Nga Orjona Tresa / Foto Vlasov Sulaj
Natyrë e butë dhe krejt femërore, por duket se kjo vlen për jetën urbane të saj, atje ku kamerat dhe mikrofonat nuk lejohet të regjistrojnë as edhe një çast intim. Ndërsa si imazh publik, këtë herë ajo vjen më kërkuese se kurrë. Do dominojë në ekran dhe rivalët do t’i konkurrojë një guxim të epërm gjithashtu. Në tryezën e saj, aty tek “Studio e Hapur” do të përplasen burrat e shtetit dhe administratorë që mbajnë në duar kyçe kasafortash me dosje “Top secret”. Ndërsa asaj i duhet me çdo kusht të mbajë “në fre” ata që edhe në studion e saj mendojnë të bëjnë shefin apo të marrin në kontroll listën e pyetjeve të pashkruara.
Eni Vasili, kjo gazetare me shumë përvojë e ekranit shqiptar, që prej 11 shtatorit, kur do të shënojë dhe hapjen e edicionit, do të vijë për shikuesit e “News 24” tri herë në javë, në fillim të saj me dy tavolina debatesh të nxehta dhe në fund me një intervistë 60-minutëshe.
Paraprakisht dua të ndalemi në rikthimin e emisionit tuaj në News 24. I sati është ky edicion që prek ciklin e dytë për vitin 2017?
2017 shënon vitin e 12-të të “Studios së Hapur”. Këtë shtator nis praktikisht sezoni i 12-të televiziv dhe nëpërmjet ekranit të “News 24” tri herë në javë do të sjellim për publikun dhe teleshikuesin debatet më të forta politike dhe do të trajtojmë çështjet më të nxehta të aktualitetit. Gjithashtu nuk do të mungojnë as intervistat me drejtuesit e vendit, por jo vetëm.
Rivini në një datë, ngjarje historike tashmë, siç ishin sulmet e 11 shtatorit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Ka një kuptim të veçantë lancimi në këtë datë apo është thjesht rastësi?
Sigurisht që nuk është rastësi caktimi i datës 11 shtator, por në të vërtetë nuk menduam që të përkonte me 11 shtatorin 2011, sulmet mbi kullat binjake në New York. E gjitha lidhet me fillimin e sezonit të ri politik në vend. Në datën 9 shtator mbahet seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit. Është një ngjarje e rëndësishme e jetës politike të vendit ndaj dhe kërkon një vëmendje të veçantë. Pra, do të jetë politika ajo që do të startojë sezonin e ri televiziv të “Studios së Hapur”. 11 shtatori është një datë e rëndësishme politike, e cila nuk mund të shmanget. Do të flasim për kuvendin e ri, për qeverinë “Rama 2” etj.
A do të ketë ndryshim në strukturën e emisionit, apo jashtë parashikimeve çdo gjë është e mundur?
Në fakt edicioni i ri i “Studios së Hapur” do të vijë me ndryshime. Së pari, emisioni do të vijë për publikun jo një herë në javë, por tri herë në javë. “Studio e Hapur” do të jetë në ekranin e “News 24” çdo të Hënë, të Martë dhe të Premte. E Hëna dhe e Marta në orën 21.00 do të jenë pak a shumë emisionet klasike me katër të ftuar, por edhe ditët kur do të vijnë për publikun duelet e forta politike apo intervistat me drejtuesit e vendit. Ndërkohë emisioni i të premtes do të vijë i formatuar ndryshe, duke filluar nga studio. Do të jetë një tavolinë më e vogël se ajo e zakonshmja, karakteristika e “Studios së Hapur”. Aty do të ulen vetëm dy veta, unë dhe i ftuari me të cilin do të zhvillohet një intervistë rreth 60 minuta. Pra e premtja do të jetë dita e intervistës. Personazhet do të jenë të larmishëm dhe jo domosdoshmërisht nga politika.
Faktori politik dominon shoqërinë, po në emisionin tuaj çfarë vendi do të zërë ai, apo do të ketë alternime sipas ngjarjeve të aktualitetit?
Patjetër që do të ketë alternime. Çdo gjë do të varet nga tematika e ditës. Nëse ka një ngjarje kronike, patjetër që do të flasim për atë çështje. Nëse ka një tematikë të fortë sociale, pa diskutim që do të trajtohet edhe ajo. Por sigurisht që edhe politika do të ketë vendin e saj në “Studio e Hapur”. Edhe ju e thatë vetë që faktori politik vazhdon të dominojë shoqërinë. Nuk mund të shmanget.
Në vëmendjen dhe këndvështrimin tuaj, cilat kanë qenë bisedat televizive që vërtetë kanë thithur audiencën në maksimum?
