Dëshmi

May 8, 2019 | 9:05

Erinda Ballanca: Qytetërimi, një proces që duhet mbështetur

Nga Orjona TRESA | Foto: Valsov SULAJ

“Respekti për rregullat, a dinë shqiptarët t’i zbatojnë?”. Si do ta konsideronit këtë aspekt në shoqërinë shqiptare dhe a ka një notë vlerësimi në këndvështrimin tuaj?

Unë besoj se nuk ka kombe të disiplinuar nga natyra dhe të padisiplinuar nga natyra. Çdo popull vërtet ka karakteristikat e tij etnike, gjuhësore a fetare, por teoritë se dikush është në gen i çrregullt, janë forma racizmi. Njerëzit nëse jetojnë në shoqëri, janë tashmë duke iu bindur një rregulli themelor e të rëndësishëm: bashkëjetesës kolektive. Unë besoj se edhe shoqëria shqiptare është një sistem rregullash. Natyra e këtij sistemi rregullash apo rëndësia e tyre, mund të kenë pësuar tronditje për shkak të ndryshimeve të mëdha shoqërore në tranzicion, por sistemi është gjithsesi aty dhe besoj se kjo duhet mbajtur parasysh vazhdimisht nga të gjithë. Shqiptarët funksionojnë për bukuri në shoqëri të huaja ku ata emigrojnë, ndërtojnë jetën, familjet, bizneset dhe avancojnë përpara. Pra, mjafton që edhe shqiptarin ashtu si gjermanin, francezin apo zviceranin ta vendosësh në një kontekst barazie dhe drejtësie dhe ai do të funksionojë shkëlqyeshëm.

A është domosdoshmërisht e vlefshme që gjithçka duhet të fillojë me respektimin e vetvetes për të plotësuar më pas normën e respektimit të rregullave të tjera shoqërore?

Jo, mendoj se e kundërta është e vlefshme. Respekti i tepruar ndaj vetes, venerimi deri në ekskluzivitet i vetes, çon në zaptimin e asaj hapësire respekti në ndërgjegjen tonë, e cila i duhet dedikuar kolektives. Duke respektuar deri në ekstrem veten, ne autoizolohemi në individualizëm. Kjo është pastaj zanafilla e “harresës” së tjetrit. Është injorimi i të afërmit, fqinjit. Është ideja e kaubojsit vetmitar që përkëdhel unin dhe s’pyet për të pafuqishmin e të varfërin. Është i forti me makinë të shtrenjtë që e respekton veten aq shumë, saqë mendon se semaforët apo vijat e bardha nuk vlejnë për të. E kështu me radhë, shembujt e një shoqërie me individë që e mbirespektojnë veten i kemi para sysh përditë. Përkundrazi, duke u treguar modestë, të përulur dhe altruistë, duke qenë të ndërgjegjshëm se nuk jemi qendra e botës, se sa më shumë të punojmë e të nxëmë prapë kjo s’mjafton për të na vënë në krye të listës, vetëm kështu besoj se krijojmë qytetarë respektues të rregullsisë e të rregullave.

Në drejtimin e një institucioni të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit, a është i unifikuar te personeli respekti ndaj rregullave, që me siguri si në të gjitha institucionet e tjera fillon me mbërritjen në orarin e caktuar pranë vendit të punës, e për të vazhduar me të tjerat më pas?

Tek Avokati i Popullit punojnë njerëz të njëjtë me ata që punojnë në çdo institucion tjetër, e në çdo kolektiv tjetër, përfshi këtu edhe revistën tuaj. Mbi këta njerëz zbatohen të njëjtat ligjësi natyrore si mbi të tjerët, pra dikush është karakterialisht më i zellshëm, dikush më pak i tillë, dikush më i përgjegjshëm e dikush mbase jo tërësisht ashtu. Unifikim në kuptimin e uniformizimit autoritar totalitar këtu nuk ka. Por ka një frymë të shkëlqyer ekipi, të ndërgjegjshëm për nevojën e disiplinës në mbarëvajtjen e një institucioni zyrtar, kërkues ndaj detyrave funksionale, por edhe human ndaj nevojës së individit për të pasur hapësirën e tij jashtë pune për t’u zhvilluar dhe shijuar jetën. Asnjëherë e në asnjë detyrë timen, edhe përpara se të më ngarkohej ky funksion i rëndësishëm, nuk kam kërkuar të zbatohen prej bashkëpunëtorëve a stafi rregulla, të cilat nuk i zbatoj vetë e para. Pra, çdo rregull vlen për të gjithë e kjo tregon frymë e vullnet pozitiv.

Tanimë është normë respektimi i rregullave të jetës urbane si: i të moshuarve në autobus, i këmbësorit në vijat e bardha, i biçiklistit në korsinë e tij… etj. Ku është shoqëria shqiptare në këtë aspekt?

