Ende pa e nisur mirë, ëndrra e saj u pre në mes. Gjithçka kishte parashikuar, dasmën, vellon e nusërisë dhe foshnjën në krah përgjatë ceremonisë, u shuan me një mesazh telefonik. Dy muaj pasi ishte bërë nënë e Nias, gazetarja e njohur kosovare do të përballej me fatin që nuk do ta dëshironte kush. Bashkëjetuesi dhe babai i vogëlushes, Kastro Ziso, i braktisi pa menduar asgjë. Për Erletën, e cila sapo ka prekur hapat e parë të mëmësisë, kjo zgjedhje ishte imponuese përkundrejt dëshirës për ta rritur vajzën e saj me të dyja figurat prindërore. Por, përpara kësaj udhe, alternativa e vetme ishte përkushtimi absolut dhe përdorimi i dy roleve, nënë dhe baba. Në rrëfimin e saj, Erleta ka gjetur forcën të ecë pa e kthyer kokën pas, pavarësisht se vështirësitë nuk janë vetëm morale, por edhe ekonomike.
Prej disa muajsh jeni bërë nënë e Nias. Si është për ju ky rol?
Jo shumë kohë para planifikimit të lindjes së Nias jam frikësuar shumë nga koncepti i të qenit nënë, duke e ditur rolin dhe përgjegjësinë e madhe që kanë nënat për rritjen dhe edukimin e një njeriu. Duke e ditur natyrën time paksa fëmijërore, mendoja se nuk do të isha e aftë dhe në gjendje që të merrja përsipër një përgjegjësi të tillë. Por, kur takova Klevisin bindja ime ndryshoi menjëherë dhe ai ishte shtytja kryesore që më bëri të besoj se edhe unë mund të jem një nënë e mirë. Tani veçse po përshtatem me këtë rol, që është sa sfidues aq edhe i vështirë, por të dhuron kënaqësi të madhe. Më duket se jeta veçse më është zbukuruar, kam një arsye më shumë për ta jetuar dhe përjetuar çdo çast të saj.
Nia është fryt i një lidhjeje që keni pasur me Klevis Begën. Ndërsa tani ju keni marrë përsipër ta rrisni vetëm. Si e morët këtë vendim?
Në fakt, unë dhe Klevisi vetëm kemi bashkëjetuar. Planifikonim të martoheshim, pasi Nia të mbushte 6 muaj. Por, fatkeqësisht, ky plan nuk u realizua. Vendimin për ta rritur Nian si prind i vetëm nuk e mora në mënyrë personale, por m’u imponua. Fillimisht ishte shumë e vështirë, pasi ende pa i mbushur Nia 2 muajt, Klevisi iku në Tiranë dhe më çoi fjalë se mes nesh kishte mbaruar çdo gjë. Ishte një thyerje e madhe për mua, duke marrë në konsideratë gjendjen e brishtë që kisha pas shtatzënisë. Por shumë shpejt u rimëkëmba dhe fillova të eci përpara, pa e kthyer kokën pas dhe të vuaj për atë që ndodhi. Përkujdesja për fëmijën nga një prind i vetëm është mjaft e vështirë, nga ana morale, por sidomos nga ajo financiare. Foshnja nuk e kupton fjalën “të dua” apo “më mungon”, por dashuria ndaj saj nënkupton përkujdesjen, mirëmbajtjen, strehimin dhe ushqimin, që për një person që jeton në Kosovë me kushte mesatare jetese është mjaft e vështirë. Fatmirësisht, në këtë aspekt, tani kam përkrahjen dhe ndihmën maksimale të nënës dhe mikes sime Shota Baraliut e së shpejti do rikthehem edhe në punë, pas pushimit të lindjes. Po përpiqem maksimalisht që Nias të mos i mungojë asgjë në jetë, përpos babait të saj, gjë që nuk varet nga unë, por nga interesimi i tij për fëmijën tonë dhe përgjegjësia që ka ndaj saj.
Tani për tani ku e klasifikoni veten si nënë?
Duke pasur parasysh se Nia është 4-muajshe, më duket vetja ende e papërvojë në këtë drejtim, në mënyrë që të mund ta klasifikoj veten se çfarë nëne jam. Në rrethin dhe familjen time nuk më ka rastisur më parë të krijoj raporte apo të kem përvojë me ndonjë foshnje kaq të njomë. Ndonjëherë më ndodh të dorëzohem pa kushte përballë buzëqeshjeve apo lotëve të saj, por më shumë përpiqem që t’i imponoj një lloj disipline jetësore, gjithnjë duke u bazuar në këshilla të pediatrit dhe në shkrimet shkencore që lexoj për rritjen e fëmijëve.
A udhëhiqeni nga modeli i nënës suaj?
Do të dëshiroja të kisha vetëm gjysmën e forcës, energjisë dhe pozitivitetit të saj. Mjerisht, edhe unë jam fëmijë i rritur vetëm nga ana e nënës, meqë që kur isha 6-muajshe babai u burgos politikisht nga sistemi komunist jugosllav. Që nga ajo kohë kam pasur rastin ta shoh vetëm dy apo tri herë tim atë, deri më 1999, kur u zhduk në mënyrë misterioze nga ana e regjimit serb dhe akoma mban statusin e personit të zhdukur që nga koha e luftës. Nëna ime ka qenë dhe është person shumë liberal në raport me mua e veprimet e mia dhe gjithnjë është munduar të ma mësojë rolin e pavarësisë në vendimet personale. Por, sa i përket Nias, mendoj se në këtë aspekt do të jem shumë më rigoroze, mbase nga përvoja që përjetova vetë.
Ju kap ndjenja e fajit që vogëlushja do të rritet pa praninë e të atit?
Më shumë kam ndjenjën e dhembshurisë ndaj saj, sesa atë të fajit. Siç e përmenda më parë, jam fëmijë i rritur vetëm nga një prind dhe këtë rritje nuk do ia dëshiroja as armikut, jo më fëmijës tim. Sigurisht që ndonjëherë më kaplon edhe frika se nëse do mund njëkohësisht të luaj për të rolin e nënës dhe të babait, si dhe si do e pranojë Nia këtë realitet kur të rritet.
Sa ju trembin paragjykimet e të tjerëve? Keni përjetuar reagime të tilla?
Sipas mendimit tim, si në Shqipëri edhe në Kosovë ende jetojmë në shoqëri patriarkale, ndonëse në Kosovë, meqë është dhe vend më i vogël, kjo dukuri është akoma më e theksuar, por frika nuk zë vend në jetën time. Të paktën nga eksperienca jetësore që bart mbi shpinë, si me rastin e babait ashtu dhe me 28 familjarë meshkuj që më janë vrarë gjatë luftës. E natyrshme është që po has në paragjykime, komente dhe reagime të ndryshme edhe nga njerëz të panjohur, në veçanti kur babai i fëmijës tim deklaroi në mënyrë publike se qëndroi në Kosovë për ta pastruar racën njerëzore këtu. Të paktën sado që e duam apo e urrejmë njëri-tjetrin, prapëseprapë një origjinë, histori e kulturë kemi dhe duhet të krenohemi e po ashtu, rezervohemi nga deklarata të tilla.
Botuar në revistën Psikologjia nr.66
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.