Mirëqenie

December 15, 2016 | 11:42

Enkeleida Ferrollari: Si mund të mbajni nën kontroll hipertensionin

Enkeleida Ferrollari Dietologe

Enkeleida Ferrollari
Dietologe

Një dietë strikte me vakte të rregullta ndikon në reduktimin e shfaqjes së hipertensionit. Sipas dietologes Enkeleida Ferrollari, ushqimi është një element shumë i rëndësishëm për të mbajtur brenda vlerave normale nivelet e tensionit të gjakut, ndaj duhet që përzgjedhja të jetë e kujdesshme. Frutat dhe zarzavatet duhet të jenë pjesë e tryezës në çdo vakt.

Duhet të shtohet sasia e konsumit të ushqimeve me kalium dhe kalcium. Ushqime të pasura me kalium dhe kalcium janë frutat e zarzavatet. Duhet të konsumohen deri në 8 racione zarzavate në ditë në forma të gjalla ose të freskëta. Gjithmonë vaktin duhet ta fillojmë me një sallatë zarzavate të freskëta. Kalciumin e sigurojmë nëpërmjet konsumit të bulmetit, që duhet të zgjidhet i skremuar, ose pjesërisht i skremuar. Po ashtu duhet të konsumojmë të paktën tri racione bulmeti në ditë”, pohon dietologia.

Po ashtu, sipas saj, është shumë e rëndësishme ruajtja e sasisë së kalorive ditore. Të konsumojmë sasi ushqimesh aq sa ka nevojë organizmi për kalori në ditë, në mënyrë që të shmangen problemet e humbjes së kontrollit e të ruajtjes së peshës trupore, e cila përbën një faktor rreziku për shfaqjen e hipertensionit.

“Sugjerohet që të përzgjidhen drithëra me krunde, të cilat ndihmojnë në zvogëlimin e përthithjes së kripës dhe sheqerit në gjak, si dhe ndihmojnë në shkarkimin e tyre me anët të jashtëqitjes”, sqaron më tej Ferrollari.

FAKTORËT E RISKUT

Hipertensioni është një nga faktorët e rrezikut të shfaqjes së sëmundjeve të zemrës. Sipas dietologes, janë disa faktorë që shkaktojnë probleme të hipertensionit, si trashëgimia familjare, mosha, disa sëmundje, si për shembull, diabeti, si edhe stili i jetës, pra, jeta pasive dhe ushqimi i çrregullt. Sakaq ndikim ka edhe konsumi i sasive të mëdha të kripës së gjellës, që po ashtu cilësohet si një nga faktorët që shkaktojnë shfaqjen e problemeve të hipertensionit, kryesisht te personat që kanë faktorët gjenetikë. Në këto kushte rekomandohet të mos konsumohet më shumë se 3 gr. kripë gjellë në ditë. Më tej mbipesha renditet si një nga faktorët e rrezikut për shfaqjen e hipertensionit.

“Mbipesha vështirëson punën e zemrës për të dërguar gjakun në të gjithë trupin dhe është një faktor që të shfaqet hipertensioni”.

AKTIVITETI FIZIK

Një jetë aktive me aktivitet të moderuar fizik ndihmon në shmangien e shfaqjes dhe mbajtjes në kontroll të problemeve të hipertensionit. “Nëse bëjmë kujdes me ushqimin dhe kryejmë një jetë aktive, mund të mbajmë nën kontroll problemet e hipertensionit, duke shmangur edhe ilaçet”, këshillon dietologia.

Burimi: Gazeta “Panorama”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top