Aftësia e lindur, por edhe shumë punë e përvojë, tashmë e rendisin ndër stilistet më të njohura të vendit. Fama e saj janë punët e pafundme për mjaft personalitete e figura të profileve të ndryshme shoqërore. Brenda çdo veshjeje që mban firmën e saj, çdokush bart me vete dhe një pjesë të personalitetit, punuar me kujdes nga krijuesja Estela Koni. Përtej këtij profili, stilistja na ndihmon se si të orientohemi për tendencat e këtij dimri sipas grupmoshave dhe eventeve të rastit.
Si promovuese, këshilluese, por dhe specialiste e fushës, çfarë do të këshillonit si stil veshjeje sezonin vjeshtë-dimër 2017?
Për dimrin 2017-2018 kemi vërtet stile fantastike veshjesh me materiale të çmuara si kashmiri, në kapota dublefas angora me ngjyra të forta e kopsa të çmuara gjithashtu, si dhe kostumet me copa ndriçuese pa anashkaluar stilin preda porte ku spikat lëkura, dantella, stili mascolino në xhaketat dhe kostumet e femrave mbizotëron këtë sezon ngjyra e koleksionit tim, ku dominon e zeza, pana, një grua e ndritshme bordò dhe e verdha mustardë.
Kur flasim për prerjet, nuk mund të lëmë pas ngjyrat, e çdo gjë që duhet ta përshtatim me trupin. Çfarë do të këshillonit?
Gjërat ndryshojnë në rast se veshja është për një klient të caktuar dhe duhet t’i përshtatemi trupit, formave dhe ngjyrës së flokëve, por mbi të gjithave, eventit për të cilin kërkohet dhe nëse nuk është e nevojshme të jetë veshje e përditshme. Këtu kemi të bëjmë me një studim të personalizuar për një hot couture. Gjithsesi, disa këshilla për femrat e kolme janë: të qëndrojnë gjithmonë te veshjet e errëta, te materialet e buta dhe të derdhura për një veshje disi të çrregullt dhe pa firma në tendencat stil shik dhe jo shumë klasike, të zbukuruara me aksesorë që përshtaten me personalitetin e tyre.
A ka një stil ndryshe këtë sezon sa i takon veshjeve ceremoniale, apo klasikja njeh vetëm pak ngjyra, kryesisht të errëtat dhe prerjet e gjata apo deri te gjunjët?
Për sa i përket veshjeve të fundvitit apo eventeve të tilla, nuk do shikoja fustanet e gjata, ndoshta një dantellë e zezë deri poshtë gjurit, me detaje në aksesorë të çmuar. Por do ta shikoja një vajzë me një stil veshjeje të ngushtë, plot dritë, për të mos harruar një tajer (xhaketë) bordo në stil mashkullor, për të qëndruar në tendencat e fundit të sezonit.
Prej vitesh në këtë pasion-profesion që ndani me kryeqytetin e më gjerë se kaq. Sa emocione ju ka dhuruar përgjatë investimit për personazhe të ndryshëm?
Të kujdesesh e të punosh në këtë profil, duhet një karakter i fortë, ku spikat shija e klasi i mirë, dëshira për të krijuar e për t’u marrë me të bukurën, duhet shumë punë dhe frymëzim, duke dhënë gjithmonë perfekten mes të bukurës, të realizuar në perfeksion, pa lënë mënjanë komoditetin e kënaqësinë personale. Ka pasur plot personazhe vendas e të huaj, të fushës së spektaklit, politikës dhe gjinive të tjera më të larta të shoqërisë, klientë që më bëjnë ta dua punën që bëj dhe të përkujdesem në detaje për secilën veshje.
Pas këtij rrugëtimi a ka një plan për sfilatë personale, ka ndonjë surprizë në sirtar?
Po, sigurisht. Unë nuk ndaloj së evoluari, por dëshirat e mia janë më tej, një sfilatë për shpërndarjen e markës time nëpër botë, me dy koleksione be vita dhe kur të kem hyrë në këtë grup mjaftueshëm për të realizuar një sfilatë, ajo do bëhet në një nga kapitalet botërore të modës. Për momentin më mjaftojnë panairet nëpër botë e po e përhap markën time. Sa për Shqipërinë, dëshiroj që të bëj një investim kulturor ndryshe për t’i ardhur në ndihmë këtij vendi.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 125
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.