Në gusht 1970, një grua e quajtur Judy Syfers doli përpara një turme të mbledhur në San Francisko dhe lexoi një ese që ajo kishte shkruar, të titulluar “Përse më duhet një grua? (Why I want a wife). Turma ishte mbledhur për të festuar 50-vjetorin e amendimit të 19-të që i dha grave të drejtën për të votuar.
Judy-it iu pre fjala disa herë nga disa burra në turmë, por eseja pati një impakt të menjëhershëm në forcimin e lëvizjes feministe. Ajo u botua në numrin e parë të Ms. Magazine më 1971. Sot eseja lexohet nga studentë nga e gjithë bota si një shembull klasik i prozës së satirës dhe humorit feminist.
Judy Syfers tani e njohur si Judy Brady është shprehur se si shkrimi i kësaj eseje ndryshoi jetën e saj. Ajo u përfshi në lëvizje të tjera politike në fund të viteve ‘70 dhe ’80, por ajo i atribuon lëvizjes feministe rolin që i hapi mendjen dhe i dha mbështetje si një aktiviste për drejtësi sociale.
Përse më duhet një grua?
Nga Judy Syfers
I përkas asaj kategorie njerëzish të njohura si gratë. Unë jam një Grua. Dhe jo krejt rastësisht jam edhe nënë.
Jo shumë kohë më parë, pashë një mik timin, burrë, që sapo kishte kaluar një divorc. Ai kishte një fëmijë, që jeton tani sigurisht me ish-gruan e tij. Ai po kërkon një grua tjetër. Ndërsa po mendoja për të kur po hekurosja një mbrëmje, papritur më erdhi në mendje që edhe unë gjithashtu, do të doja të kisha një grua. Përse më duhet një grua?
Dua të ndjek prapë një shkollë që të bëhem ekonomikisht i pavarur, për veten time dhe nëse do të jetë nevoja edhe për ata që mund të varen prej meje.
Dua një grua që të punojë dhe të më dërgojë edhe mua në shkollë. Dhe ndërsa unë jam në shkollë, dua një grua që të kujdeset për fëmijët e mi. Dua një grua që të ndjekë oraret e fëmijëve te doktori dhe dentisti. Dhe të ndjek oraret e mia gjithashtu. Më duhet një grua që të sigurohem që fëmijët e mi ushqehen si duhet dhe mbahen pastër. Dua një grua që të lajë rrobat e fëmijëve dhe t’i qepë ata kur kanë nevojë. Dua një grua që është një kujdestare e mirë për fëmijët e mi, që ndjek problemet e shkollimit të tyre, sigurohet që ata bëjnë një jetë të mirë sociale me bashkëmoshatarët e tyre, i çon ata në park, në kopsht zoologjik, etj. Dua një grua që të kujdeset për fëmijët kur ata janë të sëmurë, një grua që t’ju gjendet pranë kur ata kanë nevojë për kujdes të veçantë sepse natyrisht unë s’mund të lë orët e mësimit.
Gruaja ime duhet ta rregullojë që të ketë kohë të lirë nga puna, por të mos e humbasë atë. Kjo mund të sjellë një ulje të vogël të të ardhurave të saj kohë pas kohe, por besoj që do të jetë e pranueshme. S’ka nevojë të përmend se gruaja ime duhet ta zgjidhë vetë çështjen e pagesës për kujdesin e fëmijëve kur ajo është në punë.
Dua një grua që të kujdeset për nevojat e mia fizike. Dua një grua që të ma mbajë shtëpinë pastër. Një grua që do të sistemojë shtëpinë pas asaj që bëjnë fëmijët e mi dhe unë gjithashtu. Dua një grua që të m’i mbajë rrobat pastër, t’i hekurosë, t’i qepë kur kanë nevojë, të m’i ndërrojë kur të lindë nevoja, dhe që të shohë që gjërat e mia personale mbahen në vendin e duhur që kur më duhet diçka ta gjej për një minutë.
