohët kanë kaluar dhe sot “Reka”, kjo pastiçeri me një emblemë tradicionale themeluar nga Muhamed e Mustafa Reka drejtohet nga dy vëllezër, pasardhës të tyre: Enesi dhe Siditi.
Padyshim që dy të rinjtë, pasionet e jetës i kanë trashëguar nga genet e të parëve, ndërsa për shkak të një modeli familjar të shëndoshë, i kanë dhënë udhë dijeve që u përkasin profesioneve të ndryshme. “Psikologjia” e bëri Enesin edhe më të sigurt në rrugën e të bërit biznes, ndërsa Siditin, që të mbështesë fort të vëllanë në një investim që premton në të gjitha kohërat, e i bën ata të ëmbël në pafundësi.
Ju gjejmë në një periudhë angazhimesh, ndoshta më shumë edhe për vetë faktin se jemi në stinën e verës. Si është kjo periudhë për ju?
ENES: Kjo periudhë na gjen shumë të ngarkuar. Ne nuk pushojmë në një kohë me të tjerët. Në fakt, ende nuk e kemi gjetur stinën e përshtatshme për të pushuar (buzëqesh). Kjo e jona është një punë pa ndërprerje, çdo orë, çdo ditë. 365 ditë në vit duhet të performosh po njësoj. Momentalisht jemi shumë të angazhuar me prodhimin e akulloreve për të dyja pastiçeritë në Tiranë, por edhe me realizimin e tortave. Vera është stina e dasmave dhe kemi shumë porosi, sidomos gjatë muajit gusht. Sakaq është pastiçeria tjetër në Borsh, e cila kërkon gjithashtu përkushtimin tonë për të realizuar pritshmëritë e pushuesve që prej vitesh i qëndrojnë besnik zgjedhjes së “Rekës” në stinën e nxehtë. Kësisoj, familja jonë është e ndarë mes Tiranës dhe Jugut.
SIDIT: Unë shkoj në Borsh që të mbaj pastiçerinë atje. Korriku dhe gushti janë për mua muajt më të ngarkuar të vitit, por Borshi është i bukur. Mendoni, një det të kaltër në mes të verës dhe akullore pa fund, me shije të ndryshme, parfe e pasta me receta të vjetra sa shteti shqiptar në mbrëmjet e Jugut në verë. Pranë detit, pranë ëmbëlsirave, a ka më mirë?! Si fillim më është dashur të bëj gati punishten, sepse ëmbëlsirat që ofrohen në Borsh prodhohen atje, nuk merren nga Tirana. Këtë vit e kemi më vështirë, sepse janë tri vende që duan vëmendje, përkushtim e shumë profesionalizëm për t’i nxjerrë të gjithë të kënaqur. Vetëm se këtë vit ne kthehemi pranë klientëve tanë të Borshit, më së fundi, me premtimin e mbajtur për të qenë pranë tyre, jo vetëm gjatë plazhit, por edhe gjatë gjithë vitit.
Jeni pasuesit e mjeshtërve të pastiçerisë Reka, paraardhësve tuaj. Si ju bën të ndiheni ky fakt?
ENES: Sigurisht na bën të ndihemi krenarë, e nga ana tjetër na ngarkon me një përgjegjësi të madhe për të vijuar atë që paraardhësit tanë ngritën me shumë mund. Nuk e kisha kuptuar më parë këtë peshë, por pasi dolëm në treg, e kuptova sa shumë rëndonte, sa përgjegjësi kërkonte. Duhet shumë për të ndërtuar një emër të mirë, por mjafton fare pak për ta prishur atë. Ndaj dhe ne po përpiqemi të jemi shumë të kujdesshëm për të bërë sa më pak gabime në këtë që kemi ndërmarrë, ndonëse gabimi është njerëzor. Pesha e emrit që mbajmë, e rrit shumë përgjegjësinë dhe përpjekjen time, të familjes sime dhe të stafit për të nderuar këtë emër.
