Këshilla & Arsye

July 30, 2016 | 14:52

Enigma e një fundi, këmbëngulja mbi rolin e kohës dhe si t’i japim kuptim botës

Toni Uebster është një burrë pa cilësi, si në studime, në punë, në ndjenja e me gjasë edhe në seks. Jeta e Toni Uebsterit ka qenë një lumë relativisht i qetë. Por letra me të cilën një avokat e njofton që i kanë lënë trashëgimi 500 sterlina, si dhe një ditar që mbin nga e kaluara i trondit ekzistencën. Tashmë, Toni duhet të zbulojë se kush ia ka lënë atë trashëgimi të sikletshme dhe pse ka zgjedhur pikërisht atë, çfarë sekreti të tmerrshëm mund të përmbajë ai ditar që i kushtohet atij. Teksa ngre pyetje të tilla, do të hasë në përgjigje që do të kish dashur të mos i dinte dhe do ta mësojë në kurriz të vet se “jeta jonë nuk është jeta jonë, por vetëm historia që i kemi rrëfyer vetes”. Udhëtimi në të shkuarën, në zonat e errëta të jetës, me dhembjet e sekretet e veta të pashpëna gjer në fund, kthehet në një reflektim mbi aspektin iluzor të historisë, “ajo siguri që bëhet e rëndësishme atje ku boshllëqet e kujtesës ndeshen me papërshtatshmërinë e dokumentimit”, sipas mikut të tij të vjetër, Adrian Fin. Dhe pikërisht në pikën e bashkimit të kujtimeve të dobëta me dokumentet e papërshtatshme duhet të vështrojë Toni plak për të kuptuar peripecitë e Tonit të ri. Si ka mundësi që e dashura e tij e dikurshme, Veronika Ford, parapëlqeu mikun e tij të zgjuar e të rafinuar, Adrianin? Pas vendimit ekstrem të Adrianit fshihet vetëm Camus-ja dhe Wittgenstein-i? Nga se donte ta ruante e ëma e vajzës shumë vjet më përpara? Pse, pas gati 40 vjetësh, Veronika rikthehet në jetën e tij me të fshehta të shumta dhe me refuzimin për të mos i dhënë atë çka është e tij? Të gjitha këto indicie thurin një fill të ngjashëm me atë të Arianës përbërë kësaj radhe me reminishenca që s’u zihet besë, hipoteza të gabuara për njerëz, fakte, emra, imazhe të mbivendosura dhe zbulime poetike. Koha dhe kujtesa. Vetëm me këto dy elemente futemi në libër, përmes listës së flashback-ëve që koha i ka kristalizuar në imazhe. Nuk mungojnë referimet ndaj autorëve të ndryshëm që nga Stefan Zweig deri te Philip Larkin, nga imagjinata e Patrick Lagrange te Flauberti i Madamë Bovarisë e deri Frank Kermode.

Kritika

“Plot me ide filozofike… e megjithatë, arrin të të intrigojë mirëfilli, sikur të ishte një histori psikologjike me detektivë. – Michiko Kakutani, The New York Times

“Një xhevahir thjeshtësie dhe saktësie… Domethënia e një fundi, në kaq pak faqe, kërkon kaq shumë përqendrim, saqë lexuesi e mbaron me një ndjenjë kënaqësie, e cila zakonisht shfaqet vetëm për romane disa herë më të gjata.” – The Los Angeles Times

“I shkruar shkurt, e megjithatë emocionalisht i thellë… Në disa raste, vërtet zbavitës, në të tjera, tmerrësisht i ndershëm, por gjithmonë shumë i saktë në vëzhgimet e tij… Ironia qëndron te fakti që megjithëse flitet për funde dhe vetëvrasje, kjo vepër në thelb është jehonë e jetës. Gjithashtu dhe shumë origjinale. Dhe e ndërlikuar, si vetë jeta.” – New York Journal of Books

“Një meditim i mirëpunuar mbi moshën, kujtesën dhe pendimet.” – The Guardian

Julian BarnesAutori

Julian Barnes, lindur më 1946, është shkrimtar britanik. Romanet dhe tregimet e tij janë parë gjithnjë si shembuj të postmodernizmit në letërsi. Bir i dy mësuesve francezë, qysh i vogël, u shpërngul nga Leicesteri në Londër. Ka studiuar në City of London School dhe Magdalen College Oxford. Ka

punuar si redaktor letrar dhe kritik kinematografik për revista si New Review, The Observer, Sunday Times, dhe më vonë, si korrespondent i jashtëm për The New Yorker. Ka qenë tri herë finalist i Booker Prize, çmim të cilin e fitoi në vitin 2011 me romanin “Enigma e një fundi”.

 

LibriTitulli: Enigma e një fundi

Autor: Julian Barnes

Shqipëroi: Ilir I. Baçi

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: PEGI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top