Dëshmi

June 25, 2025 | 18:52

EPOS, lindja e një monumenti në dritëhije

 

Nga Orjona Tresa

Në dritën e një epoke të re, kur kujtesa historike kërkon forma të reja për të jetuar në përjetësi, nisi udhëtimi i veçantë i një heroi të pavdekshëm: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Por këtë herë, jo në betejë me shpata e flamuj, por në një tjetër betejë, atë të artit, të përkushtimit dhe të shpirtit krijues. Ishte një udhëtim që mori trajtë përmes duarve të një skulptori të përkushtuar, Ardian Pepa, dhe u ndriçua me ndjeshmëri e vëmendje nga objektivi i një mjeshtri të fotografisë, Vlasov Sulaj.

vlasov-sulaj-4Procesi i gjatë dhe emocional i lindjes së monumentit, nga vizatimi i parë, tek latimet që merrnin frymë në baltë, e më pas në bronz, u kthye në një sagë moderne artistike. Sulaj nuk ishte thjesht dëshmitar, ai ishte pjesë e shpirtit të veprës. Ai ndiqte çdo hap të skulptorit me një sy që e kuptonte dritën dhe hijen jo vetëm si elementë teknikë, por si ndjenja që merrnin jetë në çdo kthesë të formës. Çdo klik i aparatit të tij ruante jo vetëm një moment pune, por edhe një drithërimë, një frymë arti që përgatitej të ngjitej në përjetësi.

ardian-pepa

Kur monumenti u derdh në bronz, ishte sikur historia vetë të kishte marrë trup. Mijëra fotografi, mijëra emocione të fiksuara, u kthyen në një rrëfim të dytë, atë të lindjes së një simboli. Dhe si çdo vepër që bart një epos, ajo nisi të udhëtojë. Ekspozita që pasoi këtë rrugëtim artistik e dokumentar, e titulluar me mjeshtëri EPOS, gjeti jehonë përtej oqeanit. Bashkatdhetarët tanë në Amerikë i hapën dyert dhe zemrat, duke e pritur këtë ekspozitë si një flamur të artit dhe kujtesës, si një përkulje përballë heroizmit që nuk shuhet, por transformohet herë në gur, herë në bronz, dhe herë në dritën e një fotografie.

“EPOS” është një përpjekje artistike që tejkalon kufijtë e një ekspozite dhe depërton në thelbin e identitetit kombëtar, duke përhapur rrëfimin e Skënderbeut përmes një cikli fotografik bardhë e zi. Brenda pak muajve ekspozita dhe katalogu rrëfimtar EPOS do të jetë i mundur për t’u parë edhe nga publiku kryeqytetas.

INTERVISTA

vlasov-sulaj-9Si lindi mundësia për të realizuar ekspozitën tuaj të parë në Amerikë si fotograf profesionist? Si e përjetuat këtë eksperiencë?

Mundësia lindi natyrshëm, si vazhdimësi e një rruge që e kam ndjekur me përkushtim. Ishte një ftesë e bërë nga unë ndaj skulptorit, që realizoi monumentin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu. EPOS përfaqësonte një hap më të madh si në përmasë, ashtu edhe në kuptim. Përjetimi ishte përtej profesionales; ishte edhe emocional, sepse për herë të parë një projekt kaq personal mori jetë përballë një publiku krejtësisht të ri, si publiku dhe komuniteti i diasporës.

 

Cilat ishin përshtypjet tuaja të para nga përballja me kulturën atje (amerikane) përmes kësaj ekspozite?

Isha i impresionuar nga kujdesi, dashamirësia dhe gjithë mbështetja e dhënë nga Shoqata Malësia e Madhe Association New York, Shoqata Malësia Association of California, e në veçanti kryetari i  Shoqatës Jehona e Malësisë, zoti Agron Dedivanaj. Kurioziteti dhe gatishmëria e publikut për të kuptuar diçka që nuk u përkiste drejtpërdrejt ishte mjaft mbresëlënëse. Kishte një lloj respekti të heshtur për veprën dhe një interes i sinqertë për historinë që ajo mbarte. Kjo më bëri të ndihesha i mirëpritur.

 

Çfarë mesazhi përcjell kjo ekspozitë për publikun?

EPOS është një rrëfim përtej imazhit, për njeriun që gdhend në heshtje një figurë që i përket kujtesës kombëtare. Mesazhi është i shumëfishtë, por mbi të gjitha flet për përkushtimin ndaj rrënjëve dhe artit që mbart peshën e historisë.

 

Sa kohë u desh për të përzgjedhur dhe procesuar galerinë e fotografive të ekspozuara?