SIDIT: Emri i madh nuk e ngre reputacionin, nëse nuk di të qëndrosh në lartësinë e emrit. Duhet të punosh fort, 20 orë nga 24, e mbase më shumë. Ne të dy vëllezërit jemi munduar që përmes vlerave morale e profesionalizmit të mbajmë gjallë emrin dhe ta nderojmë atë. Rruga e stërgjyshit nuk ka qenë e lehtë, por as e jona nuk është. Gjërat nuk arrihen lehtë, sepse ka shumë konkurrencë, që jo gjithmonë është e ndershme, ndërsa ne duam të jemi së pari të tillë. Mendojmë se nuk po e turpërojmë emrin dhe për këtë jemi shumë krenarë. Nga ana tjetër, fakti që jemi pasardhës të disa prej familjeve më të vjetra e të njohura qytetare tiranase dhe që trashëgojmë reputacionin e recetat e pastiçerisë më të vjetër në Tiranë, na e përkëdhel vërtet sedrën. Metoda jonë e prodhimit të akulloreve dhe ëmbëlsirave është artizanale dhe kështu duam të vazhdojmë. Kjo ka lidhje me recetën që është vetëm për prodhime artizanale, ajo nuk mund të bëhet me përbërës të tjerë përveç atyre që janë të freskët e natyralë.
Duke iu referuar sagës familjare, një element është i qartë: forca e ekipit!
ENES: Unë mendoj që puna në skuadër është gjithmonë rezultative. I vetëm nuk ia del dot në asnjë sferë të jetës. Ne nuk ia dalim dot pa familjen, pa miqtë në jetën e përditshme dhe po njësoj ndodh edhe në pastiçeri. Është gjithmonë e nevojshme mbështetja e kolegut dhe e bashkëpunëtorëve, shkëmbimi i një përvoje, ideje. Pavarësisht kush di më shumë, e kush më pak, në familjen e “Reka Pastiçeri” janë të gjithë të barabartë, pa harruar asnjëherë vlerësimin individual për secilin.
SIDIT: Ka të bëjë me besimin te njëri-tjetri. Ne të dy e dime se mund t’i besojmë verbërisht njëri-tjetrit, se do të kujdesemi për çdo gjë, sepse është e jona, është emri ynë, familja jonë, tradita jonë, nderi ynë, krenaria dhe tanimë edhe dashuria jonë. Assesi nuk do të bëjmë diçka që dëmton “Rekën” dhe atë që përfaqëson ajo.
Cili është historiku i kësaj trashëgimie që mban mbiemrin Reka?
ENES: Ishte stërgjyshi ynë, Mustafa Reka, ai që krijoi “Pastiçeri Rekën” në Tiranë, menjëherë pas kthimit të tij nga Turqia, ku shkoi për të studiuar teologji fetare dhe gjuhët e lindjes. Gjatë kohës së studimeve, për të përballuar shpenzimet e jetesës nisi punë në fabrikën më të famshme të ëmbëlsirave në Turqi, “Haci Bekir”. Ishte pikërisht kjo përvojë, ajo që i dha Mustafa Rekës mjeshtërinë në përgatitjen e ëmbëlsirave, ku si specialitet i tij veçohej llokumi. Viti 1924, do t’i shtonte Tiranës një pastiçeri model, që me kohën do të kthehej në më të preferuarën e kryeqytetit, madje dhe të vetë familjes mbretërore. Vendndodhja e përshtatshme (përballë Pallatit Mbretëror – sot Parlamenti – në rrugën e Elbasanit), eleganca dhe shija europiane në arredim, pastërtia, cilësia dhe shija unike në ëmbëlsira dhe sidomos kultura në mikpritjen e klientit, e kthyen shumë shpejt “Pastiçeri Rekën” dhe pastiçierin e saj të parë Musatafa Rekën, në më të dashurin për tiranasit. Kjo mjaftoi që “Pastiçeri Reka” të zgjeronte stafin e saj duke punësuar të tjerë njerëz dhe të bashkëpunonte me firmat më të njohura italiane, zvicerane e austriake të kohës për prodhim çokollatash, bonbonesh, karamelesh, konfetash, etj., duke ndërthurur traditën me modernen. Në 1938, “Pastiçeri Reka”, u përfshi në përgatitjen e ëmbëlsirave dhe tortës së martesës së Mbretit Zog, duke u përfaqësuar denjësisht jo vetëm mes të ftuarve shqiptarë, por edhe atyre të huaj, që vinin nga familje të tjera mbretërore nga e gjithë bota. Ndoshta ishte pikërisht ky eveniment, ai që krijoi lidhjen mes Mustafa Rekës dhe Mbretit Faruk të Egjiptit, i cili ka kërkuar që për dasmën e tij të përgatiteshin nga “Pastiçeri Reka” në Tiranë plot 250 kuintal llokume. Menjëherë pas festimeve, për të falënderuar “Pastiçeri Rekën” për cilësinë e lartë, Mbreti Faruk dërgoi një letër mirënjohjeje, e cila fatkeqësisht pas djegies së dyqanit nga një predhë (viti 1944) nuk ekziston më, sikurse shumë objekte dhe fotografi të aktivitetit 20-vjeçar të pastiçerisë.
