Mirëqenie

May 18, 2016 | 8:44

Ermela Teli: Pesimizmi… veshje e zezë e shpirtit!

Kur një botë e tërë të trumbeton se të ka refuzuar dhe t’i nuk gjen dot asnjë hapësirë për t’i bërë ballë… kur t’i nuk gjen forcë për të dalë në sipërfaqe… Pesimizëm?! Ka të ngjarë që kjo të tingëllojë edhe si fatalizëm, tragjedi që mbështjell gjithë qenien tënde. Pesimiste bëhem kur për një arsye krejt të vogël dikush nuk motivohet për të punuar, justifikon një mungesë, apo një moment që nuk zhvillon dot një proces normal. Në Shqipërinë tonë, duke qenë se dominon kultura e të pirit çaj nga mëngjesi deri në darkë, spikat kjo panoramë e zymtë ku dikush mund të duket i veçantë se punon, në një kohë që kjo është diçka fare normale. Nëse sorollatesh nëpër qytet shikon një lloj vdekjeje që të mbyt, çka më bën të jem pesimiste. Sepse në fund të fundit pyes veten: Çfarë? Doni të punoni, doni të jetoni… dhe ju nuk bëni asnjërën nga të dyja?! Joshja për të qenë një shqiptar i viktimizuar mua nuk më pëlqen. Ky është pesimizmi që shpeshherë më ngërthen. Nëse realiteti është ky, do vazhdojmë të riciklojmë veten me të njëjtin proces, apo do ndryshojmë shumëçka? Kjo lloj gjendjeje më kap ndonjëherë dhe them pse? Për çfarë ndodh kjo?! Unë jam një njeri që e vlerësoj shumë punën, sepse më bën të mendoj, të reflektoj, t’i jap vlerë ditës sime. Kjo është forma më e shëndetshme për njeriun, i cili kur zgjohet i motivuar ka një synim dhe lufton për të bërë një gjë. Kur unë kam një ide, kur dua të prezantoj një projekt që nuk ka të bëjë as me ndërtimin e një lavdie, apo prezantimin e vetvetes si dikush që bëj gjëra të çuditshme, shoh njerëz që thonë: hë mo, se këtu s’bëhet asgjë! Mua më neveritet. Kjo më bën të kuptoj që jam vetëm, që nuk ekziston dëshira dhe më e rëndësishmja, mungon vullneti. Vitin e kaluar bëra filmin tim të parë si regjisore. Kur e shfaqa, pata probleme teknike. U bë projeksion një kopje të cilën unë e kisha flakur në plehra, sepse nuk kishte përfunduar dhe fakti që m’u shfaq një gjë e tillë jo vetëm që ishte zhvlerësim për mua, por për gjithë komponentët përbërës të filmit. Sa lehtë është e mundur të zhbësh një mund në vendin tonë. Ç’rëndësi ka nëse ishte një film i madh apo i vogël; i famshëm ose jo, ekziston një përpjekje e mori djalli! Provova të shkruaja një skenar filmi për anën e errët të jetës! “Shihemi” është produksioni me metrazh të shkurtër, ku unë trajtoj një marrëdhënie të zymtë çiftore. 17 minuta dëshmojnë se si dy të rinj nuk kanë më asnjë lloj raporti me njëri-tjetrin, sepse nuk flasin, nuk ka më asnjë të vërtetë mes tyre. Një femër që koketon duke përdorur feminilitetin e saj dhe një mashkull vigjilent që kupton këtë fasadë. Fshehja është një gjë e mbaruar, e kjo nuk është optimizëm. Është shumë pesimiste. Kur kam punuar për këtë film jam ndjerë emocionalisht shumë e vrarë, e përjetova në një formë tjetër që i ngjante një veshjeje të zezë shpirtërore. Më ndodhi ky proces gjatë xhirimit dhe pata një refleksion të shumëfishtë të asaj që kisha bërë. Ishte pasqyrim i një realiteti. Kështu është Shqipëria, hipokrite. Ti nuk ke njerëz të vërtetë. Shqiptarët janë aktorët më brilantë që mund të ketë rruzulli, sepse vetëm gënjejnë, fshihen dhe luajnë. Çfarë më bën optimiste në këtë peizazh pesimist: për të mos qenë ashtu! Për t’u thënë njerëzve që kur të jeni në grahmat e fundit të jetës do rënkoni e do thoni: çfarë i kam bërë vetes! S’di se kush jam, çfarë dhe ku kam jetuar. Pse dhe kush jam unë? Një gjë të zezë unë e përdor për të treguar një gjë më të bukur, kjo më bën optimiste brenda pesimizmit tim!

Psikologji Dhjetor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top