Dua një grua që të gatuajë, të jetë kuzhiniere e mirë. Dua një grua që të planifikojë menunë, të bëjë pazaret e nevojshme ushqimore, përgatisë vaktet e ushqimit, t’i shërbejë ato në mënyrë të kënaqshme dhe pastaj të bëjë larjen e enëve ndërkohë që unë studioj.
Dua një grua që të kujdeset për mua, kur jam i sëmurë dhe të më qëndrojë pranë kur kam dhimbje dhe s’mund të shkoj në shkollë. Dua një grua të më shoqërojë kur familja ime shkon për pushime që dikush të vijojë të kujdeset për mua dhe fëmijët e mi kur kam nevojë të pushoj apo ndërroj vend.
Dua një grua që të mos më bezdisë me ankesa të pafundme për punët e grave. Por dua një grua që të më dëgjojë kur kam nevojë ta sqaroj për një çështje disi të ndërlikuar që kam hasur në kursin tim të studimeve. Dua një grua që të më shtypë letrat e mia pasi i kam shkruar ato.
Dua një grua që të kujdeset për detajet e jetës time shoqërore. Kur ajo dhe unë ftohemi jashtë nga miqtë e mi, dua një grua që të kujdeset për ushqyerjen e fëmijëve. Kur takoj njerëz në shkollë që dua dhe kam qejf t’i argëtoj, dua një grua që ta ketë bërë gati shtëpinë, të përgatisë një ushqim special, të më shërbejë mua dhe miqve të mi, dhe të mos më ndërpresë kur të flas për gjëra që na interesojnë mua dhe miqve.
Dua një grua që t’i ketë ushqyer fëmijët dhe vënë në gjumë përpara se të mbërrijnë mysafirët që fëmijët mos të na bezdisin.
Dua një grua që të kujdeset për nevojat e miqve të mi që ata të ndjehen sa më rehat, të sigurohet që ata kanë një tavëll duhani përpara, që t’iu ofrohet diçka sapo të mbërrijnë, dhe pastaj të fillojë menuja e ushqimit, që gota e tyre e verës të mbushet herë pas here dhe kafeja t’ju shërbehet siç e duan ata. Dhe unë dua një grua që e kupton se nganjëherë kam nevojë të iki ndonjë natë nga shtëpia.
Dua një grua që është e ndjeshme ndaj nevojave të mia seksuale, një grua që bën dashuri me pasion dhe me padurim kur të kem qejf, një grua që të sigurohet se më ka kënaqur. Dhe sigurisht unë dua një grua që të mos më kërkojë joshje seksuale kur nuk jam në formë. Dua një grua që merr përsipër përgjegjësi të plotë për parandalimin e shtatzënisë sepse unë nuk dua më fëmijë.
Dua një grua që të më qëndrojë besnike për marrëdhëniet seksuale në mënyrë që të mos e ngarkoj jetën time intelektuale me ndjenjat e xhelozisë. Dua një grua që ta kuptojë se nevojat e mia seksuale mund të më detyrojnë të dal nga rregullat strikte të monogamisë. Unë duhet, në fund të fundit, të jem i aftë t’ju përshtatem njerëzve në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nëse rastësisht, unë gjej një grua tjetër më të përshtatshme sesa gruaja që kam, dua ta shfrytëzoj këtë liri për ta zëvendësuar atë. Natyrshëm që unë pastaj pres një jetë të re, të freskët; gruaja ime e mëparshme t’i mbajë fëmijët dhe të jetë përgjegjësja e vetme e tyre në mënyrë që unë të jem i lirë.
Kur të mbaroj studimet dhe të kem një punë, dua që gruaja ime ta lërë punën dhe të qëndrojë në shtëpi kështu që të përmbushë më së miri detyrat që i takojnë si grua.
Zot i madh, kush s’do të donte një grua?
Përkthyer nga Kujtim Morina
https://www.facebook.com/kujtim.morina.794
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.