Dëshmi

April 18, 2018 | 13:22

Erjona Rusi / T’i ndihmojmë fëmijët të bëhen individë të përgjegjshëm & socialë

Sfida e prindërimit është ajo me jetën e një individi të ri që i shtohet shoqërisë. Gazetare, moderatore dhe iniciatore e një sërë projektesh sociale, Erjona Rusi qartëson se në rolin e të qenit prind, vështirësitë i takojnë pikërisht periudhës së rritjes së fëmijës. Për Nikol, vetëm tetë vjeçe, parimi kryesor i saj është: ta mësojë të mos shtiret, por t’i edukojë asaj gjënë më të bukur në jetë, pikërisht lirinë e të qenit vetvetja, pavarësisht se çfarë thonë apo mendojnë të tjerët.

Si ka qenë prindërimi juaj?

Ajo që shpesh njerëzit harrojnë, sidomos kur duan të të gjykojnë aftësitë e tua prindëruese, është se kur lind një fëmijë, sapo ka lindur edhe një prind. Domethënë, në momentin që ti je prind, je në njëfarë mënyre si foshnja që sapo ke sjellë në jetë, nuk di pothuajse asgjë për të. Janë dy qenie (prindi, qoftë nëna apo babai) që takohen për herë të parë dhe nisin rrugëtimin bashkë, pa e ditur se si do të jetë ky rrugëtim që mund të sjellë vështirësi pafund, bashkë me një lumturi të pamatshme.

Vajza ime, Nikol që sot është bërë 8 vjeçe, ka qenë një fëmijë që nuk qante shumë, shumë e qeshur, zgjohej pak natën dhe përgjithësisht me shëndet të mirë, faleminderit Zotit. Gjithë sfida në fakt, sa vjen dhe shtohet me rritjen e Nikol dhe tashmë mund të them se po shohim (unë dhe bashkëshorti im) vështirësitë e vërteta të prindërimit. Ajo po rritet dhe ka filluar të shfaqë të gjitha anët e personalitetit të saj. Është fëmijë i zgjuar, i pavarur, por edhe kokëfortë. Nga një anë jam shumë e lumtur që ka aq besim te vetja, por nga ana tjetër, nuk e mohoj që shpesh është shumë e lodhshme, sepse duhet shumë punë për ta bindur, e madje ka plot raste që nuk ia dal dot.

Dhe këtë pjesë e urrej, e urrej kur duhet t’ia imponoj gjërat, edhe pse janë totalisht për të mirën e saj. Kjo është sfida më e madhe, në këndvështrimin tim. Shpesh e ndjej se koha e pamjaftueshme me të, lodhja dhe stresi i punës e bëjnë edhe më të vështirë komunikimin e për rrjedhojë prindërimin. Mendoj në fakt, se në këtë drejtim, kemi ende shumë për të mësuar. Ka një ngërç mendoj, që vjen si pasojë e shumë elementëve, duke nisur që nga fakti që ne jemi një shoqëri në tranzicion të stërzgjatur e me shumë probleme sociale, e deri te mungesa e literaturës.

Prireni nga modelet apo rrugëtimi juaj ju ka sjellë një formulë të personalizuar rritjeje?

Do ta nis pikërisht me literaturën këtë përgjigje. Kur isha shtatzënë shkova në një nga libraritë më të mëdha të Tiranës dhe kërkova një libër që të më jepte informacion për shtatzëninë dhe beben, në mënyrë që të informohesha sa më shumë për këtë situatë krejt të re të jetës sime. Ju betohem, s’kishte asgjë të përshtatur në shqip. Atëherë gjeta një libër në anglisht, të një doktoreshe britanike që m’u duk interesant, dhe ashtu ishte.

Ai libër me ndihmoi shumë për të kuptuar gradualisht fazat e shtatzënisë, por edhe fazën e parë të jetës së bebes. Unë gjithmonë kam menduar dhe vepruar në jetë me moton: “Jetën time s’mund ta diktojë askush.” Dhe kur lindi vajza, fillimi ishte shumë i vështirë. Më kujtohet që në fillim, thuajse “u çmenda” se ne shqiptarët kemi një zakon të keq, vdesim t’u japim mend të tjerëve. Dhe kushdo që vinte në shtëpi, në atë periudhë më këshillonte mënyrën e vet të rritjes (në aspekte nga më të ndryshmet). Aty u bëra lëmsh për momentin, sepse merrja dhjetëra “metoda” për të njëjtën gjë.

Për shembull, shumë thoshin që bebja s’mund të rrijë në dhomën e vet menjëherë, por Nikol ka fjetur në dhomën e saj që 40-ditëshe dhe jam shumë e kënaqur që e kam bërë këtë dhe shumë vendime të tjera. Kështu që, falë bindjes sime dhe atij libri, u thashë të gjithëve “Stop”, pavarësisht se e di që të gjithë kishin vetëm qëllim të mirë. “Këtë fëmijë do ta rrisim siç mendojmë ne të dy që është më e përshtatshme”. Dhe ashtu bëmë unë dhe Edi, pastaj se, nëse kemi bërë punë të mirë apo jo, këtë do ta tregojë vetëm e ardhmja.