SIDIT: Por historia e “Pastiçeri Rekës” nuk përfundoi këtu. Puna dhe emri i ngritur me shumë mund nga Mustafa Reka, u vijua me të njëjtin sukses nga i biri i tij, Muhametali Reka. Pas çlirimit, ndërsa i ati punonte si shef i punishtes së pastave në Tiranë, Muhameti vendosi të hapë në Tiranë në vijim të traditës familjare, pastiçerinë e tij. Përkushtimi, cilësia, bujaria, dekori i veçantë dhe mënyra e paharrueshme e trajtimit të klientëve, ku edhe fëmija i vogël trajtohej si një zotëri i vërtetë, e bëri atë një nga ambientet më të frekuentuara të kohës. Pas mbylljes së aktivitetit privat, Muhameti vazhdoi të punonte në bonbonerinë pranë rrugës së Barrikadave deri në vitin 1986. Ende sot mbahet mend mirë dhe kujtohet me nostalgji dyqani, në vitrinën e të cilit ekspozoheshin torta gjigante të papara, ku nuk mbetej fëmijë e i rritur pa ndaluar për t’i soditur. Brenda shfaqej një burrë i shkurtër, tepër i mirësjellshëm, me uniformën që shndriste nga pastërtia e që me një etiketë të rrallë mbresëlënëse, unike për kohën, trajtonte çdo klient. Megjithëse nisi punë në shtet, ai nuk hoqi dorë kurrë nga pasioni i tij, duke mos e ndërprerë asnjëherë aktivitetin e tij privat për familjarë e klientë besnikë të tij, duke kaluar më vonë fillin e traditës familjare tek Enesi…
Emocionalisht si e keni përballuar të ruani standardet e cilësisë së pastiçerisë?
ENES: Ne jemi rritur me edukatën për të ndjekur rregullat e familjes sonë në çdo fushë të jetës, ndaj fryma për të ruajtur cilësinë edhe në punë ishte dhe është pjesë e jona. Nuk është se një ditë na u tha që “djema kujdes, duhet të ruajmë këtë e atë”. Kjo ka ardhur krejt natyrshëm e rrënjosur te ne. Ndaj dhe cilësia e produkteve tona ka qenë prioriteti kryesor prej ditës së parë. Kjo do të thotë se qëllimi ynë parësor është që klienti të mbetet gjithmonë i kënaqur. Në pastiçeri nuk të bie rruga rastësisht. Ajo zgjidhet, thoshte gjyshi. Besojmë se edhe duket lehtësisht që ne punojmë me moton: “më shumë cilësi sesa sasi”. Vetëm se cilësia po na sjell kërkesa tejet të mëdha për sasi (buzëqesh). Është e vështirë, por e përballueshme.
SIDIT: Ah, duhet shumë durim, shumë orë të gjata, ka shumë stres, sepse na duhet të monitorojmë gjithçka. Vendosja e prioriteteve dhe ndjekja e tyre kërkon shumë mund e përkushtim, sepse te ne, nuk është e rëndësishme vetëm shija, por dhe sa shëndetshëm ushqehemi, gjë që ka të bëjë me përzgjedhjen e lëndës së parë: e freskët, natyrale, e ushqyeshme dhe cilësore. Nga ana tjetër, i bëjmë gjërat në grup me stafin, duke u përpjekur të kemi një frymë bashkëpunimi, të jemi komunikues, jo shefa. Një punë e mire nuk bëhet vetëm dhe puna në grup do kujdes që të mbërrijë në duart e klientit siç duhet të jetë.
Cilat janë kujtimet që ju lidhin me periudhën e fëmijërisë dhe si kanë ardhur ato nga prindërit, që janë bijtë e paraardhësve Reka?
