
Është diplomuar për
violinë në akademinë
e Romës. Përzgjidhet
në teatrin e “La
Scala”-s, ku vijon
edhe sot karrierën,
si pjesë e orkestrës.
Janë një trio e
veçantë që operojnë
edhe në Lugano të
Zvicrës, ndërsa ka
fituar të drejtën për
të qenë një nga
violinistet e trupës së
RAI-it.
Optimizmin e kam ndjerë më shumë vitet e fundit, sepse për ta konceptuar njeriun të tillë duhet të jesh në një moshë kur fillon e arsyeton. Në fazën e pjekurisë optimizmi më ka vlejtur për t’i hedhur hapat e sigurt në profesion.
Ka pasur ngritje të përhershme dhe… zbritje të papërfillshme. Ka kaluar pengesa të panumërta, por dhe e ka arritur lehtë fitoren e radhës. Gjithçka në rrugën e vështirë të artit. Gjithnjë duke pretenduar rritjen artistike. Është përballuar me situata të cilat tanimë i cilëson si “trampolina drejt sfidave të jetës”. Dhe gjithë këtë forcë të brendshme ajo e përkufizon me termin “optimizëm”, tipar që siç e deklaron dhe vetë, nuk është se e ka të lindur, por të modifikuar në rrjedhën e jetës. Ka qenë nëna e saj, Violeta, e cila me dëshirën për t’i mësuar së bijës një vegël muzikore plot finesë ka dashur gjithashtu ta inkurajojë në drejtim të rrugës që duhej të ndiqte. Një zigzage plot vështirësi e tension për të çarë përpara në turmën e pafund të artistëve të rinj, që gjithashtu kanë startuar plot ego. Violinistja e njohur shqiptare, Enxhi Nini, që sot është pjesë e orkestrës së një prej teatrove më të famshëm të Evropës, “La Scala”, tregon se për shkak të rrethanave dhe punës së përditshme, ka mësuar të jetë optimiste, gjë e cila i ka dhënë siguri në pozicionin ku përfaqësohet. “Mendoj se optimizmin e kam pasur me vete në gjërat që kam bërë. Edhe pse nëna ime apo shoqëria më cilësojnë jo shumë si të tillë. Mund të them se këtë e kam ndjerë më tepër vitet e fundit, sepse për ta konceptuar njeriun të tillë duhet të jesh në një moshë kur fillon e arsyeton. Kjo të jep siguri dhe në hapat që ndjek. Kur je i vogël, nuk mendon njësoj. Që herët kur studioja në lice të menduarit pozitivisht për të ardhmen time, të ‘luftuarit’ me studim për të kapur majat, realizuan ëndrrën time. Dëshira për t’i rënë violinës ka ardhur me vite, por them se ka qenë optimizmi ai që ka treguar tek unë se pas vitesh punë e sakrificë bëhesh i aftë”. Ajo ka krijuar imunitet të fuqishëm përballë sfidave të jetës. Nuk ndihet aspak e lodhur apo e mërzitur nga vështirësitë që ka hequr. Përkundrazi, falë vullnetit, punës dhe qëndrimit me orë pa fund mbi violinë ka arritur t’i japë vetes sadisfaksionin, suksesin dhe shpresën për një të ardhme të sigurt në karrierë. “Dëshira për t’i rënë violinës ka lindur me vite. Falë nënës sime, ajo u shndërrua në një pasion pas të cilit nuk heq dot dorë”. Optimizmi mund të mësohet Filozofia e të menduarit pozitivisht, si dhe angazhimi me punët e përditshme kanë bërë që Enxhit t’i kultivohet që herët ndjesia e të qenit optimiste, edhe atëherë kur adrenalina nuk ka qenë në maksimum. Prirja e saj mund të konsiderohet si burim i vetëbesimit ndaj atmosferës përreth me efekte shumë pozitive dhe të dobishme. Këtë e ka gjetur në sukseset që ka arritur në veprimtari të ndryshme, por edhe në organizmin në përgjithësi të jetës së saj. “Optimizmin nuk e kam të lindur, aty ka pesimizmin. Kam vënë re tek vetja që kur jam e sigurt për atë çka po bëj në lidhje me profesionin, violinën, jam optimiste. Duke qenë e sigurt dhe duke punuar, do të arrij diçka. Optimizmi është i lidhur me sigurinë, punën dhe atë që bëj çdo ditë. E kam të kultivuar. Kryesisht nga nëna ime dhe njerëzit që më rrethojnë. Ata më kanë mësuar se në vështirësi nuk duhet të dorëzohesh, por të ecësh përpara. Jo vetëm në art, por edhe në rrethana të tjera kur kam hasur vështirësi, optimizmi më ka mbajtur gjallë. Sigurisht që ka dhe momente të vogla pesimizmi, sepse kur lufton e përpiqesh me vite dhe shikon që nuk ia arrin qëllimit, thua çfarë po ndodh. Në fakt, kam arritur në njëfarë pike kur ajo që bëja ishte në maja të larta dhe thosha se do vijë një ditë kur do të jetë momenti që njerëzit e duhur do të mundësojnë që unë t‘ia arrij qëllimit”.
Psikologji Dhjetor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.