Procesi i fotografimit zgjati 6 muaj, përzgjedhja dhe postproduksioni rreth 5 muaj. Fotot nuk janë vetëm dokumentuese, janë përzgjedhur për të ndërtuar një narrativë vizuale që ka ritëm, teksturë dhe ndjesi. Përzgjedhja ishte si redaktimi i një poezie vizuale.

 

Si u formësua ideja për këtë cikël fotografish dhe si erdhi bashkëpunimi me autorin e veprës artistike që e shoqëron?

Ideja lindi gjatë një vizite në atelienë e skulptorit dhe mikut tim Ardian Pepa ku u ndesha me skicat e nisjes për krijimin e monumentit të Skënderbeut. Aty kuptova që kjo nuk ishte vetëm një skulpturë, por një epos në ndërtim. Bashkëpunimi me autorët, sepse janë dy bashkautorë në këtë vepër, Ardian Pepa si dhe Dylber Neziri, ishte organik dhe i mbushur me respekt të ndërsjellë.

 

Skënderbeu është lartësuar në disa dimensione përmes kësaj vepre. Si e përjetuat ju personalisht këtë angazhim artistik?

Skënderbeu është simbol, por në këtë projekt ai ishte hero, njeri i mishëruar në baltë për t’u përjetësuar në bronz. E përjetova si një udhëtim intim me një figurë që për ne shqiptarët është gjithmonë larg dhe pranë njëkohësisht. Është përgjegjësi, nder dhe sfidë.

 

vlasov-sulaj-5

Sa fotografi përfshinte ekspozita dhe si u përzgjodhën ato?

Ekspozita përmbante 30 fotografi, të përzgjedhura me kujdes nga mijëra imazhe të realizuara në një periudhë të gjatë. Çdo fotografi është një kapitull në këtë epos vizual.

 

Pse zgjodhët të punoni në bardh e zi? Çfarë përcjell kjo qasje që mungon në ngjyra?

Bardh e zi zhvesh gjithçka nga zbukurimet. Të çon drejt esencës, drejt formës, strukturës, dritës dhe hijes. Kjo qasje më lejoi të thelloja dialogun midis skulptorit, materialit dhe figurës që merr formë.

skenderbeu

Cila nga fotografitë ishte më e veçanta për ju dhe pse?

Ka qenë e vështirë për mua të ndaj 30 fotografi nga një seri prej më shumë se 30.000 shkrepjesh dhe është e pamundur të diferencoj njërën prej tyre. Do isha i padrejtë të thoja se njëra ka diçka më tepër se tjetra. Këto 30 fotografi janë thelbi i gjithë procesit artistik për mua.

 

A dhuruat ndonjë kopje të fotove gjatë ekspozitës? Kujt?

Të 30 fotografitë e ekspozuara janë sot pjesë e koleksionit të 3 shoqatave si shenjë falenderimi dhe kujtese për kontributin në realizimin e këtij projekti.

vlasov-sulaj-8

Keni vendosur kontakte të reja gjatë kësaj eksperience? Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen tuaj profesionale?

Po, kjo ekspozitë më hapi dyer të reja, sidomos me Akademikë dhe institucione që treguan interes për ta sjellë EPOS edhe në hapësira të tjera. Për të ardhmen, kjo është një ftesë për të vijuar rrugën artistike përtej kufijve.

 

Cili ishte mesazhi apo urimi më i bukur që morët nga të pranishmit?

Një zonjë më tha: “Ti nuk e fotografove një monument, por shpirtin që e ngjizi.” Ajo fjali më mbeti gjatë në mendje.

 

Kush ishin ata që ju mbështetën më shumë në këtë rrugëtim artistik dhe në organizimin e ekspozitës?

Familja ishte themeli. Pastaj kuratorja e ekspozitës që është gjithashtu edhe konceptuesja vizuale e librit “Epos” që u promovua po atë ditë dhe ku shpalos në mënyrë më të zgjeruar të gjitha fotografit e këtij projekti dhe vetë skulptori që më hapi dyert e krijimit. Është një projekt që nuk do të kishte marrë jetë pa këtë mbështetje të përbashkët.

 

“EPOS” si emër i ekspozitës, a ishte një ogur i mirë për ju? A ndjeni që ju përfaqëson?

Po, më përfaqëson në thelb. EPOS nuk është vetëm një titull, por një gjuhë e të shprehurit përmes imazhit. Është mënyra ime për të treguar histori që shkojnë përtej momentit, përtej asaj që shihet me sy.

 

vlasov-sulajvlasov-sulaj-1 vlasov-sulaj-7 vlasov-sulaj-6 vlasov-sulaj-2 vlasov-sulaj-3 vlasov-sulaj-10

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top