ENES: Jemi rritur duke dëgjuar vetëm admirim e nostalgji për të parët tanë, si për vlerat e larta njerëzore, ashtu edhe ato profesionale. Natyrisht, kjo gjë na ka frymëzuar. Gjithashtu, jemi rritur në një shtëpi të mbushur me shumë objekte të trashëguara nga dyqanet e vjetra, disa prej të cilave janë ekspozuar në dy dyqanet tona në Tiranë. Kjo gjë na ka ngacmuar shumë fantazinë dhe s’është çudi që këto na nxitën edhe pasionin për pastiçerinë. Pastaj kaq shumë ëmbëlsira, reçelra e lëngje natyrale frutash bëheshin te ne… torta që ne quajmë tani “na ishte njëherë” ka shoqëruar jo vetëm çdo ditëlindje tonën, por gjyshi e më pas mami, e bënin kaq shpesh, pasi ishte shumë e ushqyeshme dhe e shëndetshme për ne fëmijët, meqë përgatitet me përbërës bazikë të thjeshtë, të ushqyeshëm e të shëndetshëm.
SIDIT: Në kujtimet e të afërmve tanë dhe të një rrethi të gjerë shoqëror, “Reka” është përshkruar jo vetëm si pastiçeria më e njohur në Tiranë, por me konsiderata shumë të larta për virtytet morale që karakterizonin të parët tanë. Në shtëpinë tonë deri vonë kemi pasur disa enë alumini me kapak, të cilat kanë shërbyer për të dërguar ushqimin e punonjësve nga shtëpia në punishte. Të gjitha ishin njësoj dhe kur shpërndaheshin në punishte nuk kishte dallim ndërmjet çirakut apo pronarit. Ishin kohë kur nuk kishte rrugët dhe zhvillimin që ka sot, kishte ende kuaj e karroca, por kishte njerëz me veti të larta morale, punëtorë të ndershëm, bujarë e mikpritës me zemër të madhe, që hapën dyert jo vetëm të punishtes së tyre, por edhe të shtëpisë për të ndihmuar e rritur fëmijë jetimë.
Unikë dhe origjinalë, duke i qëndruar traditës së recetave familjare, por edhe asaj që ju keni krijuar me evoluimin e artit të kuzhinës. Keni krijuar receta të reja, qoftë dhe me emërtime të personalizuara?
ENES: Ne kemi recetat e vjetra të stërgjyshit, të cilat i kemi rikthyer në pastiçeri. Kemi risjellë si produkt akulloren e vjetër që ka qenë shitur dikur në Tiranë dhe i kemi vënë emrin “Na ishte njëherë” si dhe receta të tjera të pastiçerisë së familjes që ne i servirim sërish sot dhe shijojnë njësoj si atëherë. Natyrisht nuk janë vetëm këto. Në shtëpinë tonë janë përgatitur shumë ëmbëlsira të tjera të traditës, të cilat mendojmë t’i fusim më vonë në formë origjinale ose të përpunuar. Ndërkohë, bazuar në këtë traditë, me pak fantazi, përditësim dhe duke njohur prurjet dhe shijet e tregut krijohen edhe recetat e reja, shpesh me emërtime të personalizuara.
Dy vëllezër, por me pasione të ndara: njëri i lidhur ngushtë me artin e pastiçerisë dhe tjetri me menaxhimin. Është një zgjedhje për të vazhduar traditën familjare apo është shndërruar në pasionin e jetëve tuaja?
ENES: Në fakt, nisi si zgjedhje e rrugës, por u shndërrua në pasion shumë të madh. Unë kam qenë iniciatori. Këmbëngula që ta nisnim si biznes, duke ndjekur të njëjtën rrugë që na kishin lënë si kulturë në familje. Vendosa ta testoj veten duke hapur fillimisht pastiçerinë në Borsh dhe puna atje më bindi se kisha të drejtë, ia vlente. Ndaj e rrita edhe më shumë këmbënguljen për të nisur diçka në Tiranë. Kur mendoj me vete se si nisi dhe shoh ku është sot, e them pa modesti se ndihem vërtet krenar. Unë i përqendruar tërësisht te prodhimi, kisha nevojë patjetër për dikë që të menaxhonte gjithçka. E kush tjetër mund ta bënte më mirë këtë, se sa vetë im vëlla. Ai nga ana tjetër e nisi si punë, por edhe atij rrugës i ndodhi e njëjta gjë: iu kthye në pasion e në qëllim për të qenë në nivelin e emrit që mbajmë. Besojmë se po ia dalim.