Në element të tillë të edukatës qytetare si ato që përmendët, shoqëria shqiptare është në një fazë, për mendimin tim, ridimensionimi. Lëvizjet e mëdha demografike, shkatërrimi i elementëve të formimit shkollor që krijonte bazën e këtij edukimi qytetar, si dhe rritja e ritmit të jetës në kërkim të fitimit të shpejtë apo edhe mbijetesës, e zbehën për një kohë rëndësinë e një edukimi të tillë qytetar. Mirëpo, me kalimin e viteve, gjithçka po kthehet në vendin e vet. Njerëzit kanë rinisur të kuptojnë se është fisnikëri të jesh qytetar e të sillesh si i tillë. Janë tashmë më të shpeshta e të zakonshme gjestet e vogla e domethënëse të kësaj lloj kulture në jetën tonë të përditshme.

Sigurisht, gjithçka ka të bëjë me nivelin e ndërgjegjes sonë të përbashkët, e me sa duket, pavarësisht problemeve, shoqëria po e rigjen gradualisht veten. Nga ana tjetër edhe qasja e figurave të ndryshme në shoqëri duke përfshirë këtu politikanë e aktivistë, duhet të dëshmojë një dedikim më të përgjegjshëm ndaj rregullave apo sensit të së drejtës e pozitives pa u kufizuar gjithnjë vetëm në ato që janë të detyrueshme, për shkak se janë detyrim ligjor. Përgjegjshmëria, transparenca dhe vullneti i mirë duhet të dëshmohen mbi gjithçka në frymën që duhet të përçojnë elitat e shoqërisë.

A ka raste kur njerëz të thjeshtë i drejtohen Avokatit të Popullit, pikërisht me një ankesë për mosrespektim të rregullave nga një palë tjetër?

Në thelb, ankesat që vijnë tek Avokati i Popullit janë të gjitha në lidhje me mosrespektimin e rregullave, kryesisht nga ana e autoriteteve shtetërore. Korpusi i madh i të drejtave të njeriut, është një set rregullash detyruese për çdo shoqëri të emancipuar ku duam të bëjmë pjesë edhe ne. Andaj, sa herë që një i paraburgosur ankohet se nuk i është dhënë mundësia të kontaktojë me të afërmit, kemi të bëjmë me një autoritet që nuk ka respektuar një rregull që bën pjesë tek të drejtat e njeriut.

Sa herë dikush ankohet se e kanë shkarkuar padrejtësisht nga puna, ai po thotë se një zyrtar epror nuk ka respektuar një rregull. Sa herë dikush ankohet për cilësi të ulët arsimore a shëndetësore, prapë e njëjta gjë. Pra, çdo ankesë te ne, është denoncim për mosrespektimin e një rregulli. Interesantja në punën e institucionit tonë është se ne kemi detyrë ligjore aplikimin e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut. Kësisoj ne kemi mundësinë të përçojmë atë që është interpretimi më përparimtar i të drejtave të njeriut sipas akteve ndërkombëtare e kombëtare. Më duhet të pranoj modestisht që ky institucion ndër vite e ka realizuar me sukses këtë mision: të drejta fillimisht tabù, të cilat janë promovuar fort nga ky institucion, sot e kanë fituar qytetarinë e i pranojmë si të drejta të natyrshme.

Në dijeninë tuaj a kemi probleme ne si popull me respektin ndaj rregullave dhe a ka boshllëqe të cilat vijnë si pasojë e një formimi jo të plotë që prej fëmijërisë dhe të gjitha hallkave të arsimit që fillon nga ai parashkollor?

Të thuash që problemet nga e cila vuan shoqëria moderne shqiptare i duhen faturuar en block sistemit arsimor publik, është të gjesh përgjigje të kollajta për pyetje të vështira. Unë vetë vij nga i njëjti sistem arsimor publik, i cili ka formuar breza të tërë njerëzish në këtë vend. Mirëpo, në këtë sistem, bashkë me kohët e zhvillimet e saj, shumëçka është shndërruar dhe sistemi vuan problemet e përshtatjes në një realitet të ri. Roli i mësuesve si përcjellës universalë të kulturës e qytetërimit duhet ridimensionuar e ky është një proces që ka nevojë ta mbështesim sa më shumë.

Arsimi është një e drejtë themelore e njerëzve, ndaj unë çmoj se shoqëria jonë dhe instrumentet e saj vendimmarrëse duhet të bëjnë çmos që pavarësisht vështirësive financiare, sistemi ynë edukativ të jetë jo thjesht ekzistent, por edhe cilësor. Shkolla më të shumta e më të pajisura, stafe mësimore të mjaftueshme e të shpërblyera, tekste e kurrikula të dobishme, jo thjesht për të formuar performues për dëshirat imediate të tregut, por edhe qytetarë pë nevojat afatgjata të shoqërisë. Këto duhet të jenë kryefjala e përpjekjeve tona kombëtare për përparim e zhvillim.

Arsim cilësor për të gjithë, kudo e në çdo kohë, pavarësisht statusit social, etnisë, racës, orientimeve e çdo dallimi tjetër nga “norma”. Sado i kushtueshëm të jetë garantimi i një sistemi cilësor arsimor, gjykoj se për të ia vlen çdo sakrificë, pasi shoqërisë i kushton më shumë në terma afatgjatë injoranca apo arsimimi i mangët e i cekët. Investimi tek të rinjtë është investimi më i sigurt për të ardhmen që mund të bëjë jo vetëm shteti, por edhe shoqëria.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top