Intervistat me liderët politikë kanë kryesisht audiencë të garantuar, në mënyrë të veçantë, ato me kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Por kemi pasur edhe tema të tjera denoncuese që kanë tërhequr shumë vëmendjen, si ajo kur demonstruam me një degë kanabisi në studio fenomenin e kultivimit të kësaj bime në vend. Ishte një emision që pati impakt shumëdimensional.
Nëse mund të bëjmë një krahasim, me nota zbutëse kuptohet, cili ka qenë politikani më i vështirë, po më komodi?
Më i vështiri është Edi Rama, ka një lloj tensioni në intervistat me të jo vetëm sepse ai është kryeministri dhe zakonisht të tilla intervista kanë një përgjegjësi të veçantë përpara publikut, por për shkak të marrëdhënies dominuese që ai mundohet të vendosë me bashkëbiseduesin. Është një mani e të gjithë politikanëve në fakt, kush më shumë e kush më pak. Te Rama është më evidente për shkak të sjelljes dhe karakterit të tij jo të zakonshëm. Do duket e çuditshme, por komod është Sali Berisha, ai dëgjon me vëmendje, nuk përpiqet të vërë askënd në pozitë të vështirë, nuk përdor batutën. Është e vështirë t’i marrësh një rrëfim që ai nuk dëshiron ta japë, por është komod në bashkëbisedim.
Po sa i takon personazheve të tjerë të ftuar?
Kam një marrëdhënie të gjatë profesionale tashmë me të gjithë karakterizuar nga marrëdhënie korrekte. Herë-herë ka pasur nga ata që kanë ikur të pakënaqur nga debati, por kjo është kapërcyer për shkak të bindjes se nuk ka asgjë personale.
Ju jo vetëm si gazetare, analiste e opinioniste, jeni gjithaq aktiviste e shoqërisë civile, duke ndërmarrë iniciativa personale në emër të drejtësisë, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e gruas shqiptare dhe rolin e saj në shoqëri. Do të ketë një iniciativë të ngjashme në vazhdim nisur nga rastet e shënuara së fundmi? Kujtoj rastin e Nazime Vishës.
Unë do vazhdoj të ushtroj të gjitha mundësitë e mia për t’i ardhur në ndihmë shtresave më vulnerabël të shoqërisë. Mendoj që një shoqëri konsiderohet e zhvilluar kur ka në vëmendje më të dobëtit. E jona është ende një komunitet që parapëlqen të fortin dhe të jesh i dobët dhe e pamundur shihet si mëkat. Kjo është diçka që duhet të ndryshojë.
I përkisni brezit të vjetër të gazetarisë. Cili është opinioni për të rinjtë që përpiqen të gjejnë veten brenda këtij profesioni?
Është një rrugëtim shumë i gjatë dhe i vështirë ai i afirmimit në gazetari, por nëse e bëjnë me dashuri është puna më e bukur në botë.
Si jua ka bërë ditën gazetaria: të mërzitshme, të lodhshme, stresuese apo motivuese? Çfarë ju bën të rendni pas saj, pavarësisht pengesave?
Të gjitha bashkë. Ketë sezon jemi tri herë në javë në transmetim dhe është një sfidë shumë e madhe. Por kemi si staf një mbështetje shumë të madhe nga drejtuesit e televizionit. Drejtori i “News 24” Andi Tela, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në gazetari e ka mbështetur fuqimisht këtë projekt dhe jemi besimplotë që do ta justifikojmë këtë mbështetje. Irfan Hysenbelliu, pronari këtij grupi mediatik që përfshin në vetvete dhe shumë logo të tjera të rëndësishme të medias shqiptare, ka pasur vizionin e duhur për ta kthyer këtë televizion në ekranin më të kërkuar për lajmin e fundit . “News 24” ka pasur një ngritje të dukshme në audiencë vitin e fundit dhe qëllimi ynë është të ecim në këtë ritëm ngritjeje.
Në platforma të ngjashme, në media të ndryshme, zhvillohen tryeza emisioni me të njëjtën natyrë. Bashkëbisedoni jashtë ambienteve mediatike, i alternoni idetë me drejtuesit e emisioneve të tjera simotra? Si ju bën të ndiheni ky fakt?
Jemi miq të gjithë, por jashtë ambienteve të punës nuk flasim për të.
Kaq vite përvojë, intervista, sfida brenda profesionit, ngjarje dhe tematika të larmishme. Si ndiheni pas këtij rrugëtimi mbi dy dekada?
Jam e lumtur dhe apasionuar si ditën e parë.
Emocioni më i veçantë i përkorë në vite cili ka qenë?
Të jem gazetare.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.