SIDIT: Është edhe obligim, edhe zgjedhje, edhe pasion. E kemi zgjedhur, sepse e duam. Nuk ka qenë vetëm kjo gjëja që mund të bënim, por është emri i familjes, dhe ky është fat që të bën të punosh fort dhe pastaj kur punon fort, puna të kënaq, sepse kënaq klientin. Ndihesh mirë me atë që bën, ndihesh krenar sa herë dikush buzëqesh dhe i shijon recetat për të cilat punon.
Si e shihni ju raportin si vëllezër në këtë biznes familjar?Të ngjashëm apo plotësues të njëri-tjetrit?
ENES: Ne kemi dy misione të ndryshme, por ndihmojmë njëritjetrin çdo ditë në punët e secilit. Punojmë si një skuadër dhe plotësojmë njëri-tjetrin.
SIDIT: Jemi plotësues. Secili ka pikën e tij të fortë që di ta bëjë më mirë. Njëri profesionin, tjetri komunikimin. Njëri merret me klientët, tjetri siguron përbërësit cilësorë që duhen. Njëri merret me porositë, tjetri me kujdesin. Është gjithmonë njëri i gatshëm të bëjë atë që tjetri për arsye të ndryshme nuk mundet.
Po me paraardhësit të ngjashëm apo…?
SIDIT: Njëri është si gjyshi, e tjetri si stërgjyshi. Kjo ndarje është edhe në personalitet, edhe në fizik.
Më thoni një përcaktim për vëllain?
ENES: Siditi është sheqeri. A mund të bëhet fjalë për pastiçeri pa sheqer?!
SIDIT: Lum ai për vëllanë që ka. Bëj shaka, vëllai është lideri dhe është truri i gjithë kësaj pune.
Gjendemi në një muze arti, ku shumë ëmbëlsira janë krijimtari më vete. Shefi ndihet më shumë artist apo artizan? Në fakt, si ndiheni ju në rolet tuaja?
ENES: Nuk di si t’i përgjigjem kësaj pyetje, por di të them me siguri që më qesh fytyra kur shoh këtë që kemi ndërtuar në kaq pak muaj… E mira do të ishte që ky vlerësim t’i mbetet atyre që shijojnë ëmbëlsirat e “Rekës”.
SIDIT: Pastiçeria do patjetër edhe artizanin edhe artistin. Ne na pëlqen të themi se arti ka edhe shijen e tij të ëmbël. Në një biznes si ky, duhet të kesh edhe përmbajtjen, edhe formën. Pra, jo vetëm shija dhe vlerat ushqyese kanë rëndësi, por edhe mënyra se si serviret apo prezantohet produkti. Ju e dini shprehjen që syri e zgjedh, ose është syri që e ha në fillim. Megjithatë, sot arti i dekorit të ëmbëlsirave është zhvilluar aq shumë sa çdo ëmbëlsirë është mirëfilli një vepër arti.
Pjesë emblematike e këtij “muzeu” janë mjetet e punës së paraardhësve tuaj, fotografi dhe dëshmi të kohës të dokumentuara në fotografi e jo vetëm, që ju i ruani me fanatizëm. Sa motivuese janë ato pas mbi një shekull ekzistence?
ENES: Ato janë historia e familjes sonë; meritë e padiskutueshme e gjyshërve të mi, në veçanti e gjyshes e më tej dhe e mamit tone që i ruajtën të paprekura në çdo kohë këto objekte dhe kanë ditur t’i ekspozojnë bukur dhe të na i bëjnë të pranishme gjatë gjithë jetës sonë. Përveç motivimit, nuk mund ta fsheh dot, më bëjnë krenar.
SIDIT: Janë motiv e stimul për ne këto objekte. Nëse këto relike i sheh me vëmendje, do të duket sikur të flasin. Edhe vegla më e vogël që është e ekspozuar këtu tregon një histori dhe një kujdes ndaj detajeve, gjë që ne e kemi trashëguar, sepse kemi të njëjtin kujdes për detajet, lulet, format, ngjyrat, pastërtinë, elegancën e tyre. Edhe vegla më e vogël ka një histori të madhe pas vetes. Bart kujtime të një kohe të harruar.
Pastiçeria juaj anon nga tradicionalja apo është gërshetim i së vjetrës me të renë?
ENES: Është padiskutim një gërshetim i të dyjave. Edhe ne, si çdo biznes synojmë përhapjen në një target sa më të gjerë dhe kësisoj përveç shijeve të vjetra, disa të harruara me kohën, shërbejmë në të tri pikat tona edhe ëmbëlsirat e ditëve të sotme…
SIDIT: Është si moda, që i ndërthur dy kohë, ruhen vlerat, por përmirësohet çfarë mundet.
Cila është receta më e vjetër që e ruani me fanatizëm?
ENES: Receta autentike e llokumit që është trashëguar nga brezi në brez në familjen tonë… dhe që vijon të përgatitet në mënyrën tradicionale.
SIDIT: Recetat e vjetra që ne kemi trashëguar nga stërgjyshi janë në një bllok të shkruara me dorën e tij, të cilin ia dhuroi të birit, pra gjyshit. Ne kemi pasur pastiçeri që në kohën e Zogut dhe në atë libër ka gjithçka, ëmbëlsirat e kohës me detaje si bëheshin e si shijonin. Ky bllok për ne është shumë i vyer, edhe sepse na bën krenarë mënyra e komunikimit të babës me birin dhe nënshkrimi i babëgjyshit në fund të çdo recete: “Baba i juaj”.
Po gjëja më e shtrenjtë si përbërës, që e ekspozoni sot si një xhevahir të pastiçerisë?
SIDIT: Dy ditë para se ta hapnim pastiçerinë patëm një “surprizë” nga gjyshi. Ai na kish lënë në qilar një kuti vanilje. Ruhej ende e pahapur dhe e dyllosur me pullë tunxhi. E hapim dhe gjejmë një letër në të. Shkruhej se ka një kilogram vanilje kristalinë. Shënonte: “E kam blerë 11 mijë lekë më 11 gusht 1955”. Pra, ka 62 vite që e kemi atë vanilje. Është kristal dhe në formën që ka tani, nëse e vë në gjuhë të djeg e nëse e vë në dorë të çan.
Për ju vetë, cila është ëmbëlsira më e preferuar?
ENES: Nuk i ndaj dot (qesh).
SIDIT: Pastiçeria evoluon, dalin shije dhe kombinime shumë të mira. Kjo nuk do të thotë që shijet tradicionale t’i harrojmë. Kështu që pa një lugë akullore me reçel qershie sipër e pa një llokum nuk më shkon dita mbarë.
Sa është numri i produkteve që ju krijoni, dhe ku janë më besnikë klientët?
ENES: Ne kemi rreth 200 produkte për të katërta stinët e ato prodhohen në varësi të stinës.
SIDIT: Ndërsa klientët, megjithëse ka shumë shije të reja, duken nostalgjikë. Duan kryesisht recetat e vjetra, janë besnikë të tyre, u shijojnë më shumë, mbase edhe kanë mall se nuk i gjejnë më siç ishin dikur, ndërsa ne ruajmë identitetin e markës së familjes.
Si e shikoni sot tregun vendas, jo thjesht në konkurrencë, por në zhvillim të artit të pastiçerisë?
ENES: Konkurrenca është e madhe, por secili ka shijen e vet dhe secili kërkon shijen e vet. Meqë familja jonë ka traditë në tri breza e ne jemi i katërti, në njëfarë mënyre kemi trashëguar edhe klientelën. Breza pas brezi familjet kanë ditur se ku të kërkojnë ëmbëlsira për jetën e përditshme ose për raste të veçanta. Kemi klientë besnikë, nipat e bashkëkohës të gjyshit tim për shembull. Ato familje që kanë njohur stërgjyshin e gjyshin dhe kanë provuar shijet e tyre, vijnë sot dhe i rigjejnë. Për të qenë pastiçier duhet të jesh artist dhe madje shumë i zgjuar, këtë duhet të dish jo vetëm ta shfaqësh bukur, por edhe ta bësh mirë.
SIDIT: Sot që të jesh pastiçier i kompletuar, duhet të njohësh mirë artin e pikturën,të zotërosh shije të mira personale, qoftë edhe vetëm për prezantimin, që ta shfaqësh sa më mirë, të duket sa më mirë, sa më bukur. Ne këmbëngulim se arti ka edhe anën e ëmbël të tij.
Ku e gjeni ekuilibrin për pak qetësi edhe për veten tuaj?
ENES: Mjafton të gugëlloj për pastiçeri dhe jam në terrenin tim. Familja është vendi ku gjej gjithnjë ekuilibrin. Orët e kaluara me prindërit dhe bisedat me ta më japin qetësi dhe siguri për të vazhduar këtë që kam nisur.
SIDIT: Para pastiçerisë jam marrë me sporte dhe arte marciale. Tani, për shkak të ngarkesës e gjej qetësinë te besimi në Zot dhe te prehja e trupit. Shpirti më qetësohet nga besimi, trupi gjen qetësi nga gjumi. Qetësi është edhe një buzëqeshje e një njeriu që ka mbetur i kënaqur nga produktet tona, apo telefonata e dikujt që thotë “Ju lumshin duart! Na kënaqët! Faleminderit!”.
Për Albert Einstein “koha ishte një iluzion”, po për ju?
SIDIT: Koha ekziston dhe është treguesi më i mirë i çdo gjëje. Megjithëse jemi shkëputur nga tregu për një kohë të gjatë, tani që jemi rikthyer koha na tregoi që klientët e dashamirësit tanë ëmbëlsirat tona i kujtonin dhe i dëshironin akoma.
Fjala “limit” çfarë kuptimi merr në profesionin tuaj?
ENES: Në hapat e parë nuk ka limit, sepse si çdo punë do shumë investim. Është si të jesh në shkollë fillore, mund të jetë shumë e vështirë, por nuk duhet ta lësh pa kaluar edhe universitetin. Madje as universiteti nuk është limiti. Me dijen duhet të jesh në kontakt të përhershëm. Kështu është edhe biznesi. Duhet të punosh gjithnjë, si ditën e parë, përndryshe nuk zgjat më shumë se disa ditë.
Nëse nuk do të ishit marrë me këtë “pasuri” të trashëguar, me çfarë do të ishit marrë në jetë?
SIDIT: Unë jam shkolluar për fizioterapi në Shqipëri dhe më pas kam shkuar jashtë vendit ku jam specializuar për metodat orientale të rehabilitimit, pra për fizioterapinë orientale. Me gjithë prirjet për art, po bëj tani këtë punë, merrem me pastiçerinë tonë.
ENES: Unë gjithnjë këtë kam dashur e këtë kam bërë. Që i vogël. Ka qenë ëndërr e pasion, por edhe profesion. Ndonjëherë mendoj se nuk di të bëj gjë tjetër, ndaj nuk iki prej saj.
Për shkak të impenjimeve pendoheni ndonjëherë për këtë rrugëtim dhe a e keni menduar dorëheqjen?
SIDIT: S’jemi penduar kurrë. Ka çaste që ndalemi e reflektojmë e themi ‘oh, sa rehat paskemi qenë’ por janë vetëm çaste lodhjeje. Nuk zgjat shumë, ndaj i kemi kushtuar gjithë fuqitë tona.
Për çfarë nuk do të tërhiqeshit kurrë?
ENES: Nuk do të tërhiqemi kurrë së qeni mirënjohës klientëve tanë besnikë që nga stërgjyshi e deri sot. Mirënjohja është gjëja kryesore. Jemi edukuar në këtë mënyrë nga familja. Gjithashtu, u jemi mirënjohës dhe të gjithë atyre që na besuan e na përkrahën në këtë rrugëtim.
Jeni një model për t’u marrë shembull. Si ndiheni në këtë mjedis?
ENES: Ndihemi mirë dhe ndjejmë përgjegjësinë për të vazhduar çdo ditë. Jemi falënderues e mirënjohës ndaj Zotit dhe të parëve tanë, që na kanë lënë këtë mbiemër, që na kanë shtruar këtë rrugë. Na duhet vetëm ta vazhdojmë, ta mbajmë si ata, me emër të pastër që jep siguri.
Si e shikoni të ardhmen?
SIDIT: Të ëmbël! Për këdo që lakon mbiemrin Reka.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.