S’ka receta në rritjen e një fëmije, secili prej tyre është unik në llojin e vet. Kështu që rrugëtimi im prej prindi më ka bërë të zbuloj një formulë të personalizuar (deri diku).

Çfarë modeli keni ndjekur për t’i mësuar rregulla të shëndosha?

Thashë deri-diku sa i takon formulës së personalizuar të rritjes, sepse është e pamundur të mos mbartim në mënyrë të pavetëdijshme edhe copëza të fëmijërisë sonë, pra nga mënyra se si na kanë rritur ne prindërit tanë. Dhe këtu fillon një tjetër sfidë e madhe, apo dilemë që unë e kam të përditshme.

Unë dhe im shoq jemi rritur me shumë sakrifica nga njerëz me parime dhe rregulla vërtetë të shëndosha, por shoqëria ku u rritëm ne, s’ka të ngjashme me këtë ku po rrisim fëmijët sot. Sot në shoqërinë shqiptare, meritokracia thuajse është inekzistente dhe rregullat që na i patën mësuar vlejnë pak. Unë e kam menduar me qindra herë nëse duhet t’i mësoj vajzës sime pikërisht ato që më kanë mësuar: të respektosh më të rriturit, të mos gënjesh, të ndihmosh tjetrin, të përshëndesësh njerëzit, e shumë të tjera si këto, që duken si absurde në një shoqëri ku vlerësohet si i “zoti” ai që vjedh, ai që mashtron, ai që ushtron dhunë apo ai që flet me fjalor të papranueshëm, madje edhe në parlament.

Unë sinqerisht kam frikë, se vajza ime nesër do gjendet keq përballë disa bashkëmoshatarëve të saj. E shoh që sot në disa raste të veçanta. Ajo është natyrë shumë e çiltër dhe e drejtpërdrejtë, dhe përballë shoqes që bën lajka dhe gënjen ka dalë disa herë “e humbur”. Megjithatë e urrej idenë që ta mësoj fëmijën tim të shtiret e të mos jetë vetvetja.

Po ka një gjë të bukur në këtë jetë: është pikërisht liria e të qenit vetvetja pavarësisht se çfarë thonë apo mendojnë të tjerët. Dhe unë dua shumë që vajza ime ta ndjejë e të jetë e bindur për këtë.

Si ia dilni me disiplinën shkollore?

Nuk besoj që ka prind që është i kënaqur plotësisht me disiplinën shkollore në vendin tonë, përndryshe nuk do ishim në Shqipëri, por në Norvegji. Problemet e shkollave në Shqipëri janë të shumta dhe e pamundur që t’i rendisim këtu, që nga numri i madh i nxënësve nëpër klasa, mësues jo të kualifikuar, kurrikula që ndryshohen sa herë ndryshohen qeveritë etj., etj. Gjithsesi, pa hyrë në detaje, do thoja që, disiplina shkollore mund të ndihmojë shumë fëmijët të ngrenë bazat e një ndërveprimi sa më të shëndoshë në shoqëri në të ardhmen.

Ajo që nuk më pëlqen më shumë është ideja e “përjashtimit” kur shkelen rregullat. Duhet ta kuptojmë që një fëmijë “i përjashtuar” sot, do shndërrohet nesër në një individ të izoluar, e për rrjedhojë me potencialin për të qenë edhe i rrezikshëm. Vende të ndryshme sjellin përvoja të jashtëzakonshme, që s’do bënim keq po t’i kopjonim, se nuk ka mbetur gjë që ta shpikim ne. Për shembull, në Japoni ka shkolla ku fëmijët janë ata që pas mësimit pastrojnë klasat, mensat dhe nuk ka dallim mes vajzave dhe djemve në ndarjen e punëve. Kjo gjë, së pari redukton mundësinë për diskriminim gjinor dhe së dyti i bën fëmijët të ndjehen të barabartë dhe bashkëpunues me njëri-tjetrin, pavarësisht familjes prej nga vijnë (e pasur, apo e varfër).

Në aspektin social, për mendimin tim, është vërtet pozitive, sepse e mëson fëmijën që të gjithë duhet të kontribuojnë si në familje dhe në shoqëri, çka do ta bëjë atë një qytetar të përgjegjshëm në të ardhmen. Veç kësaj, them se do t’i ndihmonte fëmijët në një shoqëri si e jona, ku bulizmi sa vjen dhe po bëhet më problematik, për shkak edhe të hendekut në rritje mes të pasurve dhe të varfërve. Si ky ka plot shembuj, që them se mund t’i ndihmojë fëmijët tanë të bëhen individë të përgjegjshëm dhe socialë.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top