Farmacia në çantën e Enit!
Nuk e hedh kurrë hapin e parë drejt pragut të derës pa u siguruar se në çantën e saj gjenden mjetet e domosdoshme të ndihmës së shpejtë. Në të kundërt, ka një barrë mbi supe. Duhet të kthehet mbrapsht dhe të marrë ato sende pa të cilat nuk mund të ndihet e sigurt dhe e qetë shpirtërisht. Aktorja Eni Jani tregon se në çantën mesatare ndodhet gjithnjë një mini kuti e ndihmës së shpejtë, portofoli ekonomik dhe kremi me faktor mbrojtës. Gjithaq të qetë e bëjnë edhe syzet e zeza diellore me kufjet, të cilat shpenguar e lejojnë të ecë e vetme në rrugë pa kurrfarë shqetësimi syresh. Një këshilluese e mirë me veten, Eni rrëfen më në detaje shijet dhe zgjedhjet e ‘luksit’ praktik që i ofron përditshmëria.
***
Leukoplasti dhe paracetamoli janë elementët kryesorë pa të cilët çanta nuk rri kurrë bosh. Sigurisht dhe peceta higjienike. Janë si kutia e urgjencës për mua, ndihma e shpejtë. Shoqëria ime e di që unë gjithnjë mbaj me vete nga këto dhe e kanë të sigurt që mund t’i ndihmoj në çast. Nuk ka të bëjë vetëm me kujdesin femëror, por është një kulturë e fituar që herët.
Syzet Versace të zeza dhe kufjet. Këto janë edhe më themelore kur dal nga shtëpia. Dua të jem e lirë në rrugëtimin tim drejt një destinacioni të fiksuar, nuk shoh dhe nuk lejoj kërkënd të më shohë, ndërsa kufjet më japin mundësinë të shijoj muzikën e preferuar, pa i dëmtuar me dashje veshët nga zhurmat e automjeteve nëpër rrugët e kryeqytetit.
Gjithmonë kontrolloj portofolin para se të dal. Qëllon ndonjëherë që nuk e kam dhe më duhet të kthehem mbrapsht, (sigurisht jo vetëm për të). Portofolët i ndërroj por kur jam e fiksuar për ndonjërin në veçanti, e mbaj atë deri në gradën që nuk lejohet. Tani kam një portofol me qime kali. Është firmë e njohur, japoneze. Është në ngjyrë të zezë dhe tepër praktik.
Pa celularin gjithashtu nuk dal dot. Më ndodh që dhe atë kur e harroj, më krijohet ndjesia që të kthehem në shtëpi e ta marr. Dhe kështu bëj. Celulari aktual është Nokia i bardhë. Nuk eksperimentoj shumë me ndërrimin e tyre. I dua të jenë shërbim-dhënës të mirë.
Çantat e përditshmërisë dua t’i kem të gjitha firmat, pse jo, por në fakt nuk jam e fiksuar. Mund të dal dhe te Çamët dhe të më pëlqejë një lloj çante dizenjo dhe ngjyrat që ka. E marr. Më pëlqejnë ngjyrat që të kem mundësi kombinimi në veshje. Numëroj 8 çanta në gardërobën time. Në periudhën e verës i ndërroj më shpesh ndërsa në dimër palltot apo veshjet e trasha më kushtëzojnë. Mbetem në një ngjyrë unike, e zeza për shembull. Çantat e mia janë përgjithësisht voluminoze ose mesatare. Ajo aktuale është e bardhë.
Kremi është Rilastil, 50+, me faktor mbrojtës. Duke u konsultuar me dermatologen personale kam zgjedhur këtë firmë të mirë. Për fytyrën është e domosdoshme zgjedhja e produkteve. Unë kam vite që e praktikoj këtë linjë, edhe më gjerë me produktet e saj. Edhe parfumet më pëlqejnë, por nuk jam e fiksuar. I ndërroj dhe ai që kam aktualisht është Cerutti. Nuk jam te parfumet e ëmbla. Më pëlqejnë më shumë ekzotiket. Më përshtaten më tepër me karakterin.
Botuar në revistën Psikologjia, korrik